“Unë e përdhunuara” përmes letërsisë te perspektiva socialo-psikologjike

 

Ballsor Hoxha

Libri “Unë e përdhunuara”i autores Ramize Murtezi-Shala është krejtësisht i zakonshëm në gjuhën, kompozicionin dhe ligjërimin e tij. Në të vërtetë libri “Unë e përdhunuara” nuk është menduar si art, por si mundësi e arritje dhe amalgamim të shtresës së shoqërisë për të cilët bën fjalë.

Libri “Unë e përdhunuara” është tendencioz dhe arritës, ose thënë më saktë tenton me qëllim t’i arrijë personat e prekur nga fenomeni i agresionit të cilin e trajton. Ky libër nuk mund as të vlerësohet dhe as të anashkalohet, është edhe art por edhe psikologji, edhe sociologji që në të vërtetë ndërton. Ky libër ndërton në vazhdimësi dhe në mundësi e që është fuqizimi që kalon prej viktimave të luftës e deri te personat aktualë të prekur nga po i njëjti agresion dhe abuzim, seksual dhe të dhunës, por tanimë pas luftës dhe në mesin e shoqërisë tonë dhe me gjerë.

Por nëse ky libër ka shtresën e ligjërimit dhe të ndërtimit të ngjarjes në nivelin e thjeshtëzuar, ai nuk është as përpjekje dhe as ndërtim i cili ka për cak fushën e interesit të letërsisë. Në të vërtetë ai përmes letërsisë ka për qëllim arritjen e një mase të pjesëtarëve të shoqërisë sonë, të cilët kanë mbetur peng i luftës dhe peng i shoqërisë sonë. Ai në të vërtetë përmes ligjërimit në zhanrin letrar kap dhe mundëson dialogimin e këtyre viktimave edhe në nivelin e imagjinatës e edhe në nivelin e perspektivës sociologjiko-psikologjike të viktimave të kësaj lufte çnjerëzore përmes dhunimit dhe agresionit seksual ndëretnik dhe më tutje. Kjo kapje zhvillohet përmes letërsisë në atë mënyrë që i ndërton viktimës mundësi të zhvillojë dialogun e tij/saj me këtë libër dhe me ngjarjen brenda librit “Unë e përdhunuara” në intimitet krejtësisht të pavarur nga rrethanat.

Në të vërtetë pikërisht këtu shpërfaqet mençuria e këtij libri (dhe autores sidomos, megjithëse metodë e përdorur edhe më gjerë), e që është: lejimi dhe ndërtimi i këtij lejimi të kalimit të romanit prej nivelit artistik dhe imagjinar në nivelin sociologjiko-psikologjik. Dhe kjo bëhet përmes kalimit të të vërtetës së punës së asociacioneve për viktimat e luftës së bashku me viktimat edhe në nivel të imagjinares artistike dhe edhe në nivel të sociologjisë dhe të psikologjisë.

Ky kalim i ndërtuar nga kjo autore ka edhe mundësinë e dialogimit të lexuesit viktimë me këto përpjekje të këtyre personave tanimë në asociacione në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe edhe mundësinë e të qenit dhe të të interesuarit të viktimave të tjera që të kërkojnë ndihmën.

Sigurisht këto viktima janë të stingamtizuara nga lufta çnjerëzore që i bën këta peng të pazgjidhshëm ndëretnik dhe me këtë krijon kënde të errëta të shoqërisë, me ç’rast stigma e tyre ka qenë dhe është e paramenduar dhe gjithashtu edhe pamundësia e kujdesit të dhe ndaj tyre ose edhe e kërkimit të kujdesit dhe të përpjekjeve sociologjike që të tejkalohen këto probleme.

Romani në tërësinë e tij është menduar si një ndërtim: prej tunelit të stigmës së pashqitshme që pamundëson çfarëdo përpjekje për tejkalim të dhembjes e deri te ndërtimi i asociacionit në ndërveprim me viktimat e etura për jetë, ku arrihet amalgama e plotë ndërmjet të dy palëve.

