Federata, 'njerkë' për Trepçën

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është vetë ajo që po u kontribuon parregullsive në futboll. Këtë akuzë në adresë të shtëpisë së futbollit e ka bërë klubi i madh kosovar, Trepça. Mitrovicasit konsiderojnë se FFK-ja po sillet sikur “njerkë” karshi disa klubeve, kurse para disa të tjerave sillet sikur “nënë”, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Shtyrja e ndeshjes për Kupën e Kosovës ndërmjet Flamurtarit dhe Trepçës ka bërë që mitrovicasit të lansojnë akuza dhe pakënaqësi të tilla ndaj FFK-së. Kjo ndeshje qe dashur të zhvillohej të dielën në stadiumin “Xhemail Ibishi”. Por, ajo nuk u zhvillua shkaku i borës që kishte mbuluar fushën. Ndërkohë, FFK-ja të hënën njoftoi se ky takim duhet të zhvillohet të martën prej orës 13:00 në Ferizaj.

“Si zakonisht, edhe tani menjëherë filluan ato gjërat që kanë qenë të peanishme prej vitesh, sidomos në tre vjetët e fundit kundër Trepçës. Po të ndodhte kjo situatë në Mitrovicë, sigurisht se rezultati do të ishte 3:0 për Flamurtarin. Kjo është e sigurt që Trepçës nuk do t’i falej në asnjë mënyrë”, ka deklaruar për “Zërin” nënkryetari i Trepçës, Avni Haxhiu.

“Kjo është e tmerrshme se si po veprohet në lidhje me Trepçën nga ana e Federatës. Po vazhdon ritmi i njëjtë kundër Trepçës. Kujt po i pengojmë dhe pse po i pengojmë nuk e dimë dhe nuk po mund ta zbulojmë këtë faktor që na ka mbetur si mister”, theksoi ai.

Sipas Haxhiut, kjo situatë nuk është menaxhuar konform rregulloreve, por në favor të Flamurtarit dhe në dëm të Trepçës, duke e marrë parasysh një nen të Rregullores, i cili thotë: “Mosndërmarrja e masave për përgatitjen e terrenit për ndeshje (pastrimi, vizatimi, etj), sanksionon ekipin mikpritës me humbjen e ndeshjes me rezultat zyrtar”.

“Ajo çka është edhe më e keqe është se delegati i ndeshjes nuk e ka potencuar në raportin e tij se nuk është ndërmarrë asnjë veprim për pastrimin e stadiumit, por vetëm ka theksuar se nuk ka kushte për lojë. Me kaq e ka përfunduar procesin delegati”, tha Haxhiu.

Ai shton se Rregullorja nuk është respektuar. “Kjo Rregullore po funksionon sipas tekeve. Tash këta thonë me luajt të martën, kurse të shtunën kemi ndeshje kampionale me Feronikelin. Pra jemi të dëmtuar, por jo vetëm kaq. E caktojnë lojën në Ferizaj, me ç’rast ne duhet të udhëtojmë përsëri, madje dy orë udhëtim, kurse lojtarët duhet të zgjohen shumë herët për t’u përgatitur për udhëtim. Ndërsa, nuk e kanë mundësuar zhvillimin e lojës në Drenas, ku ne do të mbërrinim për një orë”, u shpreh Haxhiu. “Zëri” nuk ka arritur ta marrë ndonjë sqarim prej FFK-së.