Të gjithë pro zgjedhjeve, GDP-ja kundër

Partitë politike nga pushteti dhe opozita, përpos Grupit të Deputetëve të Pavarur, janë shprehur të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për shkak të vështirësive të funksionimit të koalicionit qeverisës. Vetëm deputetët e ndarë nga lëvizja “Vetëvendosje” (GDP) janë kundër zgjedhjeve e madje janë shprehur të gatshëm edhe ta ndihmojnë Qeverinë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para dy ditësh ka kërkuar nga partitë politike që ta caktojnë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Një kërkese të tillë i është kundërpërgjigjur shumë shpejt kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke thënë se LDK-ja do ta ketë edhe votën e AAK-së nëse njëmend dëshiron zgjedhje.

Opozita megjithatë e ka vlerësuar këtë si dorëzim të shefit të ekzekutivit, teksa janë zotuar edhe një herë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, shkruan më tutje "Zëri".

Derisa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë deklaruar se janë pro rrëzimit të qeverisë, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) kanë bërë të ditur se do ta ndihmojnë Qeverinë pasi nuk ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e partive të tjera të koalicionit qeverisës (PDK, Nisma e AKR) kanë deklaruar se janë të gatshëm kurdo që mbahen zgjedhjet.

Por, sipas tyre, fillimisht duhet të përfundohen edhe disa punë që kanë mbetur e për të cilat ishin zotuar partnerët e koalicionit qeverisës.

Në anën tjetër edhe Lista Serbe, e cila tashmë ka dalë nga Qeveria, ka thënë se pret që vendi të shkojë në zgjedhje.

Rugova: Haradinaj e ka konfirmuar se e ka humbur shumicën

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se kryeministri Ramush Haradinaj e ka konfirmuar pafuqinë e tij për të vazhduar të qëndrojë në krye të ekzekutivit.

“Haradinaj vetëm sa e ka konfirmuar që e ka humbur shumicën e nevojshme parlamentare dhe është dorëzuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Andaj, ai është zotuar se LDK-ja do ta rrëzojë përfundimisht Qeverinë aktuale.

“LDK-ja si partia më e madhe në vend pas tërë këtyre zhvillimeve që goditën shumë imazhin dhe perspektivën për vendin tonë do të bëjë çmos që brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore këtë qeveri ta dërgojë në shtëpi”, ka shtuar ai, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Megjithatë, deputeti i LDK-së u ka bërë apel partive politike të ulen bashkërisht dhe ta caktojnë datën e zgjedhjeve.

Çoçaj: Jemi të gatshëm për zgjedhje, por ato nuk sjellin zgjidhje

Nezir Çoçaj, deputet i PDK-së, partnerit më të madh të koalicionit, ka konsideruar se zgjedhjet nuk paraqesin zgjidhje aktualisht, ndonëse sipas tij PDK-ja është e gatshme kurdoherë të ballafaqohet me zgjedhjet.

“Sa na përket neve, kurdo që mbahen zgjedhjet jemi të gatshëm të shkojmë. Por, zgjedhjet nuk po sjellin zgjidhje me këtë vetëm sa e irritojmë popullin dhe e dëmtojmë buxhetin e shtetit. Përndryshe, asnjë palë zgjedhje nuk kanë rezultuar me zgjidhje”, është shprehur Çoçaj.  

Shala: Kurrë më mirë s’i kemi pasur punët që të shkojmë në zgjedhje

Ndërkohë deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka vlerësuar se opozita e ka për obligim të kërkojë zgjedhje çdoherë.

Sipas tij, qytetarët tashmë janë lodhur duke pasur çdoherë zgjedhje të parakohshme.

“Duhet pritur që të zgjidhen disa probleme që janë dhe pas tyre të shkohet në zgjedhje”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, Shala ka deklaruar se Nisma i ka punët mirë si asnjëherë më parë që të shkojë në zgjedhje.

“Nëse dëshirojnë edhe ata: LDK-ja, AAK-ja e PDK-ja, edhe ne jemi të gatshëm dhe kurrë më mirë nuk i kemi pasur punët se sot që të shkojmë në zgjedhje”, ka theksuar ai.

