Pacolli priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim lamtumirës, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connel.
Pacolli përmes një postimi në facebook ka shkruar se ka falënderuar O’Connell për kontributin e tij.
“Sot prita në takim lamtumirës, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Ruairi O’Connell. E falënderova Ambasadorin për kontributin e tij të veçantë në thellimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar ai.
I pari i diplomacisë kosovare ka shtuar se ka siguruar ambasadorin se Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët.
“Ambasadorin e sigurova se Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë. Ambasadori O’Connell, do të mbetet gjithnjë një mik i madh i Republikës së Kosovës, i cili do të na mungojë të gjithëve”, ka shkruar ai.