'Srpska' mban pezull Ushtrinë e Kosovës

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) vazhdon të mbetet peng nga politika, sidomos nga Lista Serbia e cila duhet të votojë ndryshimet kushtetuese që mundësojnë këtë transferim.

E derisa nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vështirë se do të ketë ushtri të re, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve ushtarake në Kosovë, të cilët thonë se mbajtja e krijimit të ushtrisë peng për shkaqe politike është një gabim tejet i madh i institucioneve dhe partive politike kosovare.

Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Kosova nuk duhet të jetë peng i Listës Serbe.

Ata madje thonë se institucionet e Kosovës duhet të veprojmë shpejt dhe ta bindin edhe palën serbe se krijimi i ushtrisë së Kosovës është edhe në të mirë të tyre, jo vetëm të palës kosovare.

Mundësitë që FSK-ja të transferohet në FAK, të vogla

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja, ka vlerësuar se mundësia që FSK-ja të kthehet në FAK, është shumë e vogël, për shkak të mosgatishmërisë së Listës serbe.

“Mundësitë janë shumë të vogla. Kjo për faktin që spektri politik serb në Kosovë është i vendosur që mos ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës”, ka deklaruar Qehaja, sipas të cilit, deri në ndryshimin e rrethanave politike e të sigurisë, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë në aktivizimin e të ashtuquajturit “Plan B”.

“Ky plan mundëson që FSK-ja ta ndryshojë mandatin, sepse ai si i tillë është i definuar detajisht në ligje por jo edhe në kushtetutë”, ka shtuar Qehaja.

Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se shndërrimi i FSK-së, në FAK është peng i rrethanave politike.

“Transformimi i FSK-së është peng i vendimmarrjes politike apo ndonjë konstelacioni   rrethanash gjeopolitike jashtë nesh. Nëse u referohemi raporteve të punës brenda vetë Ministrisë së Forcës, atëherë FSK-ja ka përfunduar pjesën përkatëse të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë”, ka deklaruar ai.

Shala më tej, ka thënë se është gabim i rëndë po që se një gjë e tillë nuk arrihet për shkaqe të politikave në mes Kosovës e Serbisë.

“Është gabim më i madh në qoftë se procesi i krijimit të FAK-ut  bëhet pre e agjendave të politikave ditore të qarqeve politike në Beograd dhe Kosovë”, ka potencuar ai.

“Zëri” ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, mirëpo e njëjta nuk ka kthyer përgjigje, sado që ka kërkuar që pyetjet t’i përcillen me anë të shkrimit. Kurse, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se FSK-ja është e gatshme të kthehet në ushtri.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s dhe është e gatshme të jetë ushtri e Kosovës”, ka thënë Rama para pak ditësh.

Haradinaj: Ne nuk duhet të jemi peng të Listës Serbe

Nga ana tjetër, Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka vlerësuar se FSK-ja tashmë është ushtri.

“FSK-ja, dorën në zemër, veçse është ushtri”, ka deklaruar Haradinaj.  Sipas tij, Kosova nuk duhet të jetë peng i Listës Serbe për krijimin e ushtrisë.

“Ne nuk duhet të jemi peng të Listës Serbe, duhet të veprojmë shpejt dhe ta bindim edhe Listën “Srpska” që krijimi i ushtrisë së Kosovës është edhe në të mirë të tyre, sepse ata janë qytetarë të Kosovës, e jo të mbesin peng të Serbisë, sikurse kanë mbetur tash e sa kohë”, është shprehur ai për “Zërin”.

Ndërkohë, ka thënë se komisioni është i gatshëm që brenda ditës ta procedojë në Kuvend një gjë të tillë, po që se kryhet procedurat e tjera. Madje, ai ka thënë se u ka shkruar edhe grupeve parlamentare të partive që ta krijojnë një ligj të veçantë për këtë çështje.

Kurse, Zafir Berisha, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka vlerësuar se deklaratat se FSK-ja shumë shpejt do të shndërrohet në ushtri, janë joserioze.

“Ata që kanë thënë këtë gjë janë joseriozë dhe kanë manipuluar me opinionin sepse të njëjtit e dinë se si kthehet në ushtri FSK-ja. Meqë kemi bllokim nga Serbia përmes përfaqësuesve të vetë të listës “Srpska” në këtë çështje, atëherë duhet shikuar një mundësi tjetër për bërjen e ushtrisë”, ka deklaruar ai.

LVV: Duket se as në vitin 2017 nuk do të kemi ushtri

Ndërkohë, Shkodran Hoti nga zyra për medie e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se gjasat që këtë vit të ketë ushtri janë shumë të pakta.

“Qeveria po luan me çështjen e ushtrisë dhe kjo është lojë e keqe dhe e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Fatkeqësia këtu është se as në vitin 2017 duket që nuk do të kemi ushtri dhe kjo më së miri vërehet tek buxheti për këtë vit, ku shihet se për FSK-në janë ndarë vetëm 5 milionë euro, thua se po flitet për shtrim të një rruge”, ka deklaruar ai.

Hoti më tej, ka thënë se kushtet që Lista Serbe po ia bën qeverisë së Kosovës janë të papranueshme.

“Është i papranueshëm kushtëzimi në çfarëdo mënyre e për cilëndo çështje nga Lista “Srpska”, rrjedhimisht Serbia. Prandaj e themi që është domosdoshmëri largimi i kësaj Qeverie, e cila është themeluar duke iu nënshtruar e duke u kushtëzuar nga Serbia”, ka shtuar ai.

Tahiri: Kosova ka nevojë ta ketë ushtrinë e saj

Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se Republika e Kosovës ka nevojë që ta ketë ushtrinë e saj. “Kosova ka nevojë ta ketë ushtrinë e vet në fillim në partneritet, e më vonë anëtare të NATO-s”, ka deklaruar ai. Sipas Tahirit, FAK-u do të ishte faktor për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Forcat e Armatosura të Kosovës si pjesë e arkitekturës mbrojtëse të krahut jugor të NATO-s do të ishin faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka shtuar ai.