S'ka autostradë për Medvegjë

Forumi për Zhvillim Ekonomik i Shqiptarëve në Serbi po kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë që të merren vesh që traseja e autostradës të kalojë nëpër pjesën e Gollakut dhe të depërtojë në Medvegjë. Por, për Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës projekti ka përfunduar dhe krejt çka mund të flitet në këtë drejtim është rehabilitimi i rrugës aktuale

Forumi për Zhvillim Ekonomik i Shqiptarëve në Serbi po kërkon nga Qeveria e Kosovës por edhe ajo e Serbisë që të merren vesh që traseja e autostradës të kalojë nëpër pjesën e Gollakut dhe të depërtojë në Medvegjë.

Nga atje, autostrada që lidh Kosovën dhe Serbinë të lidhet me segmentin tjetër që lidh Azinë me Evropën, përmes autostradës Shkup - Beograd, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Muharrem Salihu, biznesmen shqiptar që jeton në Venecia, bashkë me kryetarin e Bujanocit Shaip Kamberin, nënkryetarin e Preshevës Xhelal Memetin dhe biznesmenë tjerë nga Lugina e Preshevës kanë qenë ditë më parë në një takim tek kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për t'ia paraqitur arsyeshmërinë e ndërtimit të autostradës në drejtim të Leskovcit.

Hashim Thaçi kishte thënë se autostrada me Serbinë do të kalojë nëpër Medvegjë

"Paraprakisht do të kthehem pak mbrapa për këtë temë sepse para një viti ka dalë në shtyp një deklaratë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, tash president, i cili kishte deklaruar se rruga do të kalojë nëpër Medvegjë", thotë Salihu, i cili po lobon për këtë çështje. "Si rezultat i kësaj deklarate ne kemi themeluar një forum për zhvillim ekonomik të shqiptarëve në Serbi. Dhe ky forum përgjatë kësaj periudhe njëvjeçare në gjirin e vet ka ofruar afër vetes një numër të madh të investitorëve ndërkombëtarë që arrin një vlerë investimesh mbi 1 miliard euro. Kjo në sipërfaqen prej Nishit deri në pjesën jugore të Serbisë", ka thënë ai. Salihu ka thënë se është investuar në aspektin kohor shumë për të identifikuar fushat me interes të mundshëm për investime.

"Janë kështu fusha e turizmit, minierave, bujqësisë dhe fusha të tjera. Sot, pas një viti ndodhemi në një fazë kur investimet kanë filluar. Deri më tani vetëm në Medvegjë janë investuar mbi 2 milionë euro dhe jemi para një momenti kur rrezikojmë të ndërpriten investimet tjera pikërisht, për këtë arsye", thotë Salihu.

Ai ka thënë se vizita e Forumit për Zhvillim Ekonomik në Kosovë nuk është e para e këtij karakteri. Sepse, thotë se shqetësimin e tyre kanë filluar ta ngrehin qysh në shtator në një forum të rrjetit të bizneseve ndërkombëtare në New York. "Pastaj shqetësimet i kemi paraqitur edhe në samitin e diasporës në Tiranë, në nëntor, të cilin e organizoi kryeministri Edi Rama", ka thënë Salihu. 

Pas samitit të Tiranës, thotë se kanë pasur edhe një vizitë zyrtare tek kryeministri dhe tek zëvendëskryetari i Parlamentit të Shqipërisë.

Kishim edhe një takim me kryeministrin e Kosovës. "Dhe tani jemi këtu ku jemi. Ne jemi të shqetësuar që si forum na duhet të merremi me këtë punë. Kjo është punë të cilën është  dashur ta bëjnë ata që janë për këto punë. Ne jemi viktimë e këtyre ndryshimeve dhe nuk jemi ne ata që insistojmë të bëhen ndryshime", ka thënë biznesmeni shqiptar Salihu. Mirëpo ai thotë se gjërat sot janë ashtu siç janë në Kosovë, sipas tij qeveritarët shprehen se gjithçka ka mbaruar. "Por nuk mendoj se ka mbaruar gjithçka sepse nëse rruga nuk është ndërtuar nuk ka mbaruar asgjë. Përveç se janë shpenzuar para për të bërë një projekt. Ne nuk do ta kontestojnë projektin ekzistues por sugjerojmë që paralelisht të hapet segmenti fillestar që është më i favorshëm për të tria shtetet. Kjo pasi është për 1/3 -ën më i shkurtër dhe kështu që është më pak i kushtueshëm. Dhe ajo që është më e rëndësishme se këto dy të parat është se duke qenë më i shkurtër edhe në afatin kohor kryhet më shpejt", ka thënë ai. Është paraparë se diku 6 - 7 vjet do të zgjasin punimet e këtij segmenti këtej, kurse këtu brenda 3 vjetëve përfundon gjithçka. Merreni me mend nëse keni një fabrikë që prodhon dhe filloni të shisni pas 7 vjetëve apo filloni të shisni pas 3 vjetëve. Ky është ai ndryshimi esencial që ndikon direkt në kompanitë e vendeve që preken ose kanë interes nga kjo rrugë", ka thënë për "Zërin", Salihu.

