Niset ushtria

Kuvendi i Kosovës i ka miratuar dje në parim tri projektligjet e propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto projektligje kanë bashkuar të gjitha partitë parlamentare, përpos Listës Serbe që e ka bojkotuar seancën, shkruan sot gazeta "Zëri".

Parlamenti i Kosovës dje i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, duke përfshirë edhe përgjegjësinë e mbrojtjes, por pa ndryshuar emrin e saj.

LEXO EDHE: Shqipëria mbështet formimin e ushtrisë së Kosovës
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota pro dhe asnjë kundër, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98 vota pro dhe asnjë kundër, kurse Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota.
Këto projektligje janë mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Listës Serbe.
Shumica e deputetëve po e trajtojnë këtë transformim si hap përpara drejt formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. 

Berisha: FSK-së do t’i ndryshohet emri kur të ketë kushte të favorshme politike

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, prezantoi fillimisht Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilin tha se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes do t’i hartojë dhe do t’i zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik, si dhe do t’i ushtrojë funksionet e kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi”, ka pohuar i pari i Ministrisë së FSK-së.
Berisha ka bërë të ditur se me këtë projektligj parashihet që Forca e Sigurisë të ketë kompetenca të reja në mbrojtjen e territorit të Kosovës, e cila do të jetë e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit. “Është me rëndësi të theksohet se në momentin kur të krijohen kushtet e favorshme politike, vendimmarrëse ne do të vazhdojmë edhe t’i procedojmë ndryshimet kushtetuese, që të ndryshohet edhe emri i FSK-së, ka thënë ai.

Përplasen Haradinaj dhe Haliti

Ndërkohë para se të dilnin në votim tri projektligjet për FSK-në, në Parlament ndodhi një përplasje mes kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, si dhe nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së Xhavit Halitit.

E tëra filloi kur mocioni i LDK-së, që marrëveshjet ndërkombëtare dhe projektligjet për ushtrinë të hyjnë në fillim të rendit të ditës, nuk arriti t’i marrë 61 vota të nevojshme për t’u miratuar. Pikërisht këtu ndodhi përplasja mes nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Halitit me kryeministrin Ramush Haradinajn. “A je në gjumë a çka, a po e sheh që shumë deputetë janë pa kartela”, i ka thënë kryeministri Haradinaj Xhavit Halitit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Halitit. “A jam në gjumë, a ja zgjuar është problem imi. Këqyri punët e tua. As kryeministri nuk ka nevojë me më tregu mua, unë nuk jam argat as i Qeverisë dhe i askujt, unë jam kryesuesi këtu”, ka thënë Haliti.

Në një përpjekje të dytë mocioni i LDK-së arriti të kalonte.

Simiq: Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe jo për militarizim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe gjatë ditës së djeshme kanë lëshuar sallën në shenjë pakënaqësie ndaj shqyrtimit të tri projektligjeve për transformimin e FSK-së. Me këtë rast deputeti i kësaj partie, Igor Simiq, ka vlerësuar se projektligjet e FSK-së janë në kundërshtim me interesat e serbëve të Kosovës.

"Shqiptarëve e serbëve u duhet zhvillim ekonomik e jo militarizim. Ky ligj nuk është vetëm në kundërshtim të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të shqiptarëve. Të rinjtë nuk dalin nga Kosova sepse nuk ekziston ushtria, por ngase nuk ka perspektivë në këtë vend, nuk ka perspektivë ekonomike", ka thënë ai.

Deputeti i Listës Serbe po ashtu bëri të ditur që do ta lirojnë sallën në shenjë pakënaqësie.

"Ushtria nuk do t’i sjellë jetë më të mirë qytetarëve. Ne nuk do të gjuajmë gaz lotsjellës, por do ta lëshojmë seancën, sidomos për shkak se kjo nuk u intereson askujt dhe në veçanti serbëve", ka thënë ai.

Kurti: Kosova të bëjë marrëveshje me Shqipërinë për mbrojtje të përbashkët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është e rëndësishme që vendi t’i ketë forcat e armatosura, por duhet të jenë të qarta disa gjëra. Sipas tij, Kosova duhet të ketë parasysh se Serbia nuk e njeh si shtet, ashtu siç e njohin Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia.

“Shpresoj që dikush nga Qeveria e ka shikuar se çfarë ushtrie ka Serbia. Forcat tona duhet të na mbrojnë nga ai që na sulmon e në këtë rast është Serbia. Para se t’i sillni këto projektligje, a kishte studim për kundërvënie efikase për Serbinë nga Qeveria? Kjo e bën sulmin ndaj kundërshtarit të paleverdishëm. Forcat e Armatosura duhet t’i referohen vendit. Duhet përshtatur zona e njësitë. Kohëzgjatja për formimin e ushtrisë mund të zgjasë deri në 10 vjet e kjo e bën më pak serioze”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me Shqipërinë për mbrojtje të përbashkët.

“Meqë Forca e Armatosur nuk do të jetë si duhet, duhet të bëjmë marrëveshje me Shqipërinë për mbrojtje të përbashkët. Se nëse ndodh lufta institucionet duhet të jenë në nivel të detyrës. Islanda e ka një marrëveshje të tillë. Funksionarët duhet të kenë shkollim profesional. Duhet të kemi oficerë të shkolluar. Asnjë qeveri s’ka pasur program që vajza e djem t’i dërgojnë për studime në akademi të famshme ushtarake”, ka thënë Kurti.
Krerët institucionalë urojnë

Pas kalimit të tri projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri krerët institucionalë kanë uruar qytetarët për këtë proces.
Presidenti Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka përshëndetur këtë hap të Kuvendit.  

“Gjithmonë duke nderuar atdheun dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Bijat dhe bijtë më të mirë të vendit, ushtarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Ndërsa kryeministri Haradinaj ka thënë se me kalimin e këtyre projektligjeve u vulos e drejta e shtetit të Kosovës për ushtri.
 “Me votimin në lexim të parë të Pakos së Ligjeve për FSK-në deputetët e Kuvendit vulosën të drejtën e shtetit tonë sovran për tranzicionin e FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës, ofruese e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe për komunitetet, forcë multietnike e profesionale sipas standardeve të NATO-s”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.
Në anën tjetër edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka uruar pjesëtarët e FSK-së me rastin e miratimit në lexim të parë të Pakos së Ligjeve për FSK-në.

“Si ambasadore kam pritur dhe kam përcjellë dhjetëra delegacione. Askush asnjëherë nuk ka qenë më i përgatitur dhe më në nivel se oficerët e FSK-së. Shumica prej tyre kanë ndjekur shkollat më të mira në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Jetonin, Ilirin, Gencin e shumë e shumë të tjerë me të cilët kam pasur rastin të bashkëpunoj, do t’i kishte lakmi secila ushtri në botë”, ka shkruar ambasadorja Çitaku.

Ajo po ashtu ka falënderuar gjeneralin e FSK-së Rrahman Ramën, për të cilin ka thënë se me pjekuri ruajti bërthamën e FSK-së duke e rritur, duke e kultivuar dhe duke e pasuruar me gjenerata të reja e të përgatitura.
Kuvendi dje ratifikoi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale mes Republikës së Kosovës e Konfederatës së Zvicrës dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Republikës së Kosovës e Mbretërisë së Belgjikës. Po ashtu, me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës është miratuar në lexim të dytë Projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. /ZERI