Historia e përhapjes së koronavirusit
Ishte dhjetori i vitit të shkuar. Një mjek kinez kishte kapur në dorë kamerën dhe po mundohej ta njoftonte botën se diçka e rrezikshme po afrohej. I kishte rastisur të trajtonte disa raste të të infektuarve me njëfarë virusi të panjohur e që mund të përhapej. Ama zëri i tij do të mbytej në Kinën që nuk lejonte që emri t’i njollosej.
Jo shumë kohë më vonë, ajo që mjeku kinez, Li Wenliang, paralajmëroi nisi t’i alarmonte edhe të tjerët. Numri i personave që po i shfaqnin simptomat e atij virusi por rritej furishëm. Fjala ishte fillimisht për banorë të qytetit Wuhan, ku prej një tregu kafshësh besohet se buroi virusi që sot njihet me emrin Covid-19.
Për pak muaj, numri i të infektuarve dhe të vdekurve u rrit bashkë me atë të vendeve të prekura. Sot mbi 5 mijë persona kanë vdekur dhe më se 137 mijë të tjerë janë infektuar në afro 120 vende të botës. E vetëm pak ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi globale të koronavirusit, ky trup botëror e dha një tjetër alarm. Atë se tani është Evropa epiqendra e re e pandemisë. Kjo ngase Italia ka tani numrin më të madh të të vdekurve, mbi 1 mijë, dhe më se 15 mijë të infektuar. Pas saj rreshtohen Spanja me 4.334 raste, Gjermania me 3.156 dhe Franca 2.882. Ndërkohë, shifrat në vendet e tjera të bllokut evropian po rriten dita ditës, raporton KTV.
Paniku i shkaktuar dhe domosdoshmëria për marrjen e masave të parandalimit shtrënguan këto vende të marrin vendime të ashpra. Italia e vuri gjithë shtetin në bllokadë. Spanja shpalli gjendje të jashtëzakonshme e këtë mund ta bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë shtete mbyllën kufijtë, me mijëra fluturime u pezulluan, shkollat u mbyllën, u ndaluan tubimet publike dhe u anuluan shfaqjet kulturore e ndeshjet sportiv. E në rastin e Italisë, u mbyllën edhe dyqanet, pos atyre ushqimore dhe barnatoret.
Në Ballkan, Greqia, Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe së fundi edhe Kosova kanë konfirmuan raste të të prekurve me koronavirus. Në të gjitha këto vende u mbyllën shkollat dhe u zbatuan kufizime në kalimin e kufijve.
Megjithatë, OBSH-ja ka thënë se koronavirusi është pandemia e vetme që mund të mbahet nën kontroll. Ndërkohë institutet globale shëndetësore po punojnë intensivisht në gjetjen e një vaksine.