Da Vinçi kujtohet në Itali

 

Këtë vit shënohet 500-vjetori i vdekjes së piktorit italian Leonardo da Vinçi, i quajtur ndryshe babai i paleontologjisë, i iknologjisë, i arkitekturës dhe ai konsiderohet gjerësisht si njëri nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Da Vinçi njihet kryesisht si piktor. “Mona Lisa” është vepra më e famshme dhe portreti më i parodizuar dhe “Darka e Fundit” është piktura më e riprodhuar e të gjitha kohërave.

Në 500-vjetorin e vdekjes së tij qeveria italiane ka programuar 500 ngjarje përgjatë gjithë këtij viti e njëra prej të cilave është hapja në muzeun “Scuderie del Quirinale”, pranë selisë së Presidencës italiane, e ekspozitës me titull “Leonardo da Vinçi” – “Shkenca para të gjitha shkencave”.

Mbi 200 dorëshkrime, skica, dokumente origjinale, makete arkitekture, piktura, fotografi mes të cilave edhe i vetmi libër me shënimet origjinale të Leoardos, rrëfejnë në këtë ekspozitë veprën e Leonardo da Vinçit në kontestin kulturor e artistik që ka karakterizuar epokën e ’400-’500 në Itali.

Ekspozita e ndarë në 10 pavijone eksploron temat kryesore të veprës së Leonardo da Vinçit, mendimit të tij teknik e humanistik të formuar në Toskanë e që shfaqet përmes skicave të shpikjeve të makinave të mëdha në zhvillimin e ndërtimit, në artin e luftës, në studimin e anatomisë së zogjve e teknikat e fluturimit të makinave, që paraprinë idenë e avionëve të parë, projektet arkitektonike mbi qytetet ideale e deri te biblioteka private e Leonardo da Vinçit, mes të cilave edhe një libër kuzhine.

Në këtë ekspozitë për herë të parë për publikun roman ekspozohen 10 skica origjinale të Leonardos që i përkasin Kodikut të Atlantikut të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane.

Përmes ndërtimit të kontestit kulturor të kohës, ndikimit nga disiplina të ndryshme e përshkrimit të aftësive teknike e shkencore të Leonardos kjo ekspozitë ka ofruar një vizion më të gjerë e të plotë të figurës së këtij gjeniu.

Miti modern i Leonardo da Vinçit befason edhe sot 500 vjet nga vdekja e tij.

“Leonardo da Vinçi na bën të jemi krenarë si italianë. Do të jetë një festë që do të zgjasë gjatë gjithë vitit, një rast më shumë për të vlerësuar Italinë e Leonardon tonë”, u shpreh pak ditë më parë gjatë prezantimit të vitit të Da Vinçit kryeministri italian Giusepe Conte”.

Kjo ekspozitë shfaq aspektet realisht unike e inovative të punës së Leonardo da Vinçit e sensin e trashëgimisë së ideve të tij përballë modernizimit.

Fushat e interesit të Da Vinçit përfshinin shpikje, vizatim, pikturë, skulpturë, arkitekturë, shkencë, muzikë, matematikë, inxhinieri, letërsi, anatomia, gjeologji, astronomi, botanikë, shkrim, histori dhe kartografi.