Paralajmërimet për sulme të merren seriozisht

Pavarësisht njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, e cila bën thirrje për rrezik të shtuar të sulmeve terroriste në Kosovë gjatë festave të Pashkëve Katolike dhe Ortodokse, përkatësisht më 2 dhe 9 prill të këtij viti, institucionet e vendit konsiderojnë se gjendja e sigurisë në Kosovë edhe pas zhvillimeve të fundit është e qëndrueshme dhe e qetë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njësoj kanë deklaruar edhe zyrtarë nga KFOR-i, të cilët janë shprehur të gatshëm të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in. 

LEXO EDHE: Lista e pishmanëve

Në anën tjetër njohës të çështjeve të sigurisë së vendit konsiderojnë që pikërisht komunikata e SHBA-së për Kosovën do të duhej të shërbente që institucionet e vendit të jenë të gatshme për çfarëdo rreziku eventual i cili mund të shfaqet ditëve në vijim, shkruan tutje "Zëri". 

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë paralajmëron për rrezik nga sulmet terroriste  

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar qytetarët për rrezik të shtuar të sulmeve terroriste në Kosovë gjatë festave të Pashkëve Katolike dhe Ortodokse.

Në njoftimin e tyre thuhet se qytetarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes për shkak se ekstremistët përqendrohen në vendet turistike.

“Departamenti i Shtetit dëshiron të paralajmërojë qytetarët amerikanë për rrezikun e shtuar të sulmeve terroriste në Kosovë, veçanërisht gjatë stinëve të festave. Qytetarët amerikanë duhet të tregojnë kujdes në festimet e festës dhe në ngjarjet rreth festimeve katolike dhe ortodokse të Pashkëve. Ekstremistët vazhdojnë të përqendrohen në vendet turistike, në qendrat tregtare, në bare [kafene], në shtëpitë e adhurimit dhe në objektivat e tjera. Ju lutemi të ushtroni vigjilencë shtesë në këto vende dhe vende të ngjashme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. 

Më tej kjo Ambasadë ka dhënë disa udhëzime lidhur me kujdesin që duhet të kenë qytetarët në këto ngjare. Njësoj sikurse edhe më herët, kjo Ambasadë pati paralajmëruar qytetarët për rreziqet nga sulmet pak para vrasjes në Kosovë të politikanit serb Oliver Ivanoviq.  

Delawie reagon lidhur me komunikatën e Ambasadës

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, përmes rrjetit social “Twitter” ka reaguar lidhur me komunikatën e lëshuar nga Ambasada e SHBA-së, e cila u bënte thirrje qytetarëve të vet për mbrojtje nga ndonjë sulm eventual terrorist.

“Alarmi i sigurisë i 27 marsit është lëshuar për rrezikun e shtuar të sulmeve terroriste, veçanërisht gjatë kohës së pushimeve. Ambasada lëshoi një paralajmërim të ngjashëm në të njëjtën kohë në vitin 2017”, shkroi Delawie, duke e lënë të nënkuptohet që një komunikatë e tillë nuk ka të bëjë me situatën e krijuar në vend.
 

KFOR: Situata e sigurisë në Kosovë, e qetë 

KFOR-i edhe pas zhvillimeve të fundit në vend konsideron se situata në Kosovë është e qetë. Ata në një përgjigje dhënë “Zërit” kanë thënë që janë të gatshëm të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe më EULEX-in. 

“Nuk ka asnjë vend që mund të përcaktojë veten plotësisht imun ndaj ndonjë rreziku eventual dhe kjo gjë paraqitet sidomos gjatë sezoneve të festave edhe nëse nuk kemi prova për këtë. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara për ta luftuar këtë fenomen dhe vëmendja e madhe nga autoritetet lokale dhe nga KFOR-i do të kontribuojnë në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it. 

Ndërsa duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë pas ngjarjeve të fundit, KFOR-i konsideron se gjendja është e qetë dhe e qëndrueshme.

“Situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe KFOR-i tashmë shprehu vlerësimin e tij ndaj popullatës për mbajtjen e situatës të qetë dhe jo rritjen e tensioneve. KFOR-i vazhdon të veprojë në mënyrë që të sigurojë një mjedis të sigurt”, thonë zyrtarë nga KFOR-i. 

Po ashtu ata thanë se KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. 

PK: Kemi ndërmarrë masa të veçanta për ditët në vijim 

Në anën tjetër edhe Policia e Kosovës për “Zërin” ka konfirmuar se situata në vend është e qëndrueshme dhe nuk ka ndonjë problem eventual.

“Policia e Kosovës konsideron se situata e sigurisë është e qetë dhe e qëndrueshme, por për ta mbajtur një situatë të tillë edhe gjatë ditëve në vijim dhe posaçërisht gjatë festave të ardhshme PK-ja me planifikim të veçantë ka paraparë ndërmarrjen e masave dhe të veprimeve të nevojshme policore, por kërkohet edhe një përkushtim e vigjilencë e shtuar e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të PK-së.

Ata thanë që do të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre, në mënyrë që të ruajnë qetësinë publike dhe me qëllim të parandalimit të akteve të ndryshme kriminale. 

“Policia e Kosovës sikurse edhe më parë edhe tani përmes angazhimeve të saj do të jetë e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, në parandalimin dhe në luftimin e dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, çka është edhe një ndër qëllimet primare të Policisë”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Po ashtu ata bëjnë me dije që me qëllim të mbajtjes së rendit dhe të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve do të ketë shtim të prezencës dhe të vigjilencës policore në lokacione dhe në ambiente të ndryshme, duke përfshirë prezencën policore në trafik. 

Qehaja: Ka brishtësi të theksuar në sigurinë e vendit 

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja pavarësisht se konsideron se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, ka brishtësi brenda saj për shkak të situatës së krijuar së fundmi.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë është kryesisht e mirë, por ka një brishtësi brenda saj mjaft të theksuar dhe nuk mund të jemi të kënaqur me të gjitha aspektet e sigurisë këtu në Kosovë”, ka thënë Qehaja. 

Ndërsa duke folur për komunikatën e Ambasadës Amerikane lidhur me mundësinë e një sulmi terrorist, sipas Qehajës organet e vendit duhet të jenë të përgatitura për një mbikëqyrje më të madhe.

“Ambasada e SHBA-së ka të drejtë të bëjë paralajmërime të tilla, por ne duhet në vazhdimësi t’i kemi masat e sigurisë të duhura sidomos në vendet ku bëhet tubimi i njerëzve, nëpër shtëpi të mallrave, si dhe në vende të ndryshme ku mbahen tubime të ndryshme. Rrezikshmëria për një sulm terrorist gjithnjë ekziston dhe unë kujtoj që kjo komunikatë është e mirëseardhur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për organet e sigurisë, që duhet të marrin masa adekuate dhe organet e kontrollit të kenë një mbikëqyrje më të madhe”, ka theksuar ai. 

Maloku: Nuk ka arsye për shqetësim 

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë së vendit Naim Maloku konsideron se njoftimi i Ambasadës së SHBA-së për Kosovën është rutinë dhe nuk paraqet ndonjë sinjal negativ për qytetarët e vendit.

“Kur ka këso lloj tensionesh në shtet, atëherë ambasadat i paralajmërojnë qytetarët e vet që të kenë kujdes. Konsideroj se nuk ka ndonjë arsye për shqetësime të qytetarëve”, ka thënë Maloku.

Ai konsideron se qëllimet e komunikatës së SHBA-së do të kuptohen më vonë, duke shtuar se situata në vend është e qëndrueshme.

“Gjendja në Kosovë është e qëndrueshme dhe nuk ka telashe në këtë aspekt. Ndërsa qëllimet e kësaj komunikate të SHBA-së do të merren vesh më vonë. Nganjëherë ndodh diçka pas këtyre paralajmërimeve, por nganjëherë jo. Ata i kanë informatat e veta dhe i paralajmërojnë shtetasit e vet për shkak se e kanë për obligim t’i mbrojnë”, ka thënë Maloku.