Këto janë krejt vendimet që mori sot Qeveria Kurti

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të dytë në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime.

Vendimi i parë i miratuar nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuar me datën 20.12.2017, për pagat për pozitat të caktuara dhe të njëjtat kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm.

Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese në pajtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; Ligjin për Gjykatat; Ligjin për Prokurorin e Shtetit; Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Vendimi vlen deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me po këtë vendim ndryshohet dhe plotësohet Vendimi i Qeverisë, i datës 17.11.2015, kështu që nga pika 2. e këtij vendimi ndryshon nga: “pagës së plotë që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit të tyre”, dhe zëvendësohet me tekstin: “pagës aktuale të tyre”, dhe bëhet fjalë për pagat e ish-zëvendëskryeministrave, ish-ministrave, ish-zëvendësministrave dhe të ish- drejtorit të AKI-së për gjashtë muaj pas mbarimit të mandatit të tyre.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar janë shfuqizuar vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në vijim:

1.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore;

2.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të  

Ambientit;

3.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Republikën e Kosovës;

4.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e udhëheqësit të Projektit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve Endacakë;

5.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit;

6.      Vendimi i Qeverisë për emërimin e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO;

             7.      Vendimi i Qeverisë për themelimin e Task –  Forcës Kundër Narkotik tek të rinjtë dhe siguri në shkolla.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Partneritetit Publiko-Privat me përbërje  të anëtarëve të përhershëm nga ministrat e dikastereve në vijim:

1.      Ministria e Financave dhe Transfereve       kryesues;

2.      Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë,

Ndërmarrësisë dhe Investime Strategjike                anëtar;

3.      Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit               anëtar;

4.      Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal          anëtar;

5.      Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural              anëtar.

Vendimi shfuqizon vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10.11.2017, për emërimin e anëtarëve të Komitetit për Partneritet Publik-Privat dhe obligon Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe institucionet tjera kompetente për zbatimin e këtij vendimi në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, me rekomandimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të zgjat ndarjet buxhetore edhe për muajin mars.

Me dy vendime të veçanta, janë miratuar nismat e negocimit të lidhjes së Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Finlandës dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital. Marrëveshjet do të negociohen në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për marrëveshje ndërkombëtare. Vlerësohet se këto marrëveshje do të kenë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të jenë stimuluese për investimin e kapitali të huaj në vendin tonë.

Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë ndarë mjete për GIZ-in në vlerë prej 29 mijë e 809 euro, si implementues i projektit të themelimit të Parkut Inovativ në Prizrenit, për strehimin e refugjatëve nga Republika e Shqipërisë, pas tërmetit të viti të kaluar në këtë kamp.

Janë ndarë mjete edhe për komunat e Pejës, në vlerë prej 297 mijë e 50 euro dhe atë të  Istogut , në vlerë prej 136 mijë euro, për sanimin e gjendjes së krijuar nga fatkeqësitë natyrore javën e kaluar në këto komuna, sidomos në objektet dhe infrastrukturën edukativo-arsimore të këtyre komunave.

Ministri i Integrimeve evropiane ka propozuar një koordinim më të mirë të aktiviteteve dhe takimeve me strukturat e BE-së në Kosovë si dhe veprime të menjëhershme të miratimin e politikave që kanë ndikim në shfrytëzimin e fondeve të BE-së dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Me propozim të Kryeministrit Albin Kurti, është themeluar Grupi punues për koordinimin e aktiviteteve dhe manifestimeve për shënimin e dymbëdhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe do të ketë në përbërje Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrin e Mbrojtjes, Ministren  e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar se së shpejti do të adresojë shkresën më kërkesë që në të gjithë resorët qeveritarë të behet skanimi i gjendjes me objektivat dhe sfidat e  ministrive me qëllim të ndërmarrjes së hapave për avancim të punës dhe efikasitetit të institucioneve qeveritare.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të sjellë në takimin  e kabinetit qeveritar raportin për pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga era në sektorin e bujqësisë në komunat e Klinës, Istogut dhe Pejës.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka shtruar nevojën e adresimit të çështjes së fuzionimit të ministrive dhe të veprohet sa më shpejtë në miratimin e rregulloreve dhe akteve tjera që mundësojnë realizimin e këtij projekti të Qeverisë së re.

Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka prezantuar para kabinetit qeveritar çështjen e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol. Ministri Glauk Konjufca ka prezantuar vlerësimet e Ministrisë që përfaqëson për situatën aktuale për anëtarësim dhe ka theksuar se të dhënat me të cilat disponojnë si ministri, janë në disfavor të aplikimit për anëtarësim edhe këtë vit dhe ka rekomanduar që aplikimi të shtyhet për vitin tjetër.