Pas 18 vitesh dhe 616 paraqitjeve, Daniele De Rossi largohet me lot në sy nga Roma

Roma e ka mposhtur Parman me rezultat të ngushtë 2:1 në "Stadio Olimpico" të dielën për ta përfunduar këtë edicion në vendin e gjashtë në Serie A.

Kjo ndeshje ishte e veçantë për kapitenin Daniele De Rossi, i cili sonte e bëri paraqitjen e tij të fundit për klubin romak, shkruan Zëri.info.

Lorenzo Pellegrini ia dha Romës epërsinë në pjesën e parë, derisa Gervinho barazoi më pas shifrat. 

Golin e fitores për skuadrën nga kryeqyteti e shënoi Diego Perotti.

Megjithatë, vëmendja më e madhe në këtë ndeshje ishte te De Rossi.

Vendimi i Romës për t'i mos ofruar kontratë të re De Rossit kishte hasur në pakënaqësitë e tifozëve, por të cilët ishin mbledhur sot për t'i dhënë lamtumirën e fundit futbollistit që u paraqitë 616 herë me fanellën romake.

Ndryshe, Roma në edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Evropës./Zëri.info