Cilësia në arsim, problem i trashëguar
Politizimi e ka degraduar arsimin deri në atë shkallë, saqë rezultatet negative janë evidente. Kështu deklaroi në intervistën dhënë “Zërit” drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci. Sipas tij, lidhjet politike i dobësojnë linjat e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies që është aspekti tjetër i degradimit në arsimim
Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, në intervistën dhënë për “Zërin” apelon te institucionet vendore që të sigurohet buxhet për zbatimin e Strategjisë 5-vjeçare të Arsimit, e cila parashikon një buxhet prej 176 milionë eurosh. Ai kërkon që të zbatohen strategjitë e aprovuara në sigurimin e cilësisë në arsim, të forcohet llogaridhënia dhe të analizohen shkaqet që kanë sjellë deri tek rezultati i dobët në testin e PISA-s. Pupuvci thotë se nuk duhet t’i adresohet gjithë përgjegjësia ministrit të Arsimit, sepse testi është mbajtur vetëm tre muaj pasi ministri aktual e ka marrë mandatin.
Zëri: Rezultatet e testit PISA treguan njohuri të dobëta të nxënësve në lëndët themelore, çka i parapriu dhe i solli cilësi të dobët në shkolla?
Pupovci: Një numër i këtyre nxënësve mund të kenë njohuri solide, por nuk janë aftësuar t’i zbatojnë ato në praktikë. Deri në fund të viteve të 80-ta shkolla jonë ka qenë e bazuar në modelin sovjetik, i cili nuk e ka kultivuar aspektin praktik të njohurive. Në vitet e nëntëdhjeta ka luftuar për mbijetesë, ndërsa në shekullin XXI, siç po shihet nga rezultati, nuk ka arritur të përqendrohet në aftësimin e nxënësve për t’i zbatuar njohuritë në jetë.
Zëri: Zyrtarë të lartë të arsimit zakonisht përmendin rënien e cilësisë në shkolla, a ka pasur vërtet cilësi në arsim që nga paslufta?
Pupovci: Cilësia ka qenë gjithnjë problem në shkolla dhe në arsimin e lartë, në veçanti në 15 vjetët e fundit. Në fakt, ajo ka shkuar duke degraduar, ndërkohë që për qëllime të ndryshme politike ose për injorancë problemet janë fshehur. Një kohë është luajtur me kartën se “nuk kemi kushte”, pastaj me kartën e pagave të ulëta në arsim dhe në fund është shpërfaqur problemi gjithnjë i pranishëm i mungesës së cilësisë.
Zëri: Por janë hartuar e janë miratuar disa strategji arsimore, si dhe është bërë reformimi i sistemit arsimor gjithmonë duke u thirrur sipas standardeve evropiane, çka nuk u bë që ngelëm si shtet larg këtyre standardeve në arsim?
Pupovci: Në masë të madhe nuk janë zbatuar strategjitë e hartuara, qoftë për mungesë përkushtimi ose për mungesë buxheti. Kështu, në vitin 2001 është hartuar një kornizë kurrikulare bashkëkohore, e cila pikërisht e ka pasur në qendër të vëmendjes pajisjen e nxënësve me shkathtësi të shekullit XXI, si këto që i mat PISA. Por, ajo kornizë është neglizhuar dhe ka vazhduar puna me planprograme të ngarkuara me informacione të cilat nuk janë atraktive për nxënësin. Gjatë kohës së ndarjes së pushtetit me UNMIK-un janë çmontuar të gjithë mekanizmat e sigurimit të cilësisë, që i ka pasur Kosova si entet pedagogjike komunale, janë larguar pedagogët nga shkollat dhe, praktikisht, mësimdhënësit janë lënë pa mbikëqyrje dhe mbështetje profesionale. Pastaj, nuk është arritur që testet kombëtare të jenë kredibile, por në to ka pasur kopjime masive, duke ndikuar kështu në uljen e motivimit të nxënësve për të mësuar në vazhdimësi.
