Banksy dhuron piktura për të mbledhur fonde për një spital në Betlehem

Banksy ka dhuruar një seri pikturash në një ankand të radhës bamirësie, që do të mbledhë para për një spital në Betlehem, Palestinë. Piktura trepjesëshe, e titulluar “Mediterranean sea view 2017”, vlerësohet se do të shitet midis 800.000 deri 1.2 milion funte, raporton “DazedDigital”, transmeton “Zeri.info”.

E punuar në vitin 2017, vepra me pamje nga Deti Mesdhe 2017 paraqet jelekët dhe gomat e shpëtimit në një peizazh të stilit të shekullit XIX, duke krijuar skena të errëta, ironike, që komentojnë krizën e refugjatëve.

Vepra e artit u krijua fillimisht për hotelin “Walled Off” të Banksyt në Bregun Perëndimor – i njohur si hoteli me “pamjen më të keqe në botë”, ku ka qenë e shfaqur për tre vjetët e fundit, së bashku me disa prej veprave të tjera artistike politike të Banksyt, të shoqëruara me muzikën e “Massive Attack”.

Të gjitha të ardhurat nga pikturat e vajit, kur të dalin në ankand në “Sotheby’s” më 28 korrik, do të shkojnë drejt ndërtimit të një njësie të re, një ndërtese të re dhe për blerjen e pajisjeve për rehabilitimin e fëmijëve për BASR (Bethlehem Arab Society for Rehabilitation).

Në muajt e fundit Banksy ka dhuruar gjithashtu një pikturë në një spital në Southampton, duke i bërë homazhe personelit mjekësor në mes pandemisë me koronavirusin, transmeton “Zeri.info”.