Kullat e rezistencës në luftë, rrezikojnë të shemben në liri

 21 vjet pas luftës së lavdishme të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit dhe familjes së tij me Ushtrinë dhe me Policinë e Serbisë projekti për konservimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz ende nuk ka filluar, teksa vonesat vetëm sa po e përkeqësojnë gjendjen e simboleve të lirisë së Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: 22 vjet nga vrasja e mësuesit Halit Geci e dalja publike e UÇK-së

Ndonëse cilësohen simbole të rezistencës së luftës për liri, kullat e Jasharëve qysh nga paslufta janë në gjendje të mjerueshme. Kullat që kanë qenë të pamposhtura nga topat, granatat, bombat dhe Ushtria e Serbisë sot po rrezikojnë të shemben në liri, pa i prekur askush. 21 vjet pas luftës së lavdishme të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit dhe familjes së tij me Ushtrinë dhe me Policinë e Serbisë projekti për konservimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz ende nuk ka filluar, teksa vonesat vetëm sa po e përkeqësojnë gjendjen e simboleve të lirisë së Kosovës.

Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz tash e disa vite është nën mbikëqyrjen e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKMK). Nga kjo agjenci për “Zërin” kanë thënë se janë në pritje të formimit të qeverisë së re dhe formimit të komitetit ndërministror, i cili do të merret me konservimin e kullave të Jasharëve.

Vitin tjetër fillon projekti për kompleksin memorial “Adem Jashari”

Me formimin e qeverisë së re në vend pritet të formohet edhe komiteti ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Bislim Zogaj, kryetar i kësaj agjencie, për “Zërin” ka thënë se projekt për konservimin e kullave të Jasharëve ka pasur edhe në vitin 2017, por nuk ka filluar së realizuari për shkak të ngecjes për ta miratuar projektligjin. “Për këtë Kompleks kjo agjenci ka zhvilluar të gjitha aktivitetet me mundësitë dhe kapacitetet e saj për realizimin e këtij projekti. Në kuadër të kësaj agjencie para se të vij unë si drejtor ka qenë një konkurs për projektin për konservimin e kullave të rezistencës dhe ai projekt ka përfunduar diku në vitin 2017. Ai nuk ka filluar së realizuari për shkak se është pritur të votohet Projektligji për Kompleksin ‘Adem Jashari’”, ka thënë Zogaj.

Duke folur për Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Zogaj potencoi se në të parashihet projekti i përgjithshëm për Kompleksin në Prekaz dhe jo vetëm ai për konservimin e kullave. “Me votimin e Ligjit për Kompleksin ‘Adem Jashari’ në tetor të vitit të kaluar është paraparë që duhet të formohet një komitet ndërministror, i cili merr të gjitha kompetencat rreth procedurave për shpalljen e tenderëve për projekt, por edhe për kompaninë që do ta realizojë projektin. Deri në përfundim të projektit të përgjithshëm është në kompetencë të këtij komuniteti ndërministror, pas përfundimit të tij menaxhimi kalon në kuadër të agjencisë”.

Zogaj shpreson që qeveria e ardhshme ta ketë prioritet formimin e komiteti ndërministror, i cili do të merret me procedurat e tenderimit për projektin e kompleksit në Prekaz.

“Me formimin e qeverisë së re sigurisht që do të jetë prioritet formimi i komitetit ndërministror, i cili do të merret me procedurat për paraqitjen ose me tenderin për projekt dhe pastaj edhe për implementimin e atij. Besoj që komiteti ndërministror në ardhje do të jetë shumë më i zhurmshëm dhe besoj se vitin tjetër do të fillojë realizimi i projektit të kompleksit memorial ‘Adem Jashari’”, ka pohuar Zogaj.

Që nga paslufta 10 milionë euro për Kompleksin në Prekaz

Që nga paslufta për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz janë ndarë rreth 10 milionë euro nga institucionet e vendit. Zogaj pohoi se mbështetje financiare ka pasur gjithmonë për Kompleksin, por ka munguar zgjedhja e prioriteteve. “Realisht qe 20 vjet nuk mund të themi se nuk është bërë asgjë. Sipas mendimit tim, prioritetet nuk janë zgjedhur ashtu siç duhet. Menjëherë pas varrezave hapi i dytë do të duhej të ishte konservimi i kullave të rezistencës, sepse ato janë argumente bindëse, ose artefaktet për gjeneratat e ardhshme. Ato dëshmojnë qartë se sa ka qenë e shtrenjtë liria dhe kë e kemi pasur pushtues si popull”, ka thënë më tutje drejtori i AMKMK-së.

