Rei Manaj pranë largimit nga Barça, Sulmuesi shqiptar merr dy oferta të rëndësishme

Rey Manaj në ditët në vijim do të fillojë  një aventurë të re. Gazeta katalanase “Sport.es” zbulon dy destinacionet e mundshme për të ardhmen e sulmuesit të kombëtares shqiptare Rey Manaj.

Deri para pak orësh në “pole position” për të firmosur me kuqeziun ishte klubi i Superligës turke Kasimpasa me Manajn që mund t’iu bashkangjitej dy sulmuese të tjerë të kombëtares Armando Sadikut dhe Sokol Cikalleshit që gjithashtu aktivizohen në Superligën e Turqisë respektivisht me Erzurumspor dhe Konyaspor, por së fundmi në skenë për Manajn kanë dalë gjigandët grekë të PAOK-ut të Selanikut.

23-vjeçari i cili në karrierën e tij ka mbajtur veshur edhe fanellën e Interit po kalon ditët e tij të fundit te Barcelona ku që prej janarit të këtij viti është pjesë e Barcelonës B.

Blaugranat e blenë për 700 mijë kartonin e futbollistit kuqezi nga Albacete dhe më shumë sesa huazimi kërkojnë një shitje përfundimtare të kartonit të tij.