Lista e pishmanëve

Aktuale March 30, 2018 - 07:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Drejtuesit e Listës Serbe ditë më parë njoftuan largimin nga Qeveria e Kosovës, por në mbledhjen e së enjtes ka marrë pjesë ministri Dalibor Jevtiq. Ky i fundit nuk foli as për dorëheqjet e as për largim nga ekzekutivi. Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se partia më e madhe serbe nuk largohet nga Qeveria, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pavarësisht deklaratave të prera të përfaqësuesve të Listës Serbe të bëra ditëve të fundit se do të largohen nga Qeveria, ende nuk është bërë e qartë nëse ky subjekt do të heqë dorë përfundimisht nga pushteti qendror.

Ndonëse pas arrestimit të Marko Gjuriq (shef i Zyrës Serbe për Kosovën) Lista Serbe doli me reagime të ashpra, gjatë ditës së djeshme përfaqësues të këtij subjekti kanë lënë të hapur mundësinë për dialog me koalicionin qeverisës.

Një gjë të tillë e ka mirëpritur edhe kryetari i Qeverisë Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se vetëm nëpërmjet bisedimeve mund të arrihet zgjidhja, shkruan tutje "Zëri". 

Se Lista Serbe nuk do të largohet nga Qeveria është shprehur i vendosur edhe numri dy i Qeverisë Behgjet Pacolli, i cili për “Zërin” ka thënë se ekzekutivi do të vazhdojë të funksionojë siç ka bërë deri më tani.

Kurse duke folur rreth qëndrimit të Listës Serbe se do të dalë në opozitë, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Serbe, është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

E pavarësisht se u raportua se ai mund të bëhet pjesë e Qeverisë (në rast se LS-ja largohet përfundimisht), Rashiq ka mohuar të ketë diskutuar për këtë çështje.

LS-ja lë të hapur mundësinë e dialogut

Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministër dhe ministër për Kthim dhe Komunitete nga Lista Serbe, gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë nuk ka folur fare për dorëheqje e as për largimin e LS-së nga Qeveria. Madje ai ka bërë të ditur se partia që përfaqëson është për të diskutuar. Mirëpo, për të ardhur deri te një gjë e tillë Jevtiq ka thënë se fillimisht duhet të hetohet rasti “Gjuriq”.

“Ne jemi për bisedime dhe e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet është të bisedohet, por ato biseda të jenë të sinqerta. Nëse vërtet jeni të sinqertë që në të ardhmen të punojmë së bashku në ndërtimin e mirëbesimin, i cili është lëkundur shumë, atëherë duhet të hetohet se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Mitrovicë. Nuk ka asgjë sekrete, pasi ekzistojë xhirime dhe mund të gjenden fajtorët”, ka deklaruar Jevtiq.

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është i gatshëm për të biseduar me Listën Serbe.

“Unë jam i hapur për një dialog të vazhdueshëm. Shpresoj që e hëna nuk do të keqpërdoret nga askush për t’u kthyer mbrapa”, ka thënë ai teksa ka përshëndetur guximin e Jevtiq për ta lënë të hapur mundësinë e diskutimit.  

Pacolli: Lista Serbe nuk largohet nga Qeveria

E pavarësisht ndodhive të fundit, zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli është shprehur i bindur se Lista Serbe nuk do të largohet nga Qeveria. Në një prononcim për “Zërin” Pacolli ka vlerësuar se Qeveria do të vazhdojë të punojë sikurse ka punuar.

“Asnjë gjë me shkrim nuk kemi prej Listës Serbe që ata dalin, vetëm deklarata. Sot në mbledhjen e Qeverisë ishte edhe Jevtiq. Ne normalisht jemi duke funksionuar ende, nuk kemi diçka të re që e dëshmon se Qeveria ka mbetur pa Listën Serbe”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, është shprehur i vendosur edhe mbi atë se Qeveria aktuale nuk do të rrëzohet.

“Unë besoj që Qeveria do të funksionojë edhe më tutje, nuk besoj që dikush do të ngrejë ndonjë mocion për shkak të daljes së Listës Serbe për arsye se do të ishte jo e hijshme. Besoj që Qeveria do të funksionojë”, ka shtuar ai.  

I pyetur rreth Asociacionit, Pacolli ka thënë se Qeveria nuk pranon kushte nga askush, porse Asociacioni do të duhej të formohej qysh moti.

“Asociacioni nuk është kusht, është dashur të bëhej qysh moti bashkë me marrëveshjet e tjera të cilat presin. Askush nuk ka thënë deri tani se nuk bëhet Asociacioni dhe po ashtu nuk ka thënë askush që nuk duhet të implementohen marrëveshjet e tjera që presin. Nuk ka kushte, ne kemi mirëkuptim, por nuk ka kushte”, ka potencuar ai.

Rashiq: Nëse dikush largohet nga pozita duhet të japë dorëheqje

Se Lista Serbe nuk do të largohet nga Qeveria pavarësisht deklaratave ka vlerësuar edhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Nenad Rashiq.

“Së pari Lista Serbe ende sa e di unë është pjesë e Qeverisë. Unë i di procedurat e dorëheqjes, por deri më tash asnjëri prej tyre nuk ka ofruar dorëheqjen”, ka deklaruar Rashiq gjatë një bisede për “Zërin”.

Kjo pasi, sipas Rashiq, ata që largohen nga pozita duhet ta ofrojnë edhe dorëheqjen e tyre.