Zëri: Sa e bën përgjegjës udhëheqësin e Ministrisë së Arsimit ky rezultat i PISA-s, si dhe udhëheqësit paraprakë të këtij dikasteri qeveritar?
Pupovci: Testi është organizuar tre muaj pasi ministri aktual e ka marrë mandatin, kështu që do të ishte e padrejtë t’i atribuohej përgjegjësia për këtë rezultat. Megjithatë, Ministria është institucion dhe ka vazhdimësi veprimi, prandaj nuk mund të thuhet se Ministria e Arsimit, pavarësisht kush ka qenë ministri, nuk ka përgjegjësi për një rezultat të tillë.
Kjo Ministri ka përgjegjësinë për hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore dhe është shumë e qartë se në këtë aspekt ka pasur ngecje. Ndonjëherë kanë qenë edhe ndërhyrje nga nivele më të larta të Qeverisë, por kjo nuk e devijon adresën e përgjegjësisë pasi Ministria është vetëm një dikaster qeverie.
Zëri: Drejtorët e institucioneve arsimore akuzohen se janë emëruar nga njerëzit partiakë në këto pozita, sa është e përfshirë politika në këtë degradim të sistemit arsimor?
Pupovci: Praktika ka treguar se shumica e kryetarëve të komunave në Kosovë kanë shprehur preferencën që t’i emërojnë drejtorët e shkollave nga radhët e subjektit të tyre politik ose koalicionit qeverisës në nivel komune. Ngjashëm është vepruar, shumë shpesh, edhe me punësimin e mësimdhënësve, pasi elitat politike lokale kanë pak mundësi të punësojnë militantë partiakë përveçse në arsim, shëndetësi dhe në administratën komunale. Ky lloj politizimi e ka degraduar arsimin, pasi nuk janë punësuar medoemos më meritorët. Po ashtu, lidhjet politike i dobësojnë linjat e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies që është aspekti tjetër i degradimit.
Zëri: Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, pati deklaruar një vendim të tij që të testohen mësimdhënësit, ndërkohë që pas reagimit të Sindikatës dhe të mësimdhënësve ky test u anulua, cila është rruga që duhet ndjekur që mësimdhënësit të kenë nivelin e duhur?
Pupovci: Kosova është duke e ndërtuar një sistem të licencimit të mësimdhënësve i cili përfshin në vete edhe vlerësimin e performancës. Besoj se zbatimi i licencimit do të stimulojë punën më të mirë në klasë. Strategjia për Sigurimin e Cilësisë parasheh që në shkolla të emërohen koordinatorë të cilësisë dhe të krijohen grupe funksionale të mësimdhënësve që bashkëpunojnë në mes vete për avancimin e mësimdhënies në fushat e ndryshme lëndore. Po ashtu, parasheh që Inspektorati i Arsimit të bëjë vlerësim të jashtëm të shkollës që duhet të shërbejë si bazë për llogaridhënie. Pra, të gjitha dokumentet janë – vetëm duhet të zbatohen.
Zëri: A është edhe buxheti i ulët, i cili ndahet për arsimin, një nga faktorët që kemi këtë rezultat?
Pupovci: Buxheti i arsimit është i ulët edhe si total, edhe si shpenzim për kokë nxënësi. Duhet ta kemi të qartë se ne kemi një numër jashtëzakonisht të madh të fëmijëve të moshës shkollore në raport me vendet tjera me popullsi të ngjashme.
Këtë vit është kalkuluar se mungojnë rreth 9 milionë euro për përmbushjen e nevojave elementare të shkollave. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e buxhetit shpenzohet për paga, rritja e të cilave është bërë për qëllime elektorale dhe duke zvogëluar buxhetin operacional të shkollës.
