'Bravo Werder, urime Milot', Munishi reagon pas mbetjes në elitë të skuadrës së Rashicës

Pas shumë presioneve e kritikave, Werder Bremeni edhe zyrtarisht do të vazhdojë të mbetet pjesë e elitës së futbollit gjerman.

Në ndeshjen e dytë të barazhit të zhvilluar sonte në "Voith-Arena" kundër Heidenheimit, Werder Bremeni barazoi me rezultat 2:2, shkruan "Zeri.info".

Meqenëse ndeshja e parë në "Weserstadion" u mbyll pa gola, Werder Bremeni e fiton këtë përballje falë rregullit të golit si mysafir dhe e vazhdon militimin në Bundesliga.

Werder Bremenin dhe Milot Rashicën e ka uruar edhe trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi.

Munishi, i cili dikur drejtonte Rashicën te skuadra e Vushtrrisë, në postimin e Werder Bremenit në "Facebook", ka shkruar:

"Bravo Werder, urime Milot".

Ndryshe, Rashica u paraqit në këtë ndeshje për Werder Bremenin nga minuta e parë, derisa luajti 80 minuta, duke bërë një paraqitje solide në sulm.

Me gjithë zërat nëpër media, kjo mund të ketë qenë paraqitja e fundit e yllit të Kosovës për Werder Bremenin, për shkak se ai pritet të transferohet diku tjetër në afatin kalimtar veror. /Zeri.info