Thaçit i përzihen kompetencat, sillet si 'shef' i PDK-së
Presidenti, Hashim Thaçi, para pak ditësh mori pjesë në një takim me mësimdhënësit e komunës së Kaçanikut, por edhe me disa militantë të Malishevës. Ai gjatë këtij takimi u premtoi mësimdhënësve se nëse vjen vendimi për rritje pagash, ai do ta përkrahë. Analistët politikë dhe opozita këto takime të Thaçit i konsiderojnë antikushtetuese. Sipas tyre, Thaçi akoma po sillet si “shefi” i PDK-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të frymojë si kryeministër i vendit dhe lider partie duke u takuar me mësimdhënës e militantë partiakë të PDK-së, partisë që e drejtoi zyrtarisht 16 vjet.
Ai madje nuk po heziton t’u premtojë rritje pagash e “beneficione” të tjera mësimdhënësve, kryesisht në vendet ku ka më shumë mbështetje.
Por, pjesëmarrja e tij nëpër takime me mësimdhënësit e anëtarët e PDK-së shihet si një veprim jo i duhur dhe antikushtetues nga opozita, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Madje edhe shoqëria civile dhe politologët kosovarë kanë vërejtje në mënyrën sesi po sillet Thaçi si president.
Madje disa po vlerësojnë se Thaçit po i përzihen kompetencat, pasi për 16 vjet është thirrur si “Shefi i Madh”.
Analistët politikë vlerësojnë se presidenti, Hashim Thaçi, mbetet një figurë jounifikuese për qytetarët e Kosovës. Sipas tyre, Thaçi paraqitet me deklarata që e cenojnë nenin e Kushtetutës, i cili e