Ndoshta libri “Unë e përdhunuara” si ndërtim mund të duket i padrejtë ndaj psikologëve, të cilët kanë punuar në këtë të vërtetë dhe pasi është ndërtuar si roman artistik, mirëpo këtu është pikërisht arritja dhe tendenca e lënë e hapur dhe e lehtë për t’u kapur për secilin se: ka zgjidhje për këto viktima.

Trajtimi i librit si proces

Çështja e ndërtimit të librit “Unë e përdhunuara” si amalgamë dhe mundësi është në trajtimin i masës së shoqërisë që përballet direkt me këtë luftë tejet të dhembshme edhe në përballje me dhembjen post traumatike dhe të pasluftës e edhe si regres në të kaluarën, por më me rëndësi - që personat viktima të kësaj lufte me ndjeshmërinë e dhembjes së tyre në të vërtetë duke qenë të kurthuar nga dhembja akute vazhdimisht kurthohen dhe kurthojnë të ardhmen në tërë gjerësinë e kësaj shoqërie duke i lënë po të njëjtit peng të të kaluarës. Mirëpo përpjekja e zgjedhur si romani “Unë e përdhunuara” është vazhdimësi e pandalshme në mundësimin më të lehtë të tejkalimit, kërkimit të mundësisë dhe kujdesit e që në arritjen më gjithëpërfshirëse të dhe në ndërtimin e besueshmërisë më të thellë të saj ndërton një strehë, e cila mund të kalojë si zhvillim psikologjik në të gjitha kahet e mundshme si një ndërmarrje krejtësisht gjithëpërfshirëse dhe që do të mundë të përfshinte masën e shoqërisë: prej këtyre viktimave e deri te viktimat e sotshme të dhunës seksuale. Por aq më shumë që do të mundësonte përmes psikologëve edhe kalimin e urrejtjes së kompleksuar në këto viktima ndërmjet etnive.

Në të vërtetë përpjekja e romanit “Unë e përdhunuara” parashtruar më thjesht, është strukturë e një inercioni krejtësisht të vetëdijshëm dhe të organizimit të reagimit si:

Arritja e viktimave përmes romanit

Masa e shoqërisë në raport akut me këtë dhembje e vënë përballë stigmës

Ndërtimi i një strehe për të gjitha këto viktima

Si rrjedhojë mundësimin e gjithëpërfshirjes së kësaj mase të shoqërisë brenda kësaj strehe

Por edhe të shtruarjes së rrugës së dialogimit me urrejtjen dhe anën tjetër të kësaj urrejtjeje

Në të vërtetë stigma dhe kurthimi me inercion i kësaj mase të shoqërisë vjen, edhe pse në mënyrë periferike, nga ana tjetër e urrejtjes e që janë serbët si përgjithësim i dhunuesve direkt dhe me këtë nuk lejon zgjidhjen, mundësimin, ndërtimin dhe kalimin e strehës në përkrahje dhe udhëzim të këtyre dhembjeve.

Romani “Unë e përdhunuara” megjithëse nuk e hapë këtë çështje ai është edhe fuqizim i shoqërisë për të kërkuar këtë hap dhe për të menduar mundësinë e çlirimit të kësaj stigme, gjë që do të zbuste dhe ndoshta edhe do të zgjidhte inercionin e rrethit vicioz të kurthimit si akut po ashtu edhe të të ardhmes.

Sigurisht romani “Unë e përdhunuara” ka qenë proces i dhembshëm dhe i zhvilluar në realitet, siç edhe ceket në vetë këtë libër, proces i cili as nuk ka filluar dhe as nuk mbaron me këtë roman, por në të vërtetë kërkon edhe diskutimin e mundësive të tij ose edhe të parashtruar nga ky edhe nga pjesëtarë të thjeshtë të shoqërisë e edhe pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të kësaj dhembjeje. Mirëpo ajo që duhet të mendohet është në të vërtetë edhe gjëja më e rëndë dhe më e rëndësishme – kalimi i këtyre viktimave tutje urrejtjes në bashkëpunim me pjesëtarët e komunitetit serb. Gjë që arrin të zgjidhë kurthimin dhe akutizimin e kësaj dhembjeje.