'Vetëvendosjes' i ikin 40 anëtarë

Rreth 40 anëtarë të lëvizjes “Vetëvendosje”, me në krye Teuta Rrustën dhe Nol Nushin, dje kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Ish-koordinatorja e Qendrave të lëvizjes “Vetëvendosje” Teutë Rrusta ka thënë dje gjatë një konference për medie se ky subjekt politik është shndërruar në një arenë luftërash për pushtet.

LEXO EDHE: Kryeministri injoron deputetët

“‘Vetëvendosja’ nuk është e njëjta. Sot ajo është arenë luftash për pushtet. Ne nuk mundemi këtu ta gjejmë më veten. Zhvillimet nga tetori i vitit 2018 na kanë bërë me dije se në lëvizje është shkelur çdo kriter. Për t’i ruajtur bindjet tona e vetmja rrugë është ndarja”, ka thënë ajo.

Ndërsa Nol Nushi, i cili po ashtu dha dorëheqje, ka thënë se çdo person që del nga “Vetëvendosja” është humbje dhe sipas tij Albin Kurti, tashmë kryetar i këtij subjekti politik, ka treguar që nuk kujdeset për organizatën, por vetëm për veten e tij.

“Përgjatë 15 muajve të kësaj fushate besuam që problemi nuk kishte filluar me dashakeqësi, derisa ngjarjet e dy muajve të fundit na e shuan çdo shpresë. Kurti jo vetëm që nuk u tregua konstruktiv, ai ishte katalizator dhe shkaktar i largimit të shumë individëve nga LVV-ja. Ai nuk është kujdesur për organizatën, por vetëm për veten e tij”, ka thënë ai.

Në mesin e 40 anëtarëve të dorëhequr ditën e djeshme ishin edhe Adea Batusha dhe Adonis Tahiri.

Përndryshe Teuta Rrusta, e cila deri dje ka qenë koordinatore e qendrave të lëvizjes “Vetëvendosje”, ka refuzuar që grupi i dhjetëra aktivistëve të larguar nga LVV-ja të quhet si “grupi i Dardan Molliqajt”, shkruan tutje Gazeta 'Zëri'. 

Ajo shtoi se ata janë “vala e të pakënaqurve” dhe si grup po shkëpusin të gjitha raportet me lëvizjen “Vetëvendosje” shkaku i pakënaqësive.

Ndërsa lëvizja “Vetëvendosja” ka reaguar për këtë konferencë, duke shtuar se Nol Nushit dhe Teuta Rrustës nuk u është vazhduar kontrata dhe kanë mbetur jashtë “Vetëvendosjes”. /Zëri