'Kaçurrelja' më çon në vitin 1957

Këtë javë në rubrikën javore të gazetës “Zëri”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, prezantojmë muzikantin nga Peja, Luan Sapunxhiu. Luani ishte edhe profesor i njërit prej kitaristëve më të mirë të kohës, Petrit Çekut. Ai na shëtit nëpër hite të mëdha që lidhen në një formë apo tjetër me jetën e tij.

Muharrem Qena, “Kaçurrelja”

Në vitet e ’50-ta Peja ishte qytet i vogël dhe i qetë. Sigurisht që kishte varfëri. Të rralla ishin familjet të cilat kishin radio. Familja ime e kishte atë fat. Isha shumë i vogël kur për herë të parë e dëgjova këngën "Kaçurrelja" dhe ky kujtim më çon në vitin 1957. Për moshën time të asaj kohe, kur krejt muzika ishte këngë, kjo ishte një këngë ndryshe, sepse si të zakonshme e kuptoja vetëm këngën popullore. Atë ditë tërë ditën e kam kënduar një varg që kurrë nuk e kam harruar. Edhe sot me ëndje e dëgjoj këtë këngë dhe me emocion të posaçëm më sjell interpretimi i Muharrem Qenës.

“Shadows”, “Apacchi”

Isha 7 ose 8 vjeç kur i luaja disa tinguj në kitarë. Shokët më thoshin kitarist. Njëri nga ta, komshiu im i parë, ma dha një disk dhe më tha: "Kur ta mësosh këtë melodi edhe unë do të them kitarist". Bëhej fjalë për melodinë "Apacchi" të grupit "Shadows". Ishte hera e parë që e dëgjoja tingullin e kitarës elektrike. Ato ditë e mësova vetëm hyrjen karakteristike të melodisë. Vite më vonë me grupin që e kisha me shokë, "Meridianët", e luaja në ballot e të shtunave në gjimnaz. Edhe sot kitarën e akordoj me kujtim në quarten e pjesës së “Apacchi”-t.

“Zambra”

Në mendjen time "Zambra" (Carlos Montoya), "La Zarzamora" dhe "Por los rincones"(Sabicas) tingëllojnë si një flamengo-suite dhe gjithmonë i dëgjoj si një melodi. Të tria këto melodi i kam luajtur në raste, në kohëra dhe në vende të ndryshme. Intimisht i përjetoj si herën e parë kur i kam dëgjuar si shije të çokolatës së zezë! Montoya dhe Sabicas janë dy nga flamengo-kitaristët që më kanë bërë ta dua kitarën përjetësisht!

“Simfonia e Pestë” e Beethovenit

Një kohë të gjatë pjesë e diskotekës sime ishte “Simfonia e Pestë” e Beethovenit, më saktë nga viti 1959. LP-disku me Filarmoninë e Hamburgut i ishte dedikuar Halit Kasapollit, shokut të babait tim. Pas vdekjes së papritur të Halitit, motra e tij Emetullahja ia dhuroi babait tim si kujtim nga Haliti, njëri nga talentet më të mëdhenj të asaj kohe jo vetëm në Kosovë. Kur isha 12-13 vjeç ishte një periodë kur me ditë të tëra e dëgjoja “Simfoninë e 5-të”, taktet e para të së cilës ishin të njohura edhe nga dëgjuesit e zakonshëm. Ishte hera e parë kur më bënte përshtypje dinamika që më zgjonte emocione që s'dija t’i identifikoja. E kuptohet atëherë nuk e kisha idenë se çka është dinamika në muzikë. Edhe sot me ëndje e dëgjoj njërën nga pjesët më të bukura të muzikës klasike!

“Antonio Vargas Heredia”

Një ndër këngët që edhe sot e dëgjoj me shumë vëmendje dhe me emocion është kënga "Antonio Vargas Heredia", kushtuar një rebeli jevg nga koha e invazionit të Napolonit në Andaluzi (rreth vitit 1810), koha kur këngët e dashurisë, bukuroshet andaluziane ia kushtonin heronjve. E këndonte në mënyrë brilante këngëtarja spanjolle me origjinë argjentinase Imperio Argentina.

“Baladilla de los très rios”

"Baladilla de los très rios", versioni flamengo i poezisë së Federico Garcia Llorkes, e kënduar nga Pepe Albaicin është bukuri në vete. Disku ku ndodhej kjo këngë ishte për mua një nga vlerat që i dogji lufta e vitit 1999. “YouTube” më bën të lumtur kur ma bën të mundur që sërish t'i dëgjoj këngët që m’i kujtojnë çastet e bukura të rinisë.

Claudio Villa, “Granada”

"Granada" e kompozitorit Augustin Lara është kënduar nga shumë tenorë botërorë. Kujtimi për këtë këngë më kthen te Claudio Villa, për mua mbase interpretuesi më i lezetshëm i "Granades". Emocion të posaçëm përjetoj kur me përcjelljen time në kitarë, e këndon shoku im Bedri Islami. Mund të duket subjektive, por për mua askush nuk e këndon më bukur se Bedriu!

Moris Ravel,  “Bolero”

Diku në pranverën e vitit 1976 si shpesh deri atëherë vizitova dyqanin e produksionit të disqeve "Jugoton", në Zagreb. Isha me dy kolege, me të cilat shpesh në ushtrimet e kimisë bisedonim për muzikë. Në dyqanin e mbushur me disqet muzikore të të gjitha zhanreve më ra në sy "Bolero" nga Moris Ravel. Teksa me shumë ëndje e dëgjoja “Bolero”-n në gramafonin e dyqanit shoqet ma dhuruan si peshqesh me përkushtim diskun.

“Fandango Variado, Op.16”, (Aguado, Dionisio)

Duke e dëgjuar "Fandango Variado, Op.16" (Aguado, Dionisio), interpretuar bukur nga ish-nxënësi im Petrit Çeku e përjetoj dyfishin e emocionit teksa duartrokitet me ovacione në sallën "Tchaicovsky" përplot të mbushur të kryeqytetit rus, Moskës.

“The Beatles”, “Yesterday”

Këtë përzgjedhje prej 10 melodive mund ta zgjasja edhe me qindra të tjera, po e përfundoj pashmangshëm me "Yesterday" të rok-grupit më të famshëm botëror "The Beatles". Këngë që me kënaqësi të posaçme e përcjellja në kitarë shokun tim Efraim Kastratin, këngëtar dhe kompozitor. E këndonte po aq bukur sa Paul McCartney. Gjithsesi jam ndier i privilegjuar kur këtë këngë e dëgjova nga vetë Paul McCartney, teksa e këndonte drejtpërdrejt në koncertin madhështor në Zagreb, më 21 shtator 1976. “Yesterday” është edhe simbolikë e bukurive të përjetuara muzikore!