Në Bruksel pritet përplasje për Asociacionin

Dialogu në nivel politik pritet të vazhdojë sot në Bruksel, ku temë diskutimi do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zotimi i dy palëve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët.

Edhe pse ky takim zhvillohet në një periudhë kur situata e sigurisë dhe ajo politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar, në Prishtinë nuk presin se do të ketë diçka pozitive.

Madje opozita sërish e quan gabim vazhdimin e dialogut në një periudhë kur Serbia provokon sigurinë e Kosovës edhe me konflikt të armatosur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, pret që takimi i nesërm të kontribuojë në zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara deri më tani.

“Pres që ky takim të kontribuojë për zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe se palët të zotohen për zbatimin efektiv dhe pa vonesë të marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit, sidomos marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe Asociacionin”, ka thënë ajo për "Zërin".

Më tej Tahiri thotë se vazhdimi i dialogut në nivelin politik në Bruksel tregon angazhimin maksimal të BE-së për normalizimin e raporteve në Ballkan.

“Është shumë me rëndësi që po vazhdon dialogu i nivelit politik në Bruksel dhe kjo tregon angazhimin maksimal të BE-së dhe përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, për të rritur rezultatet e dialogut për fqinjësi dhe paqe në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe për të tejkaluar tensionet dhe provokimet e njëpasnjëshme të kohëve të fundit të bëra nga Serbia”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, në këtë fazë të dialogut fokus do të jetë njohja reciproke në mes të dy shteteve.

“Po ashtu fokusi për fazën përmbyllëse të dialogut do të jetë një temë e rëndësishme në takimin e radhës në nivelin e lartë politik, për të përmbyllur këtë proces me njohjen reciproke në mes të dy shteteve”, ka thënë ajo.

Tahiri thekson se institucionet e Kosovës po punojnë intensivisht për heqjen e murit në veri dhe sigurimin e lëvizjes së lirë.
“Sa i takon heqjes së murit, institucionet më të larta shtetërore po punojnë intensivisht për heqjen e saj dhe sigurimin e lëvizjes së lirë, sipas standardeve më të larta evropiane dhe ligjet e Kosovës”, ka përfunduar ajo.

LVV: Qeveria dështoi në rrëzimin e murit

Në anën tjetër në Lëvizjen “Vetëvendosje” deklarojnë se dialogu me Serbinë pas provokimeve të fundit nuk ka fare kuptim. Deputeti i këtij subjekti, Driton Çaushi, vlerëson se kjo Qeveri ka dështuar në rrëzimin e murit.

“Kuvendi i Kosovës më 29.12.2016 ka miratuar një rezolutë që obligon Qeverinë e Kosovës që ta rrënojë murin ilegal në veri të Mitrovicës. Rrjedhimisht, një çështje e tillë nuk ka fare kuptim të jetë temë e dialogut në Bruksel”, ka thënë ai.

Sipas Çaushit, po të ishte Kosova një vend funksional, institucionet do të duhej të vepronin me automatizëm dhe se siç thotë ai, muri deri më tani do të ishte harruar.

“Megjithatë, afati i dhënë nga Kuvendi po kalon dhe përkundër premtimeve të dhëna për rrëzimin e murit, kjo Qeveri edhe njëherë po dëshmohet e paaftë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe e nënshtruar ndaj strukturave paralele dhe shtetit serb”, ka thënë Çaushi.

Ai më tej thekson se asnjë çështje nuk guxon të lidhet apo të shërbejë në çfarëdo forme për të lehtësuar jetësimin e këtij Asociacioni.

“Duhet gjithashtu të kujtojmë se me murin as nuk fillojnë dhe as nuk përfundojnë dëmet nga dialogu pa parime me Serbinë”, ka thënë ai.

Tahiri: Në Bruksel nuk është dashur të përfshihen çështjet e brendshme të Kosovës

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, e vlerëson si mëse të nevojshëm takimin në mes të dy kryeministrave në Bruksel.

“Është mëse  i nevojshëm takimi ndërmjet dy kryeministrave sepse relakson marrëdhëniet por edhe ngrit seriozitetin e bisedimeve pas ngjarjeve të kaluara tensionuese”, ka thënë ai. 

Sipas Tahirit, sukses i takimit do të ishte marrëveshja e zgjidhjes së të gjitha çështjeve me dialog.

Ndryshe, ai mendon se në bisedimet në Bruksel nuk është dashur të përfshihen çështjet e brendshme të Kosovës. “Është bërë gabim që me Serbinë bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri, sipas të cilit, inkurajuese mbetet deklarata e presidentit Thaçi.

“Inkurajuese është deklarata e presidentit Thaçi se muri në Mitrovicë edhe te çështjet e brendshme nuk dialogohet në Bruksel”, ka thënë ai.

Në anën tjetër analisti politik në vend, Krenar Shala, ka konstatuar se muri në veri është ndërtuar për të rritur presionet në institucionet e Kosovës.

“Konsideroj që muri është ndërtuar pikërisht për të rritur presionin që institucionet e Kosovës të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe”, ka përfunduar Shala.