Kështu mund të duket stadiumi nacional i Kosovës (FOTO)

Investitorët turq i kanë rivalizuar ata hungarezë, duke ofruar një projekt joshës për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë. Turqit kanë zbarkuar të enjten në Prishtinë, duke e shpalosur një projekt modern të ngjashëm me atë të stadiumit të Sivasit, i cili shihet si njëri prej më të mirëve në Turqi

Kosova e ka në plan ta ndërtojë stadiumin nacional dhe ofertuesit nga jashtë po rriten, shkruan sot gazeta Zëri.

Hungarezët ishin të parët ata që e shprehën dëshirën për ta ndërtuar këtë stadium nacional, duke ofruar kredi, ndërsa së fundmi ka ardhur edhe ofertuesi i dytë.

Të enjten, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu i ka pritur drejtuesit e lartë të kompanisë turke “Akay Construction INC”, drejtorin Ertan Olgun dhe zëvendësin e tij Murat Ozturk, që po shoqëroheshin nga Kenan Kurtesh, i cili ka dhënë shumë për futbollin e Kosovës duke qenë edhe agjent i FIFA-s për organizmin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Drejtuesit e kompanisë turke theksuan se kanë ardhur në Kosovë për t’i shqyrtuar mundësitë se si të ndihmohet FFK-ja, duke ofruar projekt për ndërtimin e një stadiumi kombëtar.

Stadium modern me 25 mijë ulëse

Përfaqësuesit e kompanisë turke ndër të tjera e kanë shpalosur projektin, përmes së cilit Kosova do ta zotëronte një stadium modern nacional, të ngjashëm me stadiumet me nivelet më të larta në Turqi, por edhe në botë.

Mysafirët e shpalosën projektin e një stadiumi që e kanë ndërtuar në Sivas, i cili është shpallur si njëri ndër 9 stadiumet më të mira në botë, i cili është me ndriçim dhe ngrohje solare me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, pikërisht çfarë i nevojitet Kosovës.

Tutje sekretari Eroll Salihu i ka falënderuar miqtë nga Turqia për këtë interesim, duke theksuar se është Qeveria e Kosovës ajo që vendos. Sipas tij, fakti se ka shumë oferta, është një gjë e mirëseardhur, duke shtuar se FFK-ja beson se MKRS-ja dhe Qeveria do ta bëjnë përzgjedhjen e duhur dhe shumë shpejt Kosova ta ketë një stadium kombëtar.

Gjithashtu, Salihu i njohu mysafirët për rrjedhat e futbollit të Kosovës e në veçanti me mungesën e infrastrukturës, ku veç FFK-së është angazhuar Ministria e Sportit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo e fundit, në vitin 2014 me një vendim të veçantë kishte vendosur që ta ndërtojë stadiumin nacional, por fatkeqësisht punimet për këtë stadium nuk kanë nisur ende.

Siç dihet, Këshilli Kombëtar i Investimeve, në muajin janar të këtij viti e ka miratuar projektin “Ndërtimi i Stadiumit Nacional të Futbollit në Prishtinë”.

Pas këtij hapi do t’i fillojnë aktivitetet ligjore për konkretizimin e financimit të projektit, i cili do t’i kushtojë Kosovës afro 40-50 milionë.

Parcela tashmë është ndarë dhe stadiumi nacional do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme, lokacion që ndodhet 4.5 kilometra nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh në të cilin, përpos stadiumit nacional, do të ndërtohen edhe objekte të tjera sportive të karakterit nacional.

Në stadiumin nacional do të do të luajë në të ardhmen kryesisht Përfaqësuesja e Kosovës në futboll.

Ndërtimi i stadiumit nacional do ta përmirësonte dukshëm gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së sportit e në veçanti të futbollit. /Zëri/