Arrestohet në Shqipëri turku i kërkuar nga Interpoli për korrupsion që ishte fshehur në Kosovë

Një shtetas turk është arrestuar nga policia në Shqipëri pasi ka kaluar kufirin në Morinë nga Kosova për në Shqipëri.

Ai ishte i kërkuar ndërkombëtarisht për korrpupsion nga Turkmekistani, ndërsa jetonte në Kosovë, transmeton Zeri.info.

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se personi i arrestuar është 59-vjeçari M.Ç, me kombësi turke, banues në Kosovë.

Njoftimi i plotë nga policia:

Vihet në pranga një tjetër shtetas, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale "Korrupsioni .

Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimi drejt Turkmenistanit.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

M.Ç, 59 vjeç, me kombësi turke, banues në Kosovë.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar Interpol Ashgabat të Turkmenistanit, pasi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Turkmenistanit, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale "Korrupsioni".

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik & Financiar në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.