Paraburgoset personi që ngacmoi togerin serb të FSK-së në “Facebook”
Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim një personi të dyshuar për veprën penale “ngacmim”.
I dyshuari në rrjetin social “Facebook”, e ka shqetësuar Z.S i cili është Toger në FSK, duke i publikuar fotografi të ish-komandantit të UÇK-së, njëherësh kreut të AAK-së Ramush Haradinajt, me uniformë ushtarake.
Gjë pas së cilës, viktima e ngacmimit është linçuar publikisht nga persona të ndryshëm në këtë rrjet social po ashtu edhe është kërcënuar, përcjell “Zeri.info”.
“I pandehuri D. P. (serb), duke dashur të shqetësoj të dëmtuarin Z. S. (serb), Toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes rrjetit social Facebook, publikon fotografi të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj me uniformë ushtarake, si dhe uniformë dhe flamuj të FSK-së, ku pas këtij publikimi i njëjti ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes, duke u linçuar publikisht nga persona të ndryshëm përmes rrjetit social”, thuhet në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme dhe papërshtatshme
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.