Serbia më agresive ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste për “Zërin” ka deklaruar se Serbia është bërë shumë agresive në raport me Kosovën. Sipas tij, fqinjin verior ka filluar ta pengojë pothuajse kudo prania jonë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se mosnjohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së nuk paraqet fare problem për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përkundrazi, ai ka thënë se katër nga këto vende tashmë e kanë njohur pasaportën e Kosovës, proces ky i cili, siç është shprehur ai, e ndihmon mjaft liberalizimin.

“Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga këto vende nuk ka qenë asnjëherë problem për liberalizmin e vizave apo kusht i vënë. Përkundrazi, përmbushja e kritereve të brendshme për Kosovën është kushti evropian”, ka deklaruar ai gjatë një interviste për “Zërin”.

Hoxhaj më tej ka thënë se së fundmi ka marrë përkrahje edhe nga vendet e Vishegradit për proceset eurointegruese të Kosovës.

Ndërkohë, ka vlerësuar se Serbia është bërë shumë agresive në raport me Kosovën dhe, ashtu si ai ka deklaruar, atë ka filluar ta pengojë pothuajse kudo prania e saj.

Ministri i Punëve të Jashtme gjatë intervistës për “Zërin” ka folur edhe rreth Marrëveshjes për Qasjen në Programet e Bashkimit Evropian, me ç’rast ka konsideruar se kjo marrëveshje është shembulli tipik i një qasjeje të re në politikën e jashtme të Kosovës.

Përkrahja për liberalizim të vizave nga vendet e Vishegradit

Zëri: Gjatë qëndrimit tuaj në Poloni keni thënë se keni marrë përkrahje për heqje të vizave për Kosovën, çfarë përkrahje keni marrë konkretisht?

Hoxhaj: Unë jam takuar me disa ministra të Punëve të Jashtme të vendeve të Vishegradit si: Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia, të cilët i kam informuar në detaje për progresin në Kosovë dhe sa jetike është për qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Edhe pse këto vende në situata të caktuara janë rigide për shkak të kontekstit të brendshëm, vlerësoj se nuk ka kurrfarë hezitimi nga ana e tyre kur bëhet fjalë për mbështetjen pozitive të tyre për liberalizimin e vizave. Prandaj edhe në takime më është konfirmuar gatishmëria e tyre për ta përkrahur Kosovën, ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani në proceset eurointegruese.

Zëri: Janë 5 vende të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, ndërkohë që dihet se pa këto njohje nuk mund të ketë liberalizim, a ka diçka të re në këtë drejtim dhe a pritet ndonjë njohje së shpejti prej tyre?

Hoxhaj: Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga këto vende nuk ka qenë asnjëherë problem për liberalizmin e vizave apo kusht i vënë. Përkundrazi, përmbushja e kritereve të brendshme për Kosovën është kushti evropian. Për më shumë nga këto vende, katër prej tyre e kanë njohur pasaportën e Kosovës dhe ky nuk mund të jetë një argument që shkon në dëm të liberalizimit të vizave, por që e ndihmon këtë proces. Pastaj, Kosova ka një nivel të marrëdhënieve të ndryshme me secilën prej këtyre vendeve evropiane dhe disa prej tyre edhe pse nuk e kanë njohur Kosovën sillen sikur ta kenë njohur dhe disa të tjera janë më rigide. Duhet përmendur këtu faktin që çdoherë është përkrahur perspektiva evropiane për Kosovën, qoftë me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së apo edhe me ngjarjen e javës së kaluar kur në emër të Kosovës, si ministër i Jashtëm nënshkrova Marrëveshjen Kornizë për Qasjen në Programet e BE-së.  

Zëri: Për liberalizim të vizave Kosovës i është vendosur si kusht edhe ratifikimi i Demarkacionit, ndërkohë që ka pasur deklarata se Mali i Zi është i gatshëm të pranojë që të hiqet ky kusht për Kosovën. Sa mund të ndodhë një gjë e tillë?