Makolli: Lufta për zgjedhje s’është në rregull

Kurse sekretari i AKR-së Vesel Makolli ka konsideruar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje.

“Duhet të vihet interesi i shtetit njëherë, pastaj interesi partiak. Unë e di që opozita është për zgjedhje gjithmonë, por besoj që kjo luftë që po bëhet nuk është në rregull, nuk janë duke i respektuar rregullat, por po shikojnë të vijnë me çdo kusht në pushtet. Kjo po i kushton shtetit”, është shprehur Makolli për “Zërin”.

Megjithatë, ai ka thënë se zgjedhjet nuk paraqesin problem për AKR-në.

Por, sipas tij, koalicioni qeverisës do të mundë të funksionojë pavarësisht faktit se tashmë ka rreth 50 numra.

Lista Serbe pret zgjedhjet e parakohshme

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme deputeti i Listës Serbe Igor Simiq ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të ministrave të këtij subjekti politik në Qeverinë e Kosovës.

Simiq ka thënë se LS-ja nuk mund të kthehet në një qeveri të tillë pas rastit të arrestimit të Marko Gjuriqit (shef i Zyrës Serbe për Kosovën).

Madje deputeti i Listës Serbe ka thënë se pret që në Kosovë të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Zgjedhjeve nuk u frikësohemi. I kemi fituar 90 për qind të votave të serbëve në Kosovë dhe nëse shpallen zgjedhjet do të fitojmë edhe më shumë pasi që qytetarët na besojnë”, ka deklaruar Simiq.

Haxhiu: Qeveria “Haradinaj” vetëm dëme i ka sjellë vendit

E deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si joserioze qasjen e LDK-së lidhur me paralajmërimet e fundit për zgjedhje pasi, siç ajo është shprehur, LDK-ja duhet të përcaktohet nëse do zgjedhje apo qeveri teknike.  

Por pavarësisht kësaj Haxhiu ka thënë se LVV-ja mbetet për zgjedhje të parakohshme.

“Qëndrimi i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në këtë drejtim është i qartë, LVV-ja kërkon zgjedhje të parakohshme për faktin se tashmë është e qartë se qeveria ‘Haradinaj’ tashmë është qeveri e brishtë me një mazhorancë jashtëzakonisht të dobësuar”, ka theksuar ajo.

Saliu: GDP-ja do ta ndihmoj Qeverinë, s’duhet të shkohet në zgjedhje

Për dallim prej saj, deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP) Salih Salihu ka konsideruar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje.

“Mendoj që nuk është mirë të shkohet në zgjedhje, është ngarkesë edhe financiare, por edhe për qytetarët. Nuk sjellin ndonjë ndryshim, po shihet që skena politike është pak a shumë ngjashëm”, është shprehur ai.

Ndërkohë, ka bërë të ditur se GDP-ja do ta mbështesë koalicionin qeverisës për kalimin e çështjeve që janë me rëndësi për Kosovën.

“Ne si grup mendojmë ta përkrahin për çështjet që janë të rëndësishme për të mos e lënë keq Qeverinë. Mendoj që edhe LDK-ja duhet ta bëjë”, ka theksuar ai.  

Tahiri: Zgjedhje në qershor ose në tetor

Duke analizuar situatën e fundit, politologu Ramush Tahiri ka konsideruar se zgjedhjet e parakohshme do të mbahet patjetër brenda këtij viti.

“Vendi këtë vit do të shkojë në zgjedhje të parakohshme detyrimisht. Po shkohet në zgjedhje, kemi mbetur pa pozicion, as Qeveria nuk i ka 61 vota e as opozita s’i ka 61 vota”, ka deklaruar ai.

Nëse kryeministri nuk mund ta realizojë programin e vet, duke përfshirë këtu edhe shkarkimin e drejtorit të AKI-së Driton Gashin, sipas Tahirit ai duhet të dorëhiqet përfundimisht.

Ndërkohë, zgjedhjet sipas Tahiri mund të mbahen në qershor apo në tetor të këtij viti.