Për ta qetësuar një djalë 15 muajsh, protestuesit libanezë ia këndojnë 'Baby Shark'

Derisa në njërën prej rrugëve të Libanit po zhvilloheshin protesta të tensionuara, në mes të rrugës ndodhi një skenë e mirë. Protestuesit të gjithë u bënë bashkë për ta kënduar një këngë, e cila u pëlqen thuajse të gjithë fëmijëve.

E këndimi i saj në kor, nga protestuesit libanezë, u bë për një arsye të vetme. Për ta qetësuar një foshnje e cila në momentin kur protestuesit ishin në rrugë, ajo nisi të qajë.

E gjithë ngjarja u regjistrua nga nëna e foshnjës. Eliane Jabbour po udhëtonte nëpër rrethin Baabda, e vetme me djalin 15 muaj Robin kur u ndesh me turmën e protestuesve.

“Unë u thashë atyre: Jam me fëmijë, ju lutem mos bërtisni shumë”, tha ajo për CNN.

Videoja u përhap shpejt në Liban – aq shpejt, tha Jabbour, që burri i saj e pa videon para se ajo t’i tregonte për këtë.