Bytyçi: Kurti e Konjufca i bënë presion të madh Zyrës për certifikim

Rreth certifikimit dhe moscertifikimit të listave nga KQZ-ja, ka reaguar edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi duke thënë se vota kundër kësaj partie do të mbahet mend gjatë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Bytyçi tha se vota e përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, Arianit Elshani ka qenë votë për të mbrojtur një standard të domosdoshëm të rendit kushtetues të vendit.

“Dje gjatë tentimit të Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismes Social Demokrate, për të kthyer mbrapa standardin e certifikimit të listave zgjedhore, e pam nje djalë të ri, që përtej ngjyrave politike luftonte për demokracinë e Kosovës. Vota e Arianit Elshanit, kundër çdo liste që bie ndesh me aktivendimin e gjykatës Kushtetuese ka qenë votë jo për të mbrojtur një qendrim politik, por për të mbrojtur një standard të domosdoshëm të rendit kushtetues të vendit”, ka shkruar ai.

Sipas Bytyçit, zyrtari përgjegjës i Zyrës për Regjistrim ka pasur presion nga Kurti e Konjufca. Ai thotë se për shkak të presionit dhe kërcënimit zyrtar ai është munduar të që kontrabandojë një vendim të paligjshëm.

“Për shkak të presionit dhe me gjasë edhe kërcenimit zyrtari përgjegjës për zyrën e certifikimi është munduar që ta kontrabandoj një vendim të paligjshëm. Presioni ka qenë i madh, nga Albin Kurti, Glauk Konjufca e deri te ata dy zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje që ishin prezent në KQZ, të mbeshtetura nga të gjitha ata të cilët nuk i kishin listat e pastërta”, tha ai.

Ndërkaq, ai thotë se vota kundër PDK-së do të mbahet mend gjatë pasi që sipas tij jo vetëm se ka qenë e drejtë por se ka qenë zëri i vetëm në ato momente dramatike

“Vota kundër e Partisë Demokratike të Kosovës do të mbahet mend gjatë, jo vetëm se ka qenë e drejtë, por për shkak se ka qenë zëri i vetëm ne ato momente dramatike. Të gjithë kanë qenë të heshtur, dje nuk u degjuan zërat e zhurmshëm të shoqerisë civile, mediave e as ambasadave të Kuintit. Sigurisht situata kish qenë ma ndryshe nëse rolet kishin qenë të kundërta, megjithatë kjo pjesë i takon të kaluarës tani”, ka përfunduar Bytyçi./Zëri