Tri shfaqje teatrale dhe një balet gjatë kësaj javë në TKK

Shtatori ka rikthyer në skenë trupën rezidente të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky institucion ka bërë publik edhe programin e shfaqjeve që do të jepen gjatë shtatorit, shkuran sot gazeta "Zëri".

Sonte në orën 20:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës jepet shfaqja “Mosmarrëveshja”, tekst i Albert Camus, me regji të Fata Hysenit. Në anën tjetër të martën dhe të mërkurën në skenën e TKK-së prezantohet shfaqja “Sfinga e gjallë”, tekst i Rexhep Qosjës, me regji të Blerta Nezirajt.

Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës ditën e enjte si gjithmonë është e rezervuar për Trupën Kombëtare të Baletit. Këtë të enjte aty do të shfaqet baleti “Andërr”. Koreograf  i kësaj shfaqje është balerini i kësaj trupe, Kreshnik Musolli.

Të premten dhe të shtunën në orën 20:00 jepet shfaqja “Bryma e vdekjes” me regji të Burbuqe Berishës. Tekstin e kësaj shfaqje, që  u dha premierë në 20-vjetorin e eksodit të kosovarëve për në Bllacë e ka bërë Milazim Krasniqi. Shfaqja flet pikërisht për këtë përjetim të shoqërisë kosovare. Zëri