Vetëm një alternativë për uljen e tarifës së sigurimit të automjeteve
Foto: Laura Hasani

Vetëm një alternativë për uljen e tarifës së sigurimit të automjeteve

Ekonomia December 12, 2019 - 08:00
Detajet
Image

Banka Qendrore e Kosovës ka mbajtur takim me përfaqësuesit e grupit “Marakli t’kerreve”, të cilëve u ka thënë se nuk do të tërhiqen nga vendimi për rritjen e tarifës 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve. Derisa vendimi po vazhdon të mbetet në fuqi, po shikohet të gjendet një mënyrë tjetër që qytetarëve t’u zbritet tarifa, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Kosova mund të hyjë në vitin vijues pa buxhet

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur ta mbajë në fuqi vendimin e saj për rritjen e tarifës 26,6 për qind për sigurimin e automjeteve. Ndonëse BQK-ja ka vendosur t’i pranojë pesë kërkesat, të cilat i janë dërguar nga përfaqësuesit e grupit “Marakli t’kerreve”, të cilat kishin të bënin me shqyrtimin e vendimit, ajo e ka refuzuar kërkesën e parë, e cila përfshinte pezullimin e menjëhershëm ose të përkohshëm të vendimit për rritjen e tarifës.

Përfaqësuesi i grupit “Marakli t’kerreve”, Agan HajdarHoxha, ka thënë për “Zërin” se janë takuar gjatë ditës së martë me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, i cili edhe ua ka konfirmuar se kanë pranuar pesë kërkesat e tyre, përveç asaj të parës.

Ndonëse nuk u është plotësuar kërkesa kryesore e tyre, për të cilën edhe kanë protestuar, HajdarHoxha ka thënë për “Zërin” se janë duke punuar që së paku shoferëve, të cilët nuk kanë shkaktuar aksidente në trafik t’u ulet tarifa. “Ne i kemi vënë guvernatorit një kusht tjetër, që nëpërmjet formës së përmbaruesit të bëhet një zbritje që prapë qytetarët të mos paguajnë 26 për qind më shtrenjtë. Ne e kemi autorizuar një person, i cili është duke punuar me Ligjin e Bonos Malusit. Guvernatori ka thënë se çfarëdo që bëjmë me bonos malusin ai do të jetë i pajtimit. Shoferët që nuk shkaktojnë aksidente, zakonisht e kanë marrë një zbritje prej kompanive të sigurimeve, ndërsa malusi është për ata njerëz që shkaktojnë aksidente, do të thotë atyre do t’u rritet dënimi. Ne jemi duke shikuar që formën e bonusit ta rrisim më shumë, e malusin ta rregullojmë”, ka thënë ai.

Ndonëse vazhdojnë të mos pajtohen me rritjen e tarifës 26,6 për qind, HajdarHoxha ka thënë se nëse nuk u pranohet oferta për bonuse, të cilat ua zbresin qytetarëve tarifën, ata do të ngrihen në protesta. “Ne vazhdojmë të jemi kundër rritjes prej 26,6 për qind, sepse është bërë në kohën më të keqe për qytetarët e vendit. Ne duke e parë që s’jemi duke mundur ta heqim këtë, po shikojmë të bëjmë një lehtësim për qytetarët. Ne jemi duke u munduar ta gjejmë formën që të mos jetë rritje 26,6 për qind, por të paktën 6 për qind. Në qoftë se tani nuk na pranon BQK-ja ofertën tonë, atëherë prapë do të vazhdojmë me protesta”, ka deklaruar ai.

BQK-ja s’është konsultuar me Qeverinë, përgjegjëse nëse dëmton qytetarët

Për vendimin e marrë për rritjen e tarifës Banka Qendrore e Kosovës nuk ishte konsultuar paraprakisht as me kryeministrin në largim Ramush Haradinajn. Ajo ka marrë vendimin në kohën kur Kuvendi, organ që sipas Kushtetutës mbikëqyr BQK-në, ka qenë jofunksional.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se BQK-ja e ka njoftuar kryeministrin për vendimin e saj, pasi Haradinaj i ishte drejtuar përmes një letre guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmetit, përmes së cilës kishte kërkuar informata të detajuara për vendimin.

Sipas Shatrit, Qeveria nuk ka të drejtë të përzihet në vendimet e BQK-së, por është përgjegjësi e madhe nëse kjo ka favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe ka dëmtuar qytetarët. “BQK-ja është institucion, i cili mbikëqyr institucionet financiare, si bankat e kompanitë e sigurimeve. Sipas ligjit, Qeveria nuk ka të drejtë të përzihet në vendime të Bankës Qendrore. BQK-ja është e pavarur në vendime të saj, por ka obligim që ta informojë Qeverinë lidhur me vendimet që merr. Është përgjegjësi e madhe nëse BQK-ja me vendimin e saj i favorizon kompanitë e sigurimeve dhe i dëmton qytetarët”, ka thënë ai.

Kaçaniku: Tregu i sigurimeve nuk po ndihmon për zhvillimin e ekonomisë

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për gazetën se shteti nuk ka të drejtë të përfitojë edhe më shumë nga xhepat e qytetarëve. Sipas tij, vendime të tilla për rritje të tarifave nuk duhet të merren pa pasur debate publike. “Shteti nuk ka të drejtë ta përfitojë edhe një burim shtesë nga xhepat tanë. Edhe për këto tema nuk ka të drejtë shteti të marrë vendime pa debat publik. Problemet që i ka shteti dhe kompanitë e sigurimeve në këtë sferë nuk mund t’i zgjedhë qytetari, të paktën jo pa pasur debat publik”, ka thënë ai.

Ai e ka parë si të paarsyeshme uljen e tarifave për qytetarët që s’kanë bërë aksidente.

Për rritjen e tarifës për sigurimin e automjeteve, ka pasur edhe reagime nga deputetë të Kuvendit të Kosovës. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë ditë më parë se me rritjen e tarifave të sigurimit të detyrueshëm prej 26%, Banka Qendrore e ka kufizuar më tutje konkurrencën e lirë në tregun e sigurimeve. Ai ka potencuar se tregu i sigurimeve përbën më pak se 5% të tregut financiar në Kosovë, që është pjesëmarrje shumë e vogël pas dy dekadave të funksionimit dhe si i tillë ky treg nuk është duke e ndihmuar zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Ai ka thënë tutje se Banka Qendrore duhet të angazhohet që tregu i sigurimeve të zhvillohet duke promovuar konkurrencën e lirë, që i nxit kompanitë të rrisin gamën e shërbimeve siguruese, si dhe duke mbikëqyrur në vazhdimësi likuiditetin e tyre. //ZERI