PDK-ja prezanton Planin për Rimëkëmbjen e Sundimit të Ligjit: Do të themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit
Kandidati i PDK-së për deputet, Abelard Tahiri ka prezantuar Planin për Rimëkëmbjen e Sundimit të Ligjit, prioritet i të cilit do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë prezantimit të këtij plani, Tahiri ka theksuar se në qeverisjen e PDK-së në 100 ditët e para do të themelohet Byroja Kombëtare e Hetimit.
"Byroja Kombëtare e Hetimit është koncept i një strukture hetimore të specializuar që do të ketë policë, prokurorë e hetues, të cilët do t’i japin llogari vetëm Byrosë dhe ligjit. Askujt tjetër jashtë saj. Puna e vetme e kësaj Byroje do jetë luftimi i korrupsionit, ndjekjes së financave të dyshimta, identifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme e të pashpjegueshme të çdo politikani e çdo zyrtari të lartë për të cilin ka dyshime.", tha Tahiri.
Sipas Tahirit, kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që e konsiderojnë veten të paprekur nga drejtësia.
"Byroja Kombëtare e Hetimit, do ua presë këtë rrugë duke ua gjurmuar e konfiskuar pasurinë që e kanë fshehur në parajsat e krimit. Krahas kësaj Byroje, ne do t’i mbështesim edhe mekanizmat tjerë në luftë kundër korrupsionit.", tha ai.
Plani për Rimëkëmbjen e drejtësisë dhe sundimit të ligjit bazohet në katër shtylla: 1. Lufta Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; 2. Reforma strukturore dhe integriteti i Organeve të Drejtësisë; 3. Thellimi i reformave për koordinim dhe përmirësim të performancës në rend dhe ligj dhe 4. Qasja në drejtësi.