Për të gjatë viteve të kaluara prioritet do të duhej të ishte konservimi i kullave, pasi mjetet nuk janë orientuar me prioritet. “Prioritet do të duhej të ishte konservimi i këtyre kullave. Mjete ka pasur dhe janë investuar diku rreth 10 milionë euro prej pasluftës. Mendoj që këto mjete nuk janë orientuar me prioritet. Prioritet mbi prioritete do të duhej të ishte konservimi i kullave të rezistencës. Fatmbarësisht pas 20 vjetëve ato nuk janë dëmtuar ashtu siç do të mundë të dëmtoheshin. Sigurisht se si ndodhi mrekullia me betejën e Jasharëve, ashtu kemi edhe një mrekulli, që ato shtëpi po qëndrojnë ende të parrënuara”, ka thënë ndër të tjera Zogaj.

Kullat do t’i rezistojnë edhe këtij dimri

Duke folur mbi gjendjen e kullave, Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së, është shprehur optimist se këto kulla do t’i rezistojnë edhe këtij dimri. “Po shpresoj që neglizhenca e deritashme do të jetë prioritet nga komiteti i ardhshëm ndërministror. Pres që ata të bazohen në përvojën nga e kaluara, që nuk guxojmë të vonohemi dhe të fillojmë sa më shpejt me punimet. Duke parë nga e kaluara dëmtimet që kanë ndodhur kohë pas kohe ose vit pas viti, po shpresojmë që edhe këtë vit do t’i rezistojnë edhe këtij moti dhe këtij dimri”, ka thënë ai.

Me shpresë që dimri tjetër do t’i zërë këto kulla të konservuara, Zogaj tha se pret që projekti t’i arsyetojë vonesat ndër vite. “Shpresojmë që dimri tjetër të paktën kullat e rezistencës do t’i gjejë të konservuara. Megjithatë po besoj se ndoshta këtë vonesë do ta arsyetojë projekti. Mendoj se po të realizohej një projekt para disa viteve nuk do të ishte edhe aq i dinjitetshëm sa është tash. Edhe mjetet buxhetore janë më lehtë tash të siguruara sesa para 10 -15 vjetëve. Realizimi i një projekti të tillë kushton me miliona”, ka thënë më tutje Zogaj.

Numri i vizitorëve po rritet ndër vite në Prekaz

Pavarësisht gjendjes së keqe të kullave, numri i vizitorëve në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz po rritet vit pas viti. Kjo e ka befasuar drejtorin e AMKMK-së, i cili tha se ky numër rritet sidomos gjatë festave dhe muajve të verës. “Fatkeqësisht nuk jam kompetent të flas për numra. Megjithatë e di që çdoherë ky numër vjen në rritje. Është interesant se për dallim që ky numër do të duhej të ishte në rënie, megjithatë sidomos gjatë festave dhe verës ka shumë vizitorë. Numri gjithherë ka ardhur duke u ngritur”. Sipas tij, kjo është një dëshmi që vizita te kullat e familjes Jashari jep energji dhe forcë për shqiptarët, teksa shtoi se ato tregojnë se sa e shtrenjtë ka qenë liria. “Kjo është një dëshmi që shqiptarët çdoherë për të gjetur një energji për jetën e tyre vinë aty dhe vizitojnë kullat. Vizita te kullat e Jasharëve është një dëshmi për një motiv se përse duhet të jetojmë dhe ta kuptojmë se sa ka qenë e shtrenjtë liria. Duhet t’ia dimë vlerën kësaj lirie, të cilën e gëzojmë ne. Është një çudi se si numri është duke u rritur dhe jo duke rënë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Muze i veçantë në mes të Prekazit

Duke dhënë detaje mbi projektin e përgjithshëm, i cili pritet të realizohet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Zogaj tha se pritet të ndërtohet një muze i veçantë, që do të paraqesë edhe luftën. “Muzeu do të ishte diçka e veçantë. Në muze parashihet të paraqitet edhe lufta. Tani nuk janë muze vetëm për të shkuar dhe për ta shikuar një armë ose një fletore, ose rrobë, por muzeun mendojmë ta bëjmë më të avancuar, sikur në vendet e tjera. Kjo për t’i paraqitur në një vend edhe betejat, fshatin dhe gjithçka tjetër. Ne mendojmë ta kemi një muze gjithëpërfshirës dhe që dallon prej muzeve të cilat qytetari shqiptar i ka parë”, ka pohuar Zogaj.

Mirëmbajtja e Kompleksit, në nivelin e duhur

Mirëmbajtja, e cila kryhet çdo ditë te varrezat dhe tek ambienti përreth kompleksit memorial “Adem Jashari”, sipas Zogajt, është në nivelin e duhur. “Ne tani si agjenci e kemi për obligim vetëm mirëmbajtjen, të cilën e bëjmë për çdo ditë dhe besoj se mirëmbajtja është në nivelin më të mirë të duhur dhe aty jemi shumë të kujdesshëm. Ne jemi pasqyrë para çdo vizitori, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Ne kemi vizitorë nga e gjithë bota dhe nga më të ndryshmit. Jemi duke kryer një obligim në suaza të mundësive, të paktën për sa i përket mirëmbajtjes së varrezave dhe ambientit përreth”, ka thënë ndër të tjera ai. //ZERI