Ish-aktivisti i KAN-it, Shkëlzen Gashi: Asnjëherë nuk e kam takuar Nenad Rikalon

Shkëlzen Gashi, dikur anëtar i KAN-it (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka pasur bashkëpunëtor dhe nuk e ka takuar tashmë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalon.

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo me anë të një komunikate gjatë ditës bëri të ditur se ka qenë bashkëthemelues i organizatës KAN me Albin Kurtin.

Por, Shkëlzen Gashi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për Rikalon, deri në momentin që ky i fundit u emërua si ministër i Bujqësisë.

“Kurrë në jetë nuk e kam takuar Rikalon, hera e parë që e kam dëgjuar emrin e tij është kur u bë ministër i Bujqësisë. A e ka parë Albini dhe Shpendi është e mundshme, a ka qenë anëtar i Soros-it është e mundshme, a ka kryer krime është e mundshme, unë nuk e di”, deklaroi ish-aktivisti i KAN.

LEXO EDHE: Rikallo: Bashkë me Albin Kurtin e kemi themeluar KAN-in

Gashi ka treguar se kjo organizatë është themeluar në vitin 1997 dhe e cila në vitin 2004 u shndërrua në Lëvizjen Vetëvendosje.

“A ka qenë Rikalo në KAN apo jo nuk e di. KAN është themeluar në vitin 1997 nga një amerikane e cila e ka mbështetur çështjen e Kosovovës, e që më pastaj ajo ka vendosur të bëhet Vetëvendosje pjesë e së cilës kam qenë edhe unë”, deklaroi Shkelzen Gashi.

Ministri Nenad Rikalo po akuzohet nga disa banorë të lagjes “Dardania” në Prishtinë se i ka maltretuar fqinjtë e tij shqiptarët gjatë kohës së luftës.

Mirëpo, ministri Rikalo sot, përmes një komunikate, theksoi se kurrë nuk i ka bërë keq asnjë shqiptari.

Mëgjithatë Prokuroria Speciale tashmë ka nisur hetimet ndaj Rikalos.