Së shpejti hapet në Prishtinë muzeu 'Ibrahim Kodra'

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Fonacionin “Ibrahim Kodra”, me qëllim të themelimit, zhvillimit dhe promovimit të muzeut të artistit “Ibrahim Kodra”, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Komuna do të angazhohet për ta kthyer objektin e ish-bibliotekës se qytetit ‘Hivzi Sulejmani’ në hapësirë kulturore për shfrytëzim si ekspozitë afatgjatë e koleksionit të artistit në fjalë. Do të bëhet projektimi dhe do të kryhen punimet e nevojshme, ashtu që objekti të jetë i përshtatshëm për nevoja të muzeut. Gjithashtu, Komuna do të caktojë kryesuesin e bordit nismëtar për themelimin e muzeut (bord që do të ketë edhe nga dy anëtarë nga të dyja palët), si dhe do të ndihmojë në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” do t’i ofrojë për shfrytëzim pikturat origjinale të autorit për 30 vite, me mundësi vazhdimi, si dhe do të krijojë program edukativ për artin figurativ për fëmijët dhe të rinjtë, të cilin do ta ketë në dispozicion muzeu.

Palët në këtë memorandum janë pajtuar që muzeu “Ibrahim Kodra” të menaxhohet nga Muzeu i Prishtinës.

Kjo iniciativë po mirëpritet nga njohësit e kësaj fushe të artit. Ky do të jetë muzeu i parë që i dedikohet një artisti në kryeqytet. Si i tillë pritet që të tërheqë shumë vizitorë nën ombrellën e vet.

Se themelimin e dy muzeve Komuna e Prishtinës e ka prioritet, e ka thënë për gazetën “Zëri” javë më parë drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Yll Rugova. Përveç muzeut “Ibrahim Kodra”, Rugova është zotuar edhe për një Muze të Artit në kryeqytet.

“Si projekte qenësore, shumë të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin që duhet doemos të zhvillohen në këtë mandat, janë: rigjenerimi i qendrës historike, salla koncertale dhe 2 muzeume të reja për qytetin: Muzeu i Artit (potencialisht në bashkëpunim edhe me Galerinë Kombëtare dhe MRKS) dhe Muzeu “Ibrahim Kodra”. Zhvillimi i i muzeumeve ka rol të veçantë, sepse kryeqyteti i Kosovës është i vetmi në Evropë me vetëm 2 muze aktivë”, ka thënë ai.

Rikujtojmë se Ibrahim Kodra ishte një piktor shqiptar me famë ndërkombëtare. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. Piktori u largua nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork dhe krijon dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poetë e shkrimtarë të ndryshëm.

Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso-n, pikërisht në këtë temë në "Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës", në të cilën të dy së bashku kryen një hulumtim të thellë artistik. Gjatë karrierës së tij Kodra ekspozoi në shumë qendra nëpër botë (Nju Jork, Tokio, Palermo, Shtutgard, etj), duke arritur një sukses të madh. Veprat e tija artistike, të krijuara me ndikime post-kubiste, janë pasuruar me reminishenca të traditës së vendlindjes së tij, Lindjes së afërt, Bizantit, si dhe takimet me kulturat e detit Mesdhe.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

Veprat e tij ekspozohen në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Itali, në muzeun “Ibrahim Kodra” në Lugano të Zvicrës, në galeritë e arteve në Shqipëri e në Kosovë. Zëri