Arsyeja tjetër për çka Salihu mendon se Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte më aktive është aspekti i shpronësimit, pasi në pjesën ku po insistohet të bëhet autostrada, sipas tij, shpronësimi është shumë më i lirë. Ai thotë se madje kanë bërë edhe një llogari të detajuar lidhur me koston e autostradës.

 Lidhja me autostradë përmes Leskovcit me Serbinë do të kushtojë 460 milionë euro më pak

"Është llogaritur që në një distancë prej 60 kilometër të ketë galeri prej Leskovcit deri në kufi me Kosovën. Dhe 23 kilometra prej kufirit deri ku është autostrada sot. Kryesisht janë tunele dhe ura. Ka disa dalje. E para, pas nyjës ku ka ngelur tani më duket se është një dalje para Keqekollës dhe një në Keqekollë. Atje parashihet një tunel dhe del në Tullarë. Kjo është kostoja më e lartë e mundshme, 8 milionë euro kurse këtu kam dëgjuar se kanë paraparë 10 milionë euro për kilometër", thotë Salihu. I pyetur se cili është dallimi në çmimin total, ka thënë se vetëm fakti që janë 30 kilometra më pak kushton 300 milionë euro më pak. "Dhe llogarite për 80 kilometra sa është autostrada, 2 milionë euro më pak do të kemi për 80 kilometra", shprehet ai.

Arsyeja tjetër që është akoma më ekonomike kjo rrugë, sipas tij, është fakti se është paraparë që rruga të bëhet kryesisht galeri dhe tunele që eviton koston në perspektivë për mirëmbajtje të rrugës. "Nuk ke të pastrosh pastaj aty borë dhe gjëra të ngjashme", thotë ai.

Sikur të mos kishte tunele dhe ura, një kilometër e kësaj pjese, sipas tij, nuk do të kushtonte as 8 milionë euro. "çështja tjetër është se pjesa e Medvegjës është thuajse e braktisur dhe me këtë formë në heshtje po pranojmë të izolohemi nga kjo pjesë sepse nga Keqekolla e deri në Kamenicë është e zbrazur e tërë popullata si konsekuencë e shpërnguljeve andej kufiri", thotë ky biznesmen shqiptar.

Ai ka thënë se do të kenë bisedime edhe me kryeministrin serb dhe thotë se është i bindur se do të mbizotërojë arsyeja ekonomike. "Esenca kryesore e vizitave tona në këto vende është që vendet e rajonit t'i bindim se vendimmarrja politike të jetë në kahun e dobishmërisë ekonomike për rajonin dhe popullatën", thotë ai.

Por, Lutfi Zharku, ministër i Transportit thotë se projektin aktual e kanë  bërë dhe beson se do të bëhet shpejt shpallja për ndërtimin e pjesës së parë. Ai përmend vetëm segmentin prej Lipjanit deri në Bresalcë të Gjilanit që janë gjithsej 19 kilometra. "Dhe këto do t’i shpallim sipas projektit që kemi bërë. Dhe prej Gjilani të kthehesh për Leskovc është pak problem. Kështu që personalisht nuk besoj se mund të hyjmë në këtë sepse është kryer projekti aktual deri në kufi, Konçul, dhe tek Dheu i Bardhë. Dhe kjo e shtyn komplet ndërtimin e autostradës", ka thënë ministri Zharku.

Sa i përket pjesës tjetër nga Besia në Merdare, ministri i Transportit, Lutfi Zharku, ka thënë se traseja është e përcaktuar. "Dhe mendoj se shumë më shumë mund të bëhet në rehabilitimin e rrugës aktuale që kemi. Por, duke ngritur standarde të rrugëve evropiane, të ngrehësh standardin duke e mirëmbajtur atë rrugë. Përndryshe për autostradë të re andej, personalisht në këtë mandat së paku nuk mendoj se mund të bëjmë diçka të dalim në tjetër anë", ka thënë Zharku.

Ai tha se punimet në autostradën në drejtim të Gjilanit pritet të fillojnë gjatë kësaj vere. "Ne kemi projektin gati dhe po mundohemi që në pranverë ta qesim në tender sepse janë disa procedura para se ta shpallim tenderin". Traseja, tha ministri Zharku, do të jetë komplet e re. Projekti, sipas tij, është komplet i kryer dhe për të janë dhënë 200 mijë euro.