Letërsi, performanca, diskutime e muzikë në 'FemArt'

Po vijojnë në Prishtinë aktivitet e organizuara në kuadër të festivalit më të madh feminist në Ballkan, “FemArt”, me një program të kombinuar shfaqjesh teatrale, dansteatër, stand up, koncerte, ekspozita, slam poezish, panele diskutimesh, tribuna, punëtori dhe filma, shkruan sot, gazeta Zeri.

Të premten, gjatë ditës së dytë të festivalit, përveç aktivitetesh tjera, u mbajt edhe takimi joformal me poeten Qibrije Demiri - Frangu. Ky takim u moderua nga Naime Beqiraj, kurse të pranishme në panel për t’i interpretuar poezitë e poetes ishin aktoret Melihate Qena dhe Anisa Ismaili.

Duke e prezantuar poeten Qibrije Demiri - Frangu, moderatorja Beqiraj tha se ajo është njëra ndër poetet që u afirmua në moshë shumë të re. Sipas saj, ajo është ndër krijueset e rralla që ka mbetur rinore.

Në anën tjetër, para të pranishmëve Qibrije Demiri – Frangu foli për përvojën e saj si poete, shkrimtare e studiuese. Ajo theksoi se sa e vështirë dhe e komplikuar ishte për një grua t’i ushtronte këto funksione dekada më parë, por edhe për vështirësitë që gratë në letërsi i hasin sot.

“Akti i krijimit është një lloj pakti që ti e ndërton me një imazh që mund të vijë edhe nga largësia. Unë poezinë gjithmonë e mendoj si një substancë të ndjenjës dhe të mendimit. Dhe e tillë është. Derisa ne jemi qenie që lëvizim, jemi edhe ajo qenia që mendojmë dhe në një mënyrë akti i krijimit lind gjatë kësaj ecjeje dhe gjatë këtij të menduarit”, thekoi Demiri - Frangu.

Të premten u shfaq edhe filmi dokumentar “Ferdonija”, pas të cilit u mbajt edhe një diskutim, ku në panel ishin Ferdonie Qerkezi, Eli Krasniqi, Gazmend Bajri dhe Shkurta Dauti.

Në mbrëmje koreografja Camilla Sandri nga Italia solli performancen teatrale “God’s Dice”, që flet për atë se sa jemi ne të vetëdijshëm për zgjedhjet tona, vendosim për një zgjedhje e jo për një tjetër, cila është rruga që duhet ta ndjekim.

Dita e dytë e festivalit “FemArt” u mbyll me grupin muzikor nga Prishtina, “The Lovers”.

Ky edicion i “FemArt”-it përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, UNFPA-ja, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasada Amerikane në Prishtinë, “Unwomen”, Komuna e Prishtinës, Koalicioni “K10”, ‘Unë e dua Kosovën”, “Ipko Foundation”.