Kërcënohet togeri serb i FSK-së pasi një serb tjetër ia poston foton e tij me uniformë ushtarake në “Facebook”

Kërcënohet togeri serb i FSK-së pasi një serb tjetër ia poston foton e tij me uniformë ushtarake në “Facebook”

Kronika June 05, 2020 - 13:46

Një toger i FSK-së, i nacionalitetit serb, ka marrë mesazhe kërcënuese, fyese e degraduese për integritetin e tij dhe të familjes së tij.

Kjo pasi një serb tjetër kishte postuar një fotografi të tijën me uniformë të FSK-së në “Facebook” bashkë me fotografinë e Ramush Haradinajt me uniformë të UÇK-së.

Prokuroria Themelore në Gjilan për këtë rast ka kërkuar nga gjykata kompetente në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit D.P., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 04 maj 2020 i dyshuari D.P. (i nacionalitetit serb), me dashje dhe me qëllim të frikësimit ka shqetësuar të dëmtuarin Z.S. (të nacionalitetit serb) - toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu që përmes rrjetit social ‘Facebook’ ka publikuar fotografi të ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinajt me uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit me uniformë dhe me flamuj të FSK-së, me ç’rast pas këtij publikimi i dëmtuari ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes”, njofton Prokuroria, raporton “Zeri.info”.

Ndonëse i dyshuari këtë postim e kishte larguar nga rrjeti social pas një ore, i dëmtuari prapë ka vazhduar të pranojë mesazhe kërcënuese, ku me këto veprime ka nxitur urrejtje, duke shkaktuar tek i njëjti frikë dhe shqetësim të madh për jetën e tij dhe të familjes.

I dyshuari D.P., me aktvendim të prokurorit, gjendet në ndalim 48-orësh.