193 milionë euro për asfalt

Në projektbuxhetin e vitit 2019 për infrastrukturë rrugore janë paraparë të shpenzohen 193 milionë euro dhe nga kjo shumë vetëm për ndërtim të autostradave të reja janë paraparë të harxhohen 78 milionë euro. Sipas projektbuxhetit, që po kontestohet nga opozita, të hyrat gjatë vitit 2019 janë parashikuar të jenë 1 miliard e 949 milionë euro, ndërsa shpenzimet 2 miliardë e 365 milionë euro, shkruan sot gazeta "Zëri".

Hiç më pak se 193 milionë euro janë paraparë të shpenzohen gjatë vitit 2019 vetëm për ndërtim të rrugëve të reja dhe të atyre që kanë nisur nga vitet e kaluara, siç është ndërtimi i autostradës e cila lidh Prishtinën me Shkupin, si dhe autostradës së re e cila lidh Gjilanin me Konçulin.

Në projektbuxhetin e vitit 2019, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” e i cili po kontestohet ashpër nga paritë opozitare në Kuvendin e Kosovës, shihet se nga shuma prej 193 milionë eurosh vetëm për ndërtim të autostradave janë paraparë të shpenzohen 78 milionë euro dhe vlera prej 38 milionë eurosh do të financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa prej 40 milionë eurosh nga mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). 

LEXO EDHE: Deponia e mbeturinave, rrezik për ndotje të ujit të pijes

Më tutje, në projektbuxhetin e vitit 2019 thuhet se për projektin “Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale Prishtinë - Mitrovicë” gjatë vitit 2019 janë paraparë të shpenzohen 23 milionë euro nga huamarrja, si dhe 3.1 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Po ashtu edhe për projektin tjetër “Zgjerimi i rrugës Komoran – Drenas - Skenderaj” sipas projektbuxhetit gjatë vitit që vjen janë paraparë të shpenzohen 3.5 milionë euro para të buxhetit të Kosovës, si dhe 5.5 milionë euro të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Edhe për projektin tjetër “Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë” nga buxheti i Kosovës janë paraparë të shpenzohen 3 milionë euro, ndërsa nga AKP-ja edhe 5 milionë euro të tjera. Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet se për realizimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës rajonale Zhur - Dragash – Brod” vetëm gjatë vitit 2019 janë paraparë të shpenzohen 1.4 milion euro.

700 mijë euro për ndriçim të autostradës

Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet se vetëm për riparim të ndriçimit të autostradës Morinë - Merdare, i cili është vjedhur dhe është shkatërruar nga persona të papërgjegjshëm. gjatë vitit që vjen janë paraparë të shpenzohen hiç më pak se 700 mijë euro. Më tutje shihet se për mirëmbajtjen e rrugëve në nivel të vendit gjatë vitit që vjen janë paraparë të shpenzohen 7.9 milionë euro. Po ashtu edhe për mirëmbajtjen e autostradës Morinë -  Merdare sipas projektbuxhetit janë paraparë të shpenzohen 3 milionë euro, ndërsa për mirëmbajtjen e autostradës tjetër  Prishtinë - Hani i Elezit janë paraparë të shpenzohen edhe1 milion euro të tjera.

 Policia, 1 milion euro për projektin e mirëbesimit

Më tutje në projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2019 shihet se gjatë vitit që vjen Policia e Kosovës ka paraparë të shpenzojë 1 milion euro për një projekt të mirëbesimit, si dhe 680 mijë euro tjera për disa blerje tjera besuese, të cilat nuk janë pasqyruar në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2019.

Po ashtu gjatë vitit që vjen, duke u bazuar në të dhënat e prezantuara në projektbuxhet shihet se Policia e Kosovës për pajisje speciale për Departamentin e Njësisë Speciale ka paraparë t’i shpenzojë 595 mijë euro. Po ashtu për blerjen e armëve të gjata për policinë kufitare janë paraparë të shpenzohen edhe 250 mijë euro tjera, ndërsa për ndërtim të objekteve të reja policore janë paraparë të shpenzohen 1 milion euro.

