Mustafa: Liberalizimin e vizave ta zhbllokojnë ata që e penguan
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka lëshuar një varg akuzash në adresë të kundërshtarëve politikë.
Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social "Facebook", në mbrëmjen e së hënës, Mustafa ka thënë se “ata që e penguan liberalizimin e vizave duhet ta ç’pengojnë!”.
Shkrimi i Mustafës në Facebook:
Ata që e penguan liberalizimin e vizave duhet ta ç’pengojnë!
1. E kanë Marrëveshjen e dy komisioneve shtetërore, të Kosovës dhe të Malit të Zi;
2. E kanë Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të emëruar nga Presidentja Jahjaga
3. E kanë konfirmimin e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se me marrëveshjen e 25 Gushtit 2015 nuk humb territor as Kosova dhe as Mali i Zi, dhe se SHBA e përkrahë këtë marrëveshje;
4. E kanë Raportin e Komisionit Profesional për Matjen e Territorit të Kosovës, në krye me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili Raport konfirmon se me këtë demarkacion Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror territor.
I kanë edhe kauzat politike, me të cilat kanë bërë fushatë të dhunshme.
Dhe le të zgjedhin.
Ose le të aprovojnë dhe amnistojnë kauzat e tyre të rrejshme politike, ose le të aprovojnë këto katër argument të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, le të hapin rrugën për liberalizim të vizave.