“Pikë së pari, nëse dikush tërhiqet prej pozitës ai duhet të japë dorëheqje, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur ndonëse kanë paralajmëruar prej të hënës, sot është e enjte, ende nuk ka ndodhur. Sa di unë shkrimi për dorëheqjen shkruhet me disa rreshta, që do të thotë në aspektin teknik kanë mundur ta shkruajnë atë 100 herë”, ka nënvizuar ai.

Duke folur rreth asaj që u raportua se Rashiq ka biseduar me zyrtarët qeveritarë që të bëhet pjesë e Qeverisë (në rast se LS-ja largohet), Rashiq ka thënë se nuk ka pasur biseda zyrtare sa i përket pjesëmarrjes në Qeveri. Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm të diskutojë mbi këtë çështje po që se i bëhet ftesë në këtë drejtim.

“Çdo ftesë e pranoj dhe marrim pjesë, ftesë në formën ku mund të bisedojmë. Së pari duhet të bisedojmë, tek pas vendimit mund të ketë një prononcim ose deklaratë. Përndryshe është shumë herët, nuk ka ftesë zyrtare”, ka shtuar ai.

Gjatë bisedës Rashiq ka konsideruar se Lista Serbe nuk është duke e bërë përfaqësimin adekuat të serbëve të Kosovës. Qëndrimet e kësaj partie, sipas tij, janë në dëm të serbëve të Kosovës.

Ndërkohë, opsionin që Nenad Rashiq të vijë në krye të ndonjë ministrie (nëse Lista Serbe dorëhiqet) Eugen Cakolli, hulumtues në KDI, e ka cilësuar si gati të pamundur. 

“Në bazë të Kushtetutës është e përcaktuar që Qeveria të ketë më së paku një ministër dhe nëse janë mbi 12 ministri, së paku dy ministra duhet të jenë të komunitetit serb. Kushtetuta precizon se në rast të lënies bosh të këtyre ministrive ato mund të zëvendësohen vetëm me propozimin e partive që kanë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë. Po që se Hardinaj do të donte ta fuste si pjesë të Qeverisë Rashiqin, kjo do të kërkonte votën e shumicës së deputetëve të LS-së në Kuvend. Pra, do të duhej të pajtoheshin që Rashiq të jetë përfaqësues në Qeveri dhe besoj që një gjë e tillë është pothuajse e pamundur”, ka theksuar ai.

Beqa: Nuk ka mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se Qeveria do ta vazhdojë punën qoftë me apo pa Listën serbe.

“Sido që të jetë, Qeveria vazhdon punën deri në vendimet e tjera. Unë mendoj që nuk është momenti për t’u ndalur të shikohet se çfarë po ndodh me Listën Serbe apo të tjerët, ne jemi para një agjende të madhe dinamike”, ka deklaruar ai. 

Pos Parlamentit, sipas tij, nuk do të ketë problem as në dikasteret që drejtohen nga përfaqësuesit e komunitetit serb.

“Këto çështje rregullohen me ligj, në vend të ministrave vazhdojnë punën zëvendësministrat për një kohë të caktuar, vakume nuk do të ketë”, ka potencuar ai.

Ndërkohë, ka konsideruar se nuk ka gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se qeveria “Haradinaj” ka mbetur qeveri e pakicës.   

Avdyli: LDK-ja s’i bëhet patericë askujt

Megjithatë deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se brenda pak muajsh Qeveria e drejtuar nga Haradinaj do të bjerë vetvetiu.

“Një qeveri e tillë me 50 deputetë, prej tyre 40 shqiptarë, tregon që është fatkeqe për Kosovën. Mendoj që kjo qeveri do të jetë jetëshkurtër dhe sa më shpejt që përfundon mandatin është në të mirë të vendit pasi çdo shantazhim i mëtejshëm i Listës Serbe do t’i bëjë dëme Kosovës”, ka deklaruar Avdyli.

I pyetur rreth asaj nëse LDK-ja do t’i bashkohet koalicionit qeverisës pas largimit të LS-së, Avdyli ka thënë se ky subjekt nuk i bëhet “patericë” askujt.

“Deri tash as nuk është biseduar dhe ju e dini qëndrimin e LDK-së, nuk është këtu për t’u bërë patericë e askujt që ka nevojë për neve e veçanërisht dikujt që ka sharë deputetët e LDK-së nga podiumi i Parlamentit, duke i quajtur rrena e me emra të tjerë”, ka theksuar ai.

Modalitetet për tejkalimin e krizës

Megjithatë Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka vlerësuar se njëri prej opsioneve se si do ta vazhdojë punën Qeveria tash e tutje mund të jetë edhe bashkimi i LDK-së apo i partive të tjera opozitare në drejtim të koalicionit.

“Pres që të gjenden modalitete për tejkalimin e kësaj krize dhe njëra ndër to mund të jetë edhe krijimi i një qeverie me bazë të gjerë të shumicës shqiptare, pra bashkëngjitja si pjesë e Qeverisë të ndonjërës prej subjekteve politike shqiptare”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, ka potencuar faktin që Lista Serbe ka lënë qëndrimin e paqartë sa i përket largimit nga Qeveria. 

“Lista Serbe si pjesë përbërëse e koalicionit me deklarimet e saja të fundit ka lënë hapësirë të mendohet që ekziston mundësia që ata të rikthehen si pjesë e koalicionit me plotësimin e kushteve të cilat ata i kanë parashtruar”, është shprehur Cakolli.

Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e rënies së Qeverisë.

“Një mundësi e tillë duhet përjashtuar duke qenë se për këtë nevojiten një shumicë prej 61 votash, ndërsa opozita ka deklaruar se nuk do ta përkrahë asnjë mocion që do të vijë nga komunitet për rrëzimin e Qeverisë”, ka potencuar ai.