Mbyllet Këshillimorja e Fëmijëve, akuza për favorizim të një ordinance private

Këshillimorja e Fëmijëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, në të cilën nënat i ushqenin foshnjat dhe merrnin këshilla nga mjekët për rritjen e tyre, është mbyllur më 3 janar 2019 pas një vendimi të Inspektoratit të Shëndetësisë në Kosovë. Megjithatë, ky vendim i Inspektoratit po konsiderohet të ketë qenë i ndikuar, shkruan gazeta "Zëri".

Drejtues të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë akuzojnë ish-shefen e Pediatrisë në QKMF, Hamide Latifaj, të ketë ndikuar në mbylljen e Këshillimores, pasi ajo punon edhe në klinikën e saj private dhe Këshillimorja ia ka vështirësuar punën asaj në ordinancë private.

Gazeta “Zëri” ka provuar që për këtë çështje ta kontaktojë edhe Latifajn, por ajo nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.

LEXO EDHE: S’ka zgjedhje, veç sondazhe

Ndërsa personeli shëndetësor në këtë Qendër Mjekësore e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ekzistimin e kësaj këshillimoreje.

Ndonëse Këshillimorja për Fëmijë tashmë qe gjashtë ditë është mbyllur, në hyrje të objektit, ku është edhe Pediatria, ende është e vendosur tabela “Kati 1 Këshillimorja për fëmijë”.

Me të hyrë në pjesën e Pediatrisë për pacientët nuk ka asnjë lajmërim se Këshillimorja është mbyllur. 

Drejtoresha e QKMF-së: Ish-shefja e Pediatrisë kërkoi të mbyllet Këshillimorja e Fëmijëve

Drejtoresha e Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sadete Hadri, ka thënë për “Zërin” se mbyllja e Këshillimores ka ardhur pas urdhëresës së kryeinspektores së Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës, Ardita Baraku, të cilën e kanë pranuar përmes e-malit më datën 12 dhjetor të vitit 2018.

Hadri ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka mbështetur që ta mbajnë në funksion Këshillimoren për Fëmijë edhe për një kohë të caktuar. “Pavarësisht faktit se jemi shumë të ndërgjegjshëm për funksionin e Këshillimores dhe arsyeshmërinë e ekzistimit të saj, të paktën edhe për një kohë, derisa kemi të punësuar një numër të madh mjekësh pediatër nuk kemi gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e nevojshme në Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht në Inspektoratin Shëndetësor, që edhe më tutje ta mbajmë në funksion sikur deri më tani këtë shërbim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, për këtë çështje për gati gjashtë muaj ata janë munduar të gjejnë një zgjidhje të ndërmjetme, por këtë gjë nuk e ka mirëpritur ish-shefja e Pediatrisë, Hamide Latifaj.

Hadri ka thënë se kjo mënyrë e punës në QKMF Latifajt ia ka vështirësuar punën në ordinancën e saj private. “Kjo zgjidhje e ndërmjetme ka qenë e mirëpritur nga të gjithë në Njësinë e Pediatrisë, përveç ish-shefes së Njësisë Hamide Latifaj, e cila për shkaqe subjektive ka kontestuar këtë zgjidhje, ani pse e njëjta zgjidhje nuk e ka penguar derisa ishte shefe e Njësisë. Ajo ka ushtruar ankesë në MSH për këtë mënyrë të punës, që ia ka vështirësuar punën në praktikën private, duke u thirrur në zbatimin e konceptit të Mjekësisë Familjare, që ajo e mbështet më pak se kushdo tjetër. Fatkeqësisht, për shkak të ankesës së saj dhe për arsye që mund t’i sqarojnë zyrtarët e Inspektoratit Shëndetësor kjo zgjidhje e ndërmjetme nuk na është miratuar dhe ne kemi qenë të detyruar t’i bëjmë ndryshimet e përmendura në përputhje me Udhëzimin Administrativ të muajit gusht të vitit 2017”, ka thënë ajo.

Hadri: Vendimin për mbylljen e Këshillimores e kemi diskutuar me personelin

Personeli mjekësor në Njësinë e Pediatrisë në QKMF dy ditë më parë ka thënë për “Zërin” se nuk kanë qenë të informuar se Këshillimorja e Fëmijëve në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare do të mbyllet.  Megjithatë drejtoresha e QKMF-së, Sadete Hadri, ka thënë për gazetën “Zëri” se vendimin për mbylljen e Këshillimores e kishin diskutuar paraprakisht me personelin mjekësor. Sipas saj, ata do ta kenë mbështetjen e stafit mjekësor për ndryshimet që bëhen në këtë Qendër. “Ani pse një vendim i tillë do të reflektohet në organizimin e gjithmbarshëm të punës në Njësinë e Pediatrisë, ne kemi mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të stafit për ndryshimet, që duhet të bëhen në zbatim të urdhëresës së Inspektoratit Shëndetësor”, ka thënë ajo.

Hadri ka folur edhe për shërbimet që tashmë do t’i marrin foshnjat me rastin e mbylljen së Këshillimores.  “Natyrisht pacientët tanë të vegjël nuk do të privohen nga asnjë shërbim që kanë marrë deri më tani, por ato do të mundë t’i marrin nga mjekët familjarë të qendrave më të afërta të Mjekësisë Familjare, aty ku marrin kujdesin shëndetësor edhe familjarët e tyre më të rritur. Në rast të nevojës fëmijët do të mundë të referohen për këshillim shtesë pediatrik te pediatri në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) përkatëse ose në QMF-në më të afërt”, ka thënë ajo.

S’ka këshillimore as në QKUK

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se as në këtë klinikë nuk ka këshillimore për fëmijë. Sipas tij, është zyra ambulatore e kësaj klinike në të cilën pacientët kontrollohen, si dhe prindërit marrin këshilla për rritjen e fëmijëve. “Çdo ditë informohen prindërit me termin e caktuar. Nënat çdo tri orë ose çdo moment kanë të drejtë të marrin informata për foshnjat. Ne e kemi vetëm zyrën ambulatore, vetëm ambulancën ku bëhet kontrolli dhe çdo prind që vjen aty këshillohet në lidhje me ushqyerjen me gji, për kohën e vaksinimit, si dhe bëhet matja e foshnjave, po ashtu edhe përgatiten nënat se si t’i rrisin foshnjat”, ka thënë ai.

S’ka këshillimore për fëmijë, por ka këshillimore për nënat

Ndonëse është mbyllur Këshillimorja e Fëmijëve në QKMF, në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë këshillimoret për nënat.

Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e fondacionit “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, ka thënë për “Zërin” se në Kosovë janë 10 klasa për nënat, në të cilat ato këshillohen për rritjen e fëmijëve. “Në Kosovë janë 10 klasa për nëna, që ne vetë i kemi themeluar dhe i monitorojmë në baza ditore. Ndërsa Qendra për Mirëqenien e Gruas është në QKMF dhe aty munden të shkojnë gratë e të marrin informata për gjidhënien dhe si t’i rrisin fëmijët”, ka thënë ajo.

Aliu ka treguar për këshillat që u ofrohen grave gjatë shtatzënësisë, si dhe pas lindjes. “Organizohen grupet e grave shtatzëna para lindjes, ku këshillohen për ushqyerjen gjatë shtatzënësisë, për përgatitjen fizike dhe psikike për sallë të lindjes, për torbën e lindjes etj. Për periudhën pas lindjes ofrohen këshillat për gjidhënie, për ushqyerje, për kujdes ndaj foshnjës, si dhe tema tjera”, ka shtuar ajo./ZERI/