Gjermania, e shqetësuar me shfuqizimin e Task-Forcës Antikorrupsion nga qeveria “Hoti”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, javën e kaluar njoftoi për shfuqizimin e Departamentit Special Antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, Task-Forcë kjo e themeluar rreth 10 vjet më parë.

Ndërkaq në një konferencë për media Hoti tha sot se shuarja e kësaj Task-Force është bërë për shkak se ishte antikushtetuese.

Për shuarjen e kësaj Task-Force pati kritika nga shoqëria civile, nga EULEX-i e nga Bashkimi Evropian.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se shfuqizimi i saj ngrit dyshime për vullnetin e Qeverisë për të luftuar korrupsionin.

“Mjerisht, vendimi i Qeverisë për ta shpërbërë Task-Forcën Antikorrupsion ngrit brenga serioze për vullnetin politik për t’i luftuar çështjet korruptive në mënyrë të efektshme”, tha ambasadori Rohde në një postim në “Facebook”, pasi shpërndau lajmin se vendi i tij është investitori më i madh i Kosovës në gjysmën e parë të vitit 2020, raporton “Zeri.info”.

Sipas tij, ky është një lajm i mirë, mirëpo do të ishte edhe më mirë në qoftë se investitori dhe mjedisi i biznesit do të kishin përmirësimin e nevojshëm, përkatësisht atë të kufizimit të korrupsionit.

“Gjermania edhe një herë shpallet investitori më i madh në Kosovë në pjesën e parë të vitit 2020. Vërtet lajm i mirë! Mund të ishte shumë më mirë nëse investitori dhe mjedisi i biznesit do të shihnin përmirësimin e nevojshëm, përkatësisht kufizimin e korrupsionit të përhapur”, potencoi më tej diplomati gjerman, Jorn Rohde.