Të zhdukurit, jashtë agjendës së qeverive
Katër herë kanë filluar dhe janë ndërprerë gërmimet në Rashkë, vend i dyshuar për varrezë masive me trupa të shqiptarëve, shkruan sot, gazeta Zeri.
Familjarët e të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që fati i të afërmve të tyre të pagjetur të jetë temë e bisedimeve në Bruksel. Në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1660 persona, prej tyre 75 për qind shqiptarë dhe të tjerët minoritete. Disa vende janë të identifikuara sikurse në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi të dyshuara si varreza masive. Në këto vende të dyshuara Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka konfirmuar se nuk janë bërë as gërmime vlerësuese. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, zbardhja e fatit të të pagjeturve po zvarritet nga Beogradi.
Nysrete Kumnova, drejtuesja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, rrëfen për “Zërin” se shumë prindër kanë ndërruar jetë në pritje të zbardhjes së fatit të fëmijëve të tyre, të rrëmbyer nga forcat serbe dhe të zhdukur po nga ta. “Ne duam që çështja e të pagjeturve të ngrihet edhe në Bruksel”, thotë ajo e mllefosur me institucionet që nuk po e trajtojnë këtë çështje. “Institucionet tona po heshtin totalisht për këtë çështje, ata vetëm po na lyejnë ‘kokën me akull’ dhe nuk ka asgjë”, thotë Kumnova. Familjarët e të pagjeturve kanë paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që do të mbahen ato.
Sipas këtyre familjarëve, përfaqësuesit shtetërorë ka 17 vjet që nuk insistuan në zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, kurse në anën tjetër kërkojnë votat për të përfaqësuar interesat e qytetarëve. “Kurrë më. Nuk do të dalim në zgjedhje, nuk kemi kë të zgjedhim. Nuk po e përfaqësojnë interesin tonë”, thotë Kumnova, e cila ka të zhdukur djalin e vetëm dhe thotë se po kërkojmë vetëm eshtrat e tyre. “Tashmë është e kuptueshme se ata nuk janë gjallë, ne po kërkojmë vetëm eshtrat e tyre dhe këto nuk po na japin. Duam të kemi varre për ta”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Lidhur me të pagjeturit edhe Jelena Miliq, drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike, katër ditë më parë gjatë debatit me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq, që po mbahej në televizionin “Pink”, e ka lëshuar studion pasi që kryeministri serb Vuçiq i ka thënë se ajo po flet kundër interesave të Serbisë.
Ky reagim i kryeministrit Vuçiq ka ardhur pasi që Miliq në një emision tjetër i kishte thënë një opinionisteje serbe se “A e di që ekzistojnë varreza masive të shqiptarëve në Serbi?”.
Dështon gërmimi tek ura e Ibrit
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka bërë të ditur për “Zërin” se të enjten, më 19 janar 2017, ishte planifikuar që të bëhej gërmim vlerësues tek xhamia e djegur pranë urës së Ibrit në Mitrovicë, ku dyshohet se gjatë luftës ka pasur trupa që janë mbuluar. Mirëpo, Gjetaj ka thënë se vetëm një ditë më parë, të mërkurën, janë njoftuar se nuk mund të bëhen gërmime për shkak të ngecjes së pajisjeve teknike për shkak të motit. “Ky informacion për këtë vend sillet me vite të tëra, mirëpo nuk është futur në agjendë, ndonëse është planifikuar disa herë. Është caktuar data për të enjten, por një ditë më parë morëm njoftimin se anulohet për shkak të ngecjes së pajisjeve teknike, për shkak të ndryshimeve klimatike që i krijojnë pengesë makinerisë. Për ne është arsyetim i paqëndrueshëm”, thotë Gjetaj, duke bërë të ditur se edhe tek Varrezat e Myslimanëve në pjesën veriore të Mitrovicës po ashtu janë disa pika të shënuara me vite të tëra dhe nuk hetohet aty. “Po dyshojmë se ka dhe raste të tjera të cilat
neglizhohen pa arsye, prandaj për këtë kam iniciuar çështjen që të mbahet një takim me krejt partnerët që janë të përfshirë, të koordinojmë një plan të veprimit dhe këto kërkesa për gërmime vlerësuese të mos barten prej vitit në vit dhe të hiqen dilemat ka apo s’ka”. Gjetaj kërkon që pjesa profesionale të koordinohet me pjesën praktike dhe të shmangen pengesat apo, sipas tij, shpikja e pengesave nga pala serbe për gërmime edhe të varrezave masive në Serbi. “Në Serbi një varrezë e dyshuar masive në Kishvac të Rashkës është iniciuar nga prokuroria serbe në vitin 2015 dhe është filluar gërmimi në nëntor për t’u ndaluar apo ndërprerë punimet me arsyetimin për shkak të fillimit të dimrit. Pastaj ka vazhduar në mars të vitit 2016 deri në maj dhe përsëri në maj është ndërprerë me arsyetime për mungesë mjetesh, për të vazhduar pastaj më 10 shtator, por që prapë ndërpriten dhe në fund të vitit të kaluar po ashtu në nëntor ka filluar dhe është ndërprerë gërmimi. Pra katër herë ka filluar gërmimi dhe katër herë është ndërprerë”, ka thënë Gjetaj për “Zërin”. Sipas tij, pala serbe ndërpret punimet duke u arsyetuar e duke u bazuar në motin e ligë. “Mirëpo gjatë periudhës së pranverës, verës dhe vjeshtës ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u bërë ky gërmim vlerësues deri në pikën ku dyshohet. Por natyrisht se kur fillohet me punimet në fund të vitit është e pritshme dhe keqësimi i kushteve klimatike”, thotë Gjetaj.
Nuk respektohet Rezoluta e Kuvendit për të Pagjeturit
Gjetaj thotë se janë të pakënaqur edhe me arsyetimet e tjera të palës serbe për mungesë parash. “Këto arsyetime janë të qëllimshme, sepse pala serbe kanë marrë donacione në Kishevac nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Zvicra. Kemi vërejtjen tonë se pse ata keqpërdorin këtë situatë dhe këtë gjendje pa u turpëruar për shkak të veprimeve dhe krimeve që kanë bërë vetë”, thotë Gjetaj. Ai bën të ditur se 75 për qind janë shqiptarë nga numri prej 1660 si të zhdukur, si dhe 35 të tjerë i takojnë përkatësive të tjera në Kosovë. “Ky numër manipulohet nga autoritetet serbe se janë diku 400 persona të zhdukur serbë. Është e paqëndrueshme se jo të gjithë janë serbë, ka edhe të komuniteteve të tjera”. Gjetaj ka thënë se si në njërën anë, ashtu edhe në anën tjetrën procesi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve po zvarritet. “Vitin e kaluar ia kemi dorëzuar palës serbe disa trupa. Dhe vazhdojmë t’i trajtojmë të gjithë ata që gjenden në Kosovë të zhdukur njësoj pa marrë parasysh përkatësinë”, thotë Gjetaj.
Ndërsa Teuta Haxhiu, anëtare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Personat e Pagjetur..., thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka respektuar asnjëherë Rezolutën e Kuvendit që është nxjerrë në vitin 2012 ku pika e parë e kësaj Rezolute e obligon Qeverinë e Kosovës që t’i kushtëzojë bisedimet në Bruksel deri në zbardhjen e të të gjithë të pagjeturve.
“As nga kjo qeveri dhe as nga qeveria e kaluar nuk është ndërmarrë veprim për këtë çështje”, thotë Haxhiu.