Kryeziu: E pamundshme që qytetarët të lëvizin këtë vit

Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit ka vlerësuar se qytetarët nuk do të mund të lëvizin lirshëm gjatë këtij viti, edhe nëse vendimi për heqjen e vizave merret gjatë 2018-ës.

“Është e pamundshme që qytetarët të lëvizin këtë vit. Por vendimmarrja të ndodhë këtë vit do të ishte skenari më pozitiv. Afatet për vendimmarrjen, domethënë seancat  plenare janë prej shtatorit, e takimi i këshillit është në tetor dhe dhjetor. Këto janë terminet e dy  institucioneve që përfundimisht vendosin”, është shprehur ai.

Pavarësisht kësaj, Kryeziu ka thënë se data e 29 gushtit, ku liberalizimi do të jetë në agjendën e komitetit LIBE, është mjaft me rëndësi për Kosovën dhe procesin në tërësi.

LEXO EDHE: Ahmetaj: Më 30 gusht do të votohet raporti për vizat

“Ka rëndësi shumë të madhe për ne për të ecur përpara, sepse pa kaluar në LIBE nuk mund të merret mandati për të negociuar me këshill. Ky është hapi i parë prej se e kemi marrë rekomandimin prej komisionit. Por vazhdojnë hapat e radhës, duhet pozicion negociiues në këshill, votim në seancë plenare, votim në nivel ambasadorësh të BE-së dhe në fund votim në këshill. Këto janë hapat e mbetur”, ka deklaruar Kryeziu për “Zërin”. 

Pasi çështja e liberalizimit të kalojë në LIBE, ku edhe do të merret mandati për të negociiuar me Këshill sipas Kryeziut, duhet një pajtim mes tri institucioneve kryesore të BE-së.

“Tash duhet të merret  mandati, pasi që ky mandat nuk ka mundur të merret për të negociuar me Këshill derisa është marrë drita e gjelbër prej komisionit që janë përmbushur të gjitha kriteret. Pastaj pasi të kalon në LIBE, ku merret mandati për të negociuar me këshill, duhet një miratim i pozicionit negociues në këshill, duhet një pajtim mes këshillit, tri institucioneve kryesore, komisionit, parlamentit”, ka theksuar ai./Zeri