Sindikata e punëtorëve të RTK-së paditë bordin, kundërshtojnë emërimin e drejtorit

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi kundër vendimit të Bordit për zgjedhjen e drejtorit gjeneral të RTK-së, thuhet në një njoftim të lëshuar për medie.

Sipas këtij njoftimi, SPRTK e konteston ligjshmërinë e këtij vendimi të Bordit të RTK-së, duke u bazuar në faktin se janë shkelur rregullat procedurale, respektivisht nuk është respektuar dispozita e nenit 32, paragrafi 3 të ligjit të RTK-së, Nr.04/L-046, e cila e përcakton qartë se drejtori i përgjithshëm emërohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.

“Duke pasur parasysh rolin tejet të rëndësishëm të RTK-së në informimin e qytetarëve, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar një kualitet më të lartë të votës për zgjedhjen e drejtorit gjeneral të saj, dhe asnjë Bord nuk ka të drejtë ta ndryshojë kërkesën ligjore të Kuvendit për shumicën e kualifikuar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Sindikata e RTK-së pret nga Gjykata që rastin ta trajtoj me prioritet.“Ne presim nga Gjykata që rastin ta trajtojë me prioritet për faktin se kemi të bëjmë me pozitën më të lartë udhëheqëse të Transmetuesit të vetëm Publik në vend, influenca e të cilit në opinionin publik është e lartë. Përvec kësaj, drejtori gjeneral i RTK-së është përgjegjësi kryesor për menxhimin e rreth 15 milionë eurove të buxhetit vjetor të RTK-së, mjete këto të grumbulluara kryesisht nga taksat e qytetarëve të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

SPRTK, poashtu kërkon nga drejtuesit e RTK-së, që deri në vendimin e Gjykatës të përmbahen nga procedimi i konkurseve të reja dhe çdo lloj veprimi tjeter që do të mund të ketë pasoja të pariparueshme dhe shumfishë më të mëdha për Transmetuesin Publik.

Në ditët në vijim, Sindikata paralajmëron se do të ushtrojë kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët sipas tyre e kanë miratuar këtë vendim të kundërligjshëm.