S’ka zgjedhje, veç sondazhe

Aktuale January 09, 2019 - 08:03
Lexo Detajet
Image

Partitë politike po vazhdojnë t’i matin fuqitë e tyre përmes sondazheve, pavarësisht se zgjedhjet nuk po duken afër. Partitë e koalicionit qeverisës shprehen të bindura se qeveria “Haradinaj” do ta çojë mandatin deri në fund, kurse opozita shpreson që vendi të shkojë së shpejti në zgjedhje të parakohshme, shkruan gazeta "Zëri".

Partitë politike kohë pas kohe po organizojnë sondazhe për të matur mbështetjen që kanë nga qytetarët, pavarësisht se gjasat që të ketë zgjedhje në një të ardhme të afërt janë minimale. Para disa ditëve Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar rezultatet e një sondazhi të realizuar së fundmi, ku partia me përkrahjen më të madhe qytetare ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse kandidati me përkrahjen më të madhe për kryeministër nga ky sondazh ka dalë të jetë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurtin.

LEXO EDHE: Mogherini kërkon heqjen e taksës, ekipi refuzon

LDK-ja dhe Vetëvendosja shpresojnë që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por sipas analistëve, përfshirja e Partisë Socialdemokrate në ekipin për dialogun me Serbinë ka zvogëluar gjasat për zgjedhje të parakohshme. 

AAK: Qeveria është e qëndrueshme, nuk do të ketë zgjedhje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se nuk priten zgjedhje parlamentare pa e përfunduar mandatin qeveria aktuale. Sipas tij, partitë politike të cilat po thirren në zgjedhje qëllim i kanë fushatat e propagandat që të dalin mirë para votuesve të tyre. “Qeveria vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe thjesht opozita nuk ka numra për ta rrëzuar Qeverinë. Përderisa nuk ka numra, atëherë nuk e kanë as seriozisht që ta rrëzojnë sepse e dimë që kjo nuk ndodh, por për shkak të elektoratit të tyre më shumë po bëjnë një lloj fushate e propagande, duke u munduar të fitojnë poenë te votuesit e tyre”, ka deklaruar ai.

 Selmanaj ka thënë se sondazhet që po bëjnë partitë politike do të merreshin më seriozisht kur shifrat të jenë më të vërteta, siç thotë ai “të përputheshin me realitetin”. “Sondazhet që i bëjnë partitë politike janë normale sepse secila parti politike është e interesuar ta përcjellë besueshmërinë që mund ta ketë në kohë të caktuar, por do të ishte mirë që këto sondazhe të ishin reale dhe jo të nxirrnim sondazhe që nuk kanë të bëjnë me realitetin”, është shprehur ai.

 Selmanaj shtoi se pas taksës 100% për produktet serbe, pas formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe pas performancës së mirë të qeverisë “Haradinaj” do të ndikonte në të mirë të AAK-së në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje.

 PDK: 2019-a mund të jetë vit i zgjedhjeve

Për Partinë Demokratike të Kosovës momentalisht koalicioni aktual qeverisës është i qëndrueshëm, megjithatë deputeti i kësaj partie Hajdar Beqa nuk e ka mohuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje gjatë këtij viti. “Se a do të ketë zgjedhje varet prej rrethanave politike që do të shtjellohen këtë vit dhe nuk besoj se mundet dikush t’i analizojë që nga tash. Momentalisht është një koalicion i qëndrueshëm dhe nuk ka ndonjë vakuum ku mund të flitet për zgjedhje në këtë kohë”, ka deklaruar Beqa për gazetën “Zëri”.

 Ai po ashtu ka thënë se secila parti bën sondazhe për ta parë se ku qëndron në raport me preferencat e qytetarëve, mirëpo partitë në Kosovë i montojnë këto sondazhe që të dalin të parat. Beqa ka thënë se sondazhet e opozitës nuk e frikësojnë aspak Partinë Demokratike, duke thënë se PDK-ja është e gatshme të hyjë në zgjedhje. “Konsideroj që nëse do të shkonim në zgjedhje Partia Demokratike do të ketë një pozitë më serioze dhe do të ishim partia e parë. Jam shumë optimist se do të dalim partia e parë, ku PDK-ja do ta ketë kryeministrin dhe ai do të jetë Kadri Veseli”, ka thënë Beqa.

Vetëvendosja shpreson në zgjedhje të parakohshme

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se sondazhi i fundit i realizuar nga kjo parti është profesional. Deputeti i LVV-së Ismail Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se sondazhet nuk u paraprijnë zgjedhjeve, pavarësisht se i dëshirojnë ato. “Sondazhet janë matje e disponimit të qytetarëve dhe për dallim nga subjektet tjera, të cilat shpesh paguajnë kompani që sondazhet t’i bëjnë sipas dëshirave të tyre, ne kemi bërë një sondazh real në mënyrë që të mos e mashtrojmë as vetveten e as të tjerët. Ne nuk jemi të kënaqur me pozitën e dytë sepse në zgjedhjet e kaluara kemi qenë në pozitën e parë dhe do të punojmë maksimalisht që të bëhemi të parët, por ky është realiteti sot na pëlqeu ose jo, LDK-ja është e para, ne jemi të dytët”, deklaroi Kurteshi.

Ai më tej ka thënë se presin të ketë zgjedhje të parakohshme, të cilat do t’ia këpusnin mandatin qeverisë aktuale, vetëm qeveri e shumicës nuk mund të quhet. “Edhe mendojmë, edhe dëshirojmë që të ketë zgjedhje sa më parë, sepse konsiderojmë se qeveria aktuale së pari nuk është mazhorancë sepse nuk i ka numrat e duhur dhe nuk mund të funksionojë më gjatë me mungesë të theksuar të numrave në Kuvend, sepse numrat janë shumë të rëndësishëm për funksionimin e një qeverie”, ka thënë ai.

Tahiri: Qeveria nuk rrëzohet pa u miratuar marrëveshja finale me Serbinë

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk ka vullnet politik për rrëzimin e Qeverisë dhe për shkuarjen në zgjedhje pa u miratuar edhe marrëveshja finale në dialogun mes Kosovës e Serbisë. “Nuk ka vullnet politik për zgjedhje, vetëm po deklarohen, por praktikisht nuk i duan ato. Së paku nuk shihet që vendi ka ndonjë disponim që para se të kryhet punë me Serbinë të shkojë në zgjedhje. Përveç deklaratave askush nuk ka nisur asnjë iniciativë”, deklaroi ai.

 Tahiri më tej ka thënë se partitë organizojnë sondazhe për t’i matur fuqinë e tyre dhe për të parë se ku duhet të punojnë për të marrë më shumë mbështetje qytetare. “Mirëpo këto ndonjëherë bëhen për të ndikuar në opinion, domethënë i rrisin disa parametra për të ndikuar që qytetarët të shkojnë me fituesin ose me partinë që dihet se do të ketë më shumë vota, duke marrë parasysh që pushteti është i leverdishëm”, theksoi Tahiri.