Hoxhaj: Kushti nuk është vendosur nga Mali i Zi, por nga BE-ja. Pra duhet ta kuptojmë drejt këtë situatë që Podgorica asnjëherë nuk e ka vendosur këtë kusht dhe as që është përpjekur ta interpretojë si të tillë apo edhe ta përdorë kësisoj. Në të vërtetë është BE-ja që i ka kërkuar Kosovës të këtë një vendim të obligueshëm ligjor nga Kuvendi i Kosovës me fuqi juridike. Pra që ratifikimi të kalojë nëpërmjet institucionit të ligjvënies. Ndërsa qasja malazeze flet për vullnetin e mirë, për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe për një mirëkuptim që ekziston në mes dy vendeve tona. Flet për atë se si vija kufitare nuk është fare një çështje e kontestuar mes dy shteteve, por një çështje e brendshme politike mes Qeverisë dhe opozitës në Kosovë. Pra asnjëherë kjo situatë kryekëput e brendshme politike nuk është parë në prizmin e një mospajtimi mes Kosovës dhe Malit të Zi. Këtë e vlerësoj si një gjest më shumë se miqësor nga ana e Malit të Zi.  Megjithëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në një vendim për këtë vit nga BE-ja, ne duhet të shikojmë rrugë dhe modele se në çfarë forme të lëvizim në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë. Nuk është në interes të Kosovës që qytetarët të mbesin pa viza dhe që Kosova të mos ketë progres të brendshëm. 

Zëri: Kosova është paraqitur pa fusnotë në Grupin e Vishegradit, çka do të thotë kjo për Kosovën?

Hoxhaj: Polonia e ka njohur Kosovën dhe ne kemi marrëdhënie të mira me këtë shtet. Edhe pse të gjitha vendet e Vishegradit nuk e kanë njohur Kosovën, ato e kanë mbështetur perspektivën evropiane të Kosovës në çdo hap. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që agjendën e integrimit tonë evropian ta përdorim për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar në Evropë. 

Me rëndësi Kosova e Serbia t’i normalizojnë raportet, jo unë dhe Daçiqi

Zëri: Pas kësaj reagoi homologu juaj serb, Ivica Daçiq. Sa do të jenë pengesë për inkuadrimin në BE këto raporte me Serbinë?

Hoxhaj: Serbia është bërë shumë agresive në raport me Kosovën. Dhe fqinjin tonë verior ka filluar ta pengojë pothuajse kudo prania e Kosovës. Ata nuk arrijnë ta kuptojnë dhe durojnë praninë tonë në pjesë të ndryshme të botës qoftë në vizita bilaterale apo edhe në konferenca multilaterale. Prandaj, sa herë që ministri i Jashtëm serb do të bëjë përpjekje ta dëmtojë interesin shtetëror të Kosovës, ne do ta mbrojmë atë me vendosmëri të duhur.  Por edhe si ministër i Jashtëm i Kosovës në situata të tilla unë e prezantoj një qëndrim parimor që është interesi i shtetit dhe jo pikëpamje personale. Për mua është me rëndësi se si Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet ndërshtetërore, ndërsa nuk është qëllimi im çfarë raportesh personale kam me Ivica Daçiqin.

Zëri: Së fundmi keni nënshkruar Marrëveshjen për Qasjen në Programet e BE-së. Në cilat programe pritet të ketë qasje Kosova dhe çfarë efekti ka për Kosovën një gjë e tillë?

Hoxhaj: Kjo marrëveshje para së gjithash është e rëndësishme sepse është marrëveshja e dytë bilaterale mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së vitin e kaluar. Dhe fakti që kjo marrëveshje është nënshkruar nga unë, si ministër i Jashtëm, dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, ia jep këtë simbolikë. Për më shumë, ne bëjmë përpjekje ta prezantojmë një politikë të jashtme që i promovon interesat e brendshme të Kosovës dhe që qytetarët të përfitojnë maksimalisht. Kjo marrëveshje është shembulli më tipik i kësaj qasjeje të re në politikën tonë të jashtme. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen Kornizë me BE-në ku kemi qasje në 17 programe sikurse ato të lidhura me punësimin, ndërmarrësinë, me ambientin, me arsimin, kërkimin shkencor e deri shoqëria civile dhe mediet. Por, ne do ta kemi së shpejti një debat të brendshëm në Qeveri dhe në shoqëri se në cilat programe jemi të interesuar të kemi qasje. Pikëpamja ime për fillim është të kemi qasje në pesë programe më jetike për ne sepse për çdo program edhe Kosova duhet të reagojë në mënyrë reciproke me mbështetje financiare.