Strategjia 5-vjeçare, e aprovuar këto ditë, ka një kosto prej 176 milionë eurosh prej të cilave 90 milionë euro duhet të sigurohen, qoftë nga buxheti i Kosovës ose nga donatorët. Bëhet fjalë për shumë të barasvlershme me 10 km autostradë dhe do të ishte zhgënjim i madh nëse Strategjia mbetet pa u zbatuar në mungesë të buxhetit.
Zëri: Hapja e universiteteve të reja publike që zakonisht janë premtuar në kohë fushatash, si dhe studentë të cilët kopjojnë për të marrë një diplomë sa e bëjnë përgjegjës nivelin e arsimit të lartë për atë në arsimin parauniversitar?
Pupovci: Problemet në arsimin e lartë reflektojnë në gjithë shoqërinë dhe, pa dyshim, reflektojnë edhe në arsimin parauniversitar, pasi në arsimin e lartë bëhet përgatitja e mësimdhënësve të ardhshëm. Universitetet e reja janë hapur, kryesisht, për qëllime elektorale, ndërsa përgjimet e fundit po na tregojnë se si janë menaxhuar.
Sfidë e veçantë është sigurimi i kuadrit akademik të kualifikuar për të gjitha këto institucione, pasi Kosova ka numrin më të madh të studentëve në 100 mijë banorë në Evropë. Kuptohet se kur është një profesor që punon me 300 studentë, atëherë forma e preferuar e vlerësimit do të jetë testi me shumë alternativa dhe në testet e tilla kopjohet. Pastaj, shumë profesorë nuk i kushtojnë fare kujdes mentorimit të temave të diplomës dhe kjo nxit plagjiatrizmin tek studentët. Kështu ndodh që njerëzit të diplomojnë, madje edhe të bëhen mësimdhënës pa i fituar në masë të duhur pikërisht ato aftësi që i mat PISA – pra për t’i zbatuar njohuritë në jetë.
Zëri: Për të mos u përsëritur ky rezultati i PISA-s cilat masa duhen ndërmarrë nga shteti në sektorin e arsimit?
Pupovci: Mendoj se, për fillim, mjafton të zbatohen strategjitë e aprovuara së voni, sidomos në fushën e sigurimit të cilësisë. Gjatë mbajtjes së testit PISA është dëshmuar se edhe në Kosovë mund të organizohet një test pa kopjim. E njëjta gjë duhet të ndodhë me testet kombëtare që i organizon MASHT-i në fund të klasës së nëntë dhe të 12-të. Një test kombëtar ku nuk ka kopjim i shuan të gjitha “shpresat” e nxënësve dhe prindërve se mund të kalojnë pa mësuar, ashtu si i shuan “shpresat” e ndonjë mësimdhënësi ose drejtori se mospuna mund të kalojë pa u vërejtur.
Kështu forcohet llogaridhënia. PISA na tregon se ku jemi, por nuk na tregon cilat janë shkaqet që kanë sjellë deri tek kjo situatë. Ato shkaqe duhet t’i gjejmë vetë, duke i analizuar rezultatet e testit brenda një kohe sa më të shkurtër. Këto analiza do të nxjerrin edhe veprime të tjera që duhet të ndërmerren në ndryshime kurrikulare, të teksteve dhe qasjeve pedagogjike.
Zëri: A do ta ketë fatin e njëjtë ky rezultat i dobët i nxënësve, siç rëndom jemi mësuar vetëm pak ditë të debatohet dhe të harrohet problemi?
Pupovci: Jemi dëshmitarë të faktit se shumë afera janë harruar brenda ditësh ose javësh, ndërsa protagonistët e tyre kanë kaluar pa asnjë ferrë në këmbë. Edhe kjo është pasojë e sistemit të arsimit, i cili nuk e ka përgatitur qytetarin të jetë mendimtar kritik, të jetë qytetar i përgjegjshëm. Prandaj edhe nevojitet presioni publik për ta ndryshuar sistemin e arsimit, sepse kështu ndryshojmë vetveten dhe krijojmë kushte për një të ardhme më të mirë.