Kryeministri injoron deputetët

Aktuale January 26, 2018 - 07:51

Ka dështuar interpelanca e kryeministrit Haradinaj, e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lidhje me gjuajtjen me armë nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi, pasi kryeministri Haradinaj nuk ishte i pranishëm në seancë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Propozuesi i interpelancës për kryeministrin Ramush Haradinaj, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, e ka quajtur të papërgjegjshëm veprimin e kryeministrit.

Ai tha se Haradinaj e ka obligim kushtetues që të vijë në interpelancë. Ndryshe, kjo interpelancë është shtyrë për seancën e sotme, që do të fillojë në orën 10:00.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka vazhduar seancën, ku miratoi në lexim të parë Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik me 45 vota për, asnjë kundër dhe 16 abstenime.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se përmes miratimit të legjislacionit po mundohen që të luftojnë konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik. Ai shtoi se ky projektligj parasheh masa që do ta mundësojnë luftimin e këtyre dukurive, por edhe dukurive të tjera.

Përveç kësaj, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016 dhe ka miratuar Raportin Vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016.

Kurse pagat e larta në Fondin e Kursimeve Pensionale ishte temë debati në seancën e Kuvendit, ku u miratua kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018, shkruan tutje Gazeta 'Zëri'. 

Diskutimi i deputetëve ishte i fokusuar në pagat e mëdha që marrin drejtori dhe bordi i Fondit Pensional të Kosovës.

Ata madje kërkuan që të ulen këto paga, të cilat sipas tyre janë në disproporcion me pagën mesatare minimale në vend dhe me gjendjen ekonomike.

MST: Kurti: Kontrata me “Contour Global”-in, pa fitim për Kosovën

 

Ndërkohë, deputetët kanë vazhduar të ngrehin çështje të ndryshme, ku deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti ka ngritur shqetësim për marrëveshjen me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri. Ai tha kontrata me “Contour Global”-in e vë interesin shtetëror të Kosovës në shërbim të një ndërmarrjeje të huaj private. “Nuk do të punojë ‘Contour Global’-i për Kosovën dhe për qytetarët e saj, por ne do të punojmë për ‘Contour Global’-in.

Kontrata me ‘Contour Global’-in do të na fshijë trefishin e ‘Bechtel-Enka’-s, por kësaj radhe me hajni me transparencë, meqë u publikua kontrata. Por, edhe këtu kemi transparencë jo të plotë, sepse disa anekseve nuk u dihet përmbajtja dhe ka transparencë vetëm në rezultat, por jo edhe në proces”, tha Kurti.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta kundërshtojnë atë kur ajo të vijë në Kuvend. “Askush nga zyrtarët e shtetit të përfshirë në këtë aferë nuk mund ta shpjegojë racionalisht se pse Kosova nuk mund ta tregojë me pronësi publike investimin me fitimprurës që kemi në dorë dhe sipas kushteve e kërkesave të ekonomisë së saj, por duhet ta bëjë këtë përmes një fondi privat të përzgjedhur pa e ditur kush nga kush”, tha Kurti.

MST: Rugova: Deputetët po përjetojnë terror me vizat

Ndërsa deputeti i LDK-së Naser Rugova ka ngritur problemin e marrjes së vizave për udhëtime zyrtare dhe terrorin që po u bëhet atyre. Rugova tha se deputetët po përjetojnë terror për vizat.

“Nga vizitat që po i kemi dhe ftesat që po i kemi nga mekanizmat, institucionet e caktuara ndërkombëtare, asociacionet apo edhe pjesëmarrja jonë në tubime të caktuara, është një terror i vërtetë i procedimit lidhur me vizat, paramendoni kur një trajtim i tillë bëhet për neve si të zgjedhur të popullit, me çka ballafaqohet qytetari i Kosovës. Andaj zotëri kryetar, kërkoj nga ju dhe nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta arrini një marrëveshje me ambasadat relevante këtu, kush ka probleme me ligjin dhe probleme të tjera është çështje tjetër, mirëpo thjesht imazhi, profili, identiteti i shtetit tonë, por edhe i institucionit më të lartë që është Kuvendi i Republikës së Kosovës, po nëpërkëmbet dhe ne si të zgjedhur të popullit dhe si institucione, pa marrë parasysh pozitë apo opozitë, duhet ta ngrehim këtë çështje si të zgjedhur të popullit”, tha Rugova.

Ai ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të diskutojë me përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë për këto probleme.

“Kërkoj nga kryeministri i Kosovës të bisedojë me ata ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, që nuk lënë gurë pa hedhur ndaj shtetit të Kosovës, ndaj institucioneve të Kosovës, pa marrë parasysh se kush qeveris me Kosovën. Ata na përfaqësojnë të gjithë neve, e përfaqësojnë profilin, identitetin dhe imazhin e këtij shteti, kemi dëshmi dhe jemi dëshmitarë të paradokseve dhe të skandaleve të tilla diplomatike”, theksoi Rugova.

Ndërkohë, në seancën e djeshme kanë bërë betimet e tyre dy deputetët e rinj: Shemsi Syla dhe Sali Zyba.

Syla do të jetë në vend të Mytaher Haskukës, i cili tash është kryetar i Prizrenit dhe Sali Zyba në vend të deputetit Qendron Kastrati, i cili tash është kryetar i Komunës së Kamenicës.