Prekazi u kundërpërgjigjet kritikëve

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll të martën në mbrëmje ka pësuar humbje në përballje me Shqipërinë, sfidë kjo që u zhvillua në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Askush nuk kishte besuar se ajo humbje do të bëjë aq shumë zhurmë dhe nuk do të pritet aspak mirë në opinionin kosovar, shkruan Zëri.info.

Analistët nuk i kursyen kritikat në adresë të përzgjedhësit Rafet Prekazit, derisa e akuzuan se nuk po u jep shumë hapësirë futbollistëve të Superligës.

Numri një i Kosovës U21, Rafet Prekazi, në një bisedë për gazetën “Zëri” është ndier i befasuar nga ky shpërthim i analistëve, derisa ka thënë se vazhdon të bëjë punën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se lojtarët e Superligës gjithmonë do të jenë nën vëzhgimin e tij

“E para, nuk jam trajner që merrem shumë me deklaratat e të tjerëve dhe fokusi im është te puna e te rezultatet dhe që po besoj se ato tash për tash nuk janë duke na munguar. Sigurisht që nuk jam trajner i cili nuk gabon, por ju garantoj se kurrë nuk gaboj me qëllim. Kritikat janë të mirëseardhura, por ato duhet të jenë konstruktive”, ka thënë në fillim të bisedës trajneri i Përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi, duke shtuar se gjithmonë ai edhe në të kaluarën, edhe tani vazhdon t’u besojë lojtarëve të Superligës.

“Nëse dikush më thotë se nuk kam besim te lojtarët e Superligës gabon shumë. Askush më shumë sesa unë nuk u ka dhënë hapësira futbollistëve të Superligës. Nëse dikush del nga këta analistët dhe më thotë se ky futbollist i Superligës e meriton të ftohet dhe unë nuk e kam ftuar do ta kisha mirëpritur.

E kam thirrur Blendi Baftiun tash e një kohë, e kam ftuar së fundmi edhe Arbër Hoxhën pasi ka treguar formë shumë të mirë te Ballkani në Superligë. Është keq, por shikoni klubet e Superligës, të cilat fare nuk u besojnë lojtarëve të rinj në vijën e fundit të mbrojtjes, derisa vazhdojnë të më kritikojnë pse nuk po i ftoj lojtarët. Pra, kjo nuk është korrekte”, tha për gazetën “Zëri” trajneri mitrovicas./Zëri.info