Po ashtu një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 1 milion eurosh do të shpenzohen për blerje të autoblindave, topave të ujit, limuzinave të blinduara dhe të automjeteve speciale të tjera. Po ashtu një shumë e madhe e mjeteve është paraparë të shpenzohen edhe për automjete të transportit dhe për këtë qëllim nga buxhetit i Kosovës janë paraparë të shpenzohen 647 mijë euro, si dhe 1.1 milion euro të hyra nga AKP-ja, ndërsa për pajisje policore janë paraparë të shpenzohen 2.2 milionë euro mjete të ardhura nga AKP-ja, si dhe 386 mijë euro të buxhetit të Kosovës.

1.9 miliard euro të hyra, 2.3 miliardë euro shpenzime

Më tutje në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet se të hyrat e planifikuara gjatë vitit që vjen janë 1.9 miliard euro, ndërsa gjatë këtij viti shpenzimet janë paraparë të jenë 2.3 miliardë euro dhe nevoja për financim të jashtëm është për 426 milionë euro, të cilat parashihen të sigurohen përmes borxhit të jashtëm, si dhe imitimit të letrave me vlerë.

Nga 2.3 miliardë euro shpenzime, sipas projektbuxhetit 616 milionë euro janë paraparë të shpenzohen për paga dhe për mëditje, 337 milionë euro për mallra dhe për shërbime, 609 milionë euro për subvencione dhe transferime, 5 milionë euro rezerva, 770 milionë euro janë paraparë të shpenzohen për realizim të projekteve kapitale në gjithë Kosovën, si dhe 28 milionë euro janë interes për borxhin publik. Gjatë vitit 2019 po ashtu një shumë e konsiderueshme e mjeteve do të shpenzohet për blerje të automjeteve të reja, ndonëse gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit që lamë pas për këtë qëllim janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të mjeteve për blerje, por edhe për marrje me qira të tyre. 

Duke u bazuar në projektbuxhetin e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se Universiteti i Prishtinës për këtë qëllim gjatë vitit që vjen ka paraparë të shpenzojë 82.500 euro. Po ashtu për blerje të veturave të reja gjatë vitit që vjen 50 mijë euro pritet t’i shpenzojë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhet shihet se 35 mijë euro gjatë vitit që vjen për blerje të dy veturave pritet t’i shpenzojë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Edhe Agjencia Kosovare për Krahasim dhe për Verifikim të Pronës gjatë vitit 2019 për vetura të reja do t’i shpenzojë 29.500 euro. Po ashtu 80 mijë euro pritet t’i shpenzojë Komuna e Obiliqit, 50 mijë euro Komuna e Kaçanikut, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës 100 mijë euro, 300 mijë euro vetura për ambasadë, Agjencia për Shërbimet e Navigimit Ajror 105 mijë euro, Avokati i Popullit 48 mijë euro, Komuna e Klinës 50 mijë euro, Dogana e Kosovës 350 mijë euro.

3.6 milionë euro për blerje të ambasadave

Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhetin për vitin 2019 shihet se një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 3.6 milionë eurosh janë paraparë të shpenzohen për blerje të ambasadave në shtete të ndryshme të botës. Nga kjo shumë 2 milionë euro janë të hyra nga AKP-ja, ndërsa pjesa tjetër është nga buxheti i Kosovës. Po ashtu edhe 4.1 milionë euro të tjera për blerje të ambasadave janë paraparë edhe gjatë vitit 2020, si dhe 4.1 milionë euro gjatë vitit 2021.

2.1 milionë euro për automjete taktike 

Po ashtu një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 2.1 milionë eurosh gjatë vitit 2019 janë paraparë të shpenzohen për blerje të automjeteve taktike për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu për blerje të automjeteve të tilla gjatë vitit 2020 është vlerësuar se do të shpenzohen 2.6 milionë euro, ndërsa gjatë vitit 2021 pritet të shpenzohen edhe 3 milionë euro të tjera.