Kosova 'në luftë' me Serbinë dhe Rusinë

Ekspertët kosovarë të sigurisë nuk e përjashtojnë mundësinë e eskalimit të situatës së sigurisë në vend. Sipas tyre, rreziku është edhe më evident kur dihet se Serbia e ka edhe mbështetjen e Rusisë

Pas ngritjes së tensioneve në vend, si rezultat i provokimeve të fundit nga ana e Serbisë, nuk përjashtohet mundësia që gjendja e sigurisë në Kosovë të eskalojë.  

Kështu kanë vlerësuar ekspertët e sigurisë në Kosovë, të cilët kanë paralajmëruar edhe njëherë se interesi nacional i Serbisë është moskonsolidimi i shtetit të Kosovës.

Sipas tyre, situata e fundit në veri të Mitrovicës nuk paraqet vetëm rrezikun nga Serbia, por edhe nga mbështetja e Rusisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e opozitës, pjesë e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, vlerësojnë se pas provokimeve të fundit nga Serbia, situata në Kosovë është mjaft e tensionuar.

Por për dallim prej tyre, përfaqësues të policisë së Kosovës në veri kanë thënë se situata në Mitrovicë aktualisht është e qetë.

Për këtë çështje, përfaqësues të KFOR-it kanë thënë për “Zërin” se KFOR-i është i gatshëm të intervenojnë në çfarëdo situate.

Policia: Situata në veri, e qetë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, ka thënë për “Zërin” se edhe pas tensioneve të fundit, gjendja në Mitrovicën e Veriut aktualisht është e qetë.

“Gjendja është e qetë, pa incidente, pa tensione, nuk ka hapësirë për rrezik. Absolutisht është një ditë e rëndomtë. Situata është e qetë, pa incidente, pa diçka madhore që do të mundë ta rrezikojë sigurinë”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.

Sipas tij, edhe pas provokimeve të fundit nga ana e Serbisë, situata e sigurisë tashmë është në nivel.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, kolonel Max Barbacini, ka deklaruar ditë më parë se KFOR-i është i gatshëm të intervenojë në çfarëdo situate.

“KFOR-i vazhdon ta bëjë punën e tij, siç është mandatar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 1244, dhe është i përgatitur që të merret me çfarëdo lloj situate”, ka thënë kolonel Barbacini.

Megjithëkëtë, sipas tij, veprimet e fundit, gjegjësisht tentimi i trenit rus për t’u futur në Mitrovicë, duhet të diskutohet mes dy palëve, asaj kosovare dhe serbe.

“Kjo është një çështje midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne iu bëjmë thirrje të dyja palëve për vetëpërmbajtje dhe që të angazhohen në dialog”, ka përfunduar Barbacini.

Ramadani: Nuk përjashtohet eskalimi i situatës së sigurisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se pas tensioneve të fundit, nuk mund të përjashtohet mundësia për eskalim të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

“Eskalimi i gjendjes së sigurisë nuk përjashtohet dhe në të njëjtën kohë rrezikon të kthehet në një përkeqësim afatmesëm të stabilitetit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, Serbia ka synim që të mos e lejojë konsolidimin e shtetit të Kosovës, porse Kosova, siç është shprehur Ramadani, nuk duhet të bjerë pre e saj.

“Interesi nacional i Serbisë është moskonsolidimi i shtetit të Kosovës, prandaj edhe investimet e saj drejt ndonjë eskalimi të gjendjes janë të vazhdueshme. Kosova nuk duhet të shkelë në minat e Serbisë”, është shprehur ai.

Ai më tej, ka thënë se Kosova duhet të jetë e vëmendshme, e matur, e vendosur në forcimin e shtetit dhe institucioneve.

“Duhet të jetë e vëmendshme, e matur dhe e vendosur në forcimin e shtetit, institucioneve, kompletimin e Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, integrimin e komunitetit serb, paqen, demokracinë dhe stabilitetin”, ka shtuar Ramadani.

Emini: Muri e treni s’janë fundi i provokimeve

Nga ana tjetër, Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka vlerësuar se situata e fundit në veri të Mitrovicës nuk paraqet vetëm rrezikun nga Serbia, por edhe nga mbështetja e Rusisë.

”Situata e sigurisë e krijuar, sidomos në veri të Kosovës, nuk duhet të shihet e izoluar, pasi që ajo në përgjithësi reflekton politikën agresive që Serbia po e udhëheq në drejtim të Kosovës. Kjo situatë nuk reflekton vetëm rrezikun që Kosova e ka në vazhdimësi nga Serbia, por edhe nga ndikimi dhe mbështetja e Rusisë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, provokimet siç janë muri, arrestimi i Haradinajt e treni rus nuk do të jenë provokimet e fundit nga ana e Serbisë.

“Këto nuk do ta shënojnë fundin e provokimeve, andaj duhet të jemi vigjilentë në zbulimin dhe parandalimin e të tjera veprimeve të tilla, që mund ta destabiliozojnë dhe përkeqësojnë situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara Kosovë - Serbi”, është shprehur Emini.

Sipas saj, veprimet e fundit siç janë ndërtimi i murit në Mitrovicë, ultimatumi i dhënë për themelimin e Asociacionit kanë reflektuar qartazi ndikimin e politikës së Beogradit në Kosovë përmes Listës Serbe.

Kurse, eksperti i sigurisë Drizan Shala ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është e tensionuar.

“Siguria është e tensionuar pas disa incidenteve të ndërlidhura njëra me tjetrën që kanë ndodhur këta muajt e fundit dhe mund të themi që kulmi i tensionimit ishte tentimi për të hyrë në Kosovë një tren nga Serbia”.

Andaj, sipas tij, organet e rendit duhen ta rrisin vigjilencën e tyre në ditët në vijim, në mënyrë që, siç është shprehur ai, të mos zihen të papërgatitur.

Ndërkaq, Zafir Berisha, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në Kosovë është më e rëndë sesa shihet në opinion.

“Situata e sigurisë është më e rëndë sesa paraqitet në opinion sepse tashmë nuk kemi punë me destriksionet serbe ndaj Kosovës por edhe të Rusisë si aleate tradicionale e Serbisë, ku kohëve të fundit e inspiron Serbinë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, situata e ditëve të fundit është produkt i nënshtrimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë.

Ai më tej ka thënë se Serbia do të mbetet një problem për Kosovën edhe për shumë dekada të ardhshme.

“Duke e ditur logjikën politike të Serbisë që nga ardhja e sllavëve në Ballkan në mesjetën e hershme, e cila lidhet me luftën e tyre për territore, unë Serbinë e shoh problem edhe për dekada në të ardhmen”, ka shtuar Berisha.