Muri në Mitrovicë rrënohet në janar

PDK-ja dhe AAK-ja janë pajtuar që muri në Mitrovicë të rrënohet gjatë janarit 2017. Për ta arritur këtë kompromis, subjekti opozitar ka hequr dorë nga kërkesa për shkarkimin e ministres Tahiri, si dhe nga ndërprerja e dialogut në Bruksel, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”

Muri i vendosur para rreth një muaji në Mitrovicën e Veriut, pritet të rrënohet në janar të vitit 2017.

Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Zëri”, sipas të cilave, partia më e madhe në pushtet (PDK) dhe partia opozitare AAK janë pajtuar që të kalojë në Kuvend rezoluta e kësaj të fundit për rrënimin e murit, me kusht që të hiqet kërkesa për shkarkimin e ministres Edita Tahiri dhe të ndërpritet dialogu me Serbinë.

Edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është shprehur e bindur se muri në Mitrovicë do të largohet.

“Draftrezoluta është përgatitur dhe pritet të miratohet. Ky mur është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Ajo megjithatë nuk ka treguar se kur do të largohet muri, por ka thënë se largimi i këtij të fundit do të bëhet në momentin kur Qeveria të marrë një vendim të prerë.

“Heqja e murit do të bëhet në momentin kur Qeveria merr vendim”, ka thënë Tahiri, duke theksuar se muri i vendosur ilegalisht ka krijuar tensione mes palëve, ndërsa këtë situatë do ta qetësonte, sipas saj, vetëm largimi i tij.

“Debati në Kuvendin e Kosovës ka shprehur qëndrimin unanim të të gjitha grupeve parlamentare, por edhe të Kryetarit të Kuvendit, se muri duhet të hiqet dhe kjo çështje do të zgjidhet”, ka përfunduar Tahiri.

LVV: Muri, vetëm njëri nga problemet e dialogut në Bruksel

Në anën tjetër, në subjektin opozitar më të madh në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), vlerësojnë se muri në Veri do të largohet vetëm me ndërprerjen e dialogut Prishtinë –Beograd. Deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu, në një përgjigje për gazetën “Zëri”, ka thënë se muri është rezultat i bisedimeve në Bruksel.“Problem kryesor i Kosovës janë negociatat me Serbinë. Këto negociata e kanë sjellë edhe këtë mur, dhe fajtor për gjithë këtë është Hashim Thaçi e Edita Tahiri, si dhe Isa Mustafa që me zell po  i vazhdon këto negociata të padrejta dhe kundër interesit shtetëror e kombëtar”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, përderisa vazhdojnë negociatat, muri do të jetë vetëm njëri nga problemet. “Një shtet i pavarur e sovran nuk e duron një mur të tillë brenda territorit të tij. Ne duhet para se gjithash e mbi të gjitha të shqetësohemi për fatin e Republikës sonë. Ne duhet ta ruajmë shtetësinë tonë, dhe kushti për këtë është ndalja e negociatave dhe kushtëzimi i Serbisë”, ka potencuar Haxhiu.

Deputetja më vonë ka theksuar se situata në Kosovë do të ndryshojë vetëm me kushtëzimin karshi shtetit serb.

Kurse, shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka vlerësuar se duhet të qartësohet sovraniteti i shtetit tonë përballë Serbisë. “S'duhet të mendohet për pasojat në raport me Serbinë, por për pasojat brenda Kosovës nëse ai mur nuk hiqet. Duhet të bëhet e qartë se shteti ynë është sovran dhe i palëkundur përballë Serbisë”, ka deklaruar Lekaj.

Më vonë ai ka bërë të ditur se opozita gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë e zëshme në kërkim të një zgjedhjeje për murin. “Ne si kuvend, sidomos si opozitë e sidomos si Grup Parlamentar i AAK-së, kemi bërë çdo gjë që ai mur të hiqet nga aty, e të mos mbetet edhe një problem shtesë nga shumë probleme të tjera që ekzistojnë në atë pjesë”, ka thënë ai.

Maliqi: Veriu do të mbetet problem i pazgjidhshëm edhe në 2017-n

Në anën tjetër, Agon Maliqi, njohës i rrethanave politike në vend, beson se veriu do të mbetet problem i pazgjidhshëm edhe në 2017-n. “Muri është prodhim mendësish ushtarake. Mendoj se veriu në përgjithësi do të mbetet problem i pazgjidhshëm edhe në vitin 2017, muri është vetëm simptomë”.

Tutje, Maliqi thotë se fati i murit varet nga negociatat në Bruksel. “Ndoshta do të arrihet ndonjë kompromis i ri, por gjithçka varet nga rrjedha e përgjithshme e negociatave në Bruksel, të cilat po prodhojnë shumë pak rezultate. Pa dialog organik mes komunitetit të veriut dhe shqiptarëve vështirë se do të ketë zgjidhje të qëndrueshme”, ka shtuar ai.

Sipas Maliqit, e ardhmja e veriut është e paqartë. “Është e paqartë se çfarë do të ndodhë me veriun në vitin 2017. Thuajse gjithçka varet nga Serbia dhe nga strategjia e saj në Bruksel, ku për çdo lëshim që e bën shkon prapa në diçka tjetër”, ka deklaruar më tej ai.

Ndryshe, Maliqi vë në pah edhe faktin e krijimit të pasigurisë mes serbëve e shqiptarëve në Mitrovicë.  “Në anën tjetër, komuniteti i serbëve të veriut e kanë të instaluar frikën nga ndonjë sulm i mundshëm i shqiptarëve dhe duan ta mbyllin kalimin kryesor për në veri për qarkullim mjetesh dhe ta bëjnë me të kontrollueshëm vërshimin e turmave të këmbësorëve”, ka përfunduar Maliqi.