Ndalja e socialit për 212 familje, padrejtësi legjitime

Ndonëse ndalja e ndihmës sociale për 212 familje ka qenë vendim në përputhje me ligjin, ai nuk po shihet edhe si vendim i drejtë nga organizatat për të drejtat e njeriut, madje ky veprim i Ministrisë së Punës dhe i Mirëqenies Sociale po shihet edhe si dekurajues për punësim për anëtarët e familjeve të skemës sociale, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Vetëm një alternativë për uljen e tarifës së sigurimit të automjeteve

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ua ka ndalur ndihmat sociale për muajin nëntor 212 familjeve, anëtarë të të cilave kanë punuar si komisionarë në ditën e zgjedhjeve. Ndonëse nga Ministria e kanë arsyetuar këtë vendim si legjitim, ai nuk po shihet edhe si i drejtë. “Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale është e obliguar t’i zbatojë aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, të cilat e rregullojnë këtë skemë. Andaj duke u bazuar në Ligjin Nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale, çdo familje që është shfrytëzuese e kësaj skeme është e obliguar të lajmërojë Qendrën për Punë Sociale për çdo ndryshim të gjendjes ekonomiko-sociale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë “Zërit”.

Organizata për të drejtat e njeriut konsiderojnë se vendimi për t’ua ndalur socialin këtyre familjeve është i padrejtë. Ata thonë se MPMS-ja në vend se t’i nxiste për punë, me këtë veprim i ka dekuajuar këta persona. Kësisoj nga Ministria po kërkohet reforma në skemën sociale për këtë dhe shumë shqetësime të tjera.

Ministria e Punës: Komisionarët do ta marrin socialin për muajin dhjetor

212 familje nuk i kanë marrë ndihmat sociale për muajin nëntor, për shkak se kanë punuar ditën e zgjedhjeve dhe janë paguar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Duke u bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka deklaruar se për çdo muaj bëjnë filtrimin dhe krahasimin e listave të familjeve shfrytëzuese të ndihmave sociale nëse kanë përfituar ndonjë të hyrë mbi vlerën e ndihmës sociale. “Gjatë muajit nëntor 2019, nga krahasimi i të dhënave në mes të MPSM-së dhe ATK-së ka rezultuar se 212 familje, gjegjësisht anëtarët e tyre janë gjetur si tatimpagues në ATK, me të hyra nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për muajin tetor 2019 dhe në të njëjtën kohë kanë qenë shfrytëzues të ndihmës sociale për muajin tetor 2019”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kësisoj pas verifikimit, në bazë të ligjit Ministria ka vendosur që t’ua ndalë ndihmat sociale këtyre personave për muajin nëntor dhe ta vazhdojë dhënien e tyre në muajin dhjetor. “Pasi të hyrat nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë qenë të njëhershme, për të mos u nënshtruar procedurave të kthimit të mjeteve pa bazë ligjore dhe procedimit të rasteve në gjykata, Divizioni i Ndihmave Sociale, këto familje i ka larguar nga lista e shfrytëzueseve për muajin nëntor 2019, ndërsa në bashkëpunim me qendrat për punë sociale këto familje do t’i riaktivizojmë në ndihmë sociale për muajin dhjetor 2019”, thuhet në arsyetimin e MPMS-së dhënë “Zërit”.

KMLDNJ: Vendimi për ndaljen e socialit, i padrejtë dhe dekurajues për punë

Behxhet Shala, udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka thënë për gazetën se vendimi për ndaljen e socialit të këtyre familjeve ka qenë i padrejtë. "Ky vendim nuk është në rregull, sepse sociali nuk mund të konsiderohet pagë. Shuma që e marrin këta persona është nën minimalen. Ajo është ndihmë simbolike dhe e ulët, e cila ua mbulon vetëm një përqindje të vogël të nevojave të jetës së tyre”, ka deklaruar Shala.

Ai shprehet se me këtë veprim Ministria i ka dekurajuar këta persona për punë në vend se t’i inkurajonte. “Ndihma që këta persona marrin është krejtësisht e pamjaftueshme për të mbijetuar, prandaj në këto raste këta persona është dashur të inkurajohen për të punuar edhe më tej në mënyrë që të largoheshin plotësisht nga skema sociale dhe jo të ndëshkohen në këtë mënyrë”, ka shtuar ai.

U ndalet sociali për rreth 30 euro fitim në KQZ

Disa nga këta persona, të cilët janë privuar nga kjo ndihmë, mund të jenë paguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më pak sesa marrin nga sociali.

Në një përgjigje për “Zërin”, nga KQZ-ja kanë treguar vendimin e pagesave për stafin e angazhuar në zgjedhje. Me pagesë minimale prej 16 eurosh në ditë janë paguar asistentët e qendrave të votimit për dy ditë, ndërsa me pagesë maksimale prej 50 eurosh në ditë nga KQZ-ja janë paguar pronarët e kombibusëve për bartjen e materialit zgjedhor për dy ditë. Sipas asaj që ka njoftuar Ministria, shuma mujore e ndihmës sociale për një familje përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit. Kësisoj nga MPMS-ja bëjnë të ditur se personi i vetëm ose familja njëanëtarëshe merr 60 euro në muaj (minimalja) dhe familja me 15 anëtarë (maksimalja) për një muaj merr 180 euro.

Përveç ndihmës bazë familja e përzgjedhur për Skemën e Ndihmës Sociale për çdo fëmijë të moshës deri në 18-vjeçar realizon një përfitim financiar shtesës prej 5.00 eurosh, gjë e cila sipas Ministrisë bëhet me qëllim të nxitjes së arsimimit dhe të përmirësimit të shëndetit të tyre.

Reforma në Skemën Sociale, e nevojshme

Mirëpo reforma për Skemën Sociale në Kosovë po konsiderohet e domosdoshme edhe nga Ministria. Ata thonë se gjatë këtij viti e kanë hartuar koncept-dokumentin për këtë reformë, në të cilin janë adresuar disa shqetësime. “Në të njëjtën kohë ju njoftojmë se MPMS-ja gjatë këtij viti ka hartuar koncept-dokumentin për Reformën e Ndihmës Sociale, i cili pritet të aprovohet me krijimin e institucioneve të reja. Në kuadër të këtij koncept-dokumenti janë adresuar edhe disa nga shqetësimet dhe problemet që kemi pasur me legjislacionin aktual e për te cilat janë dhënë opsione për zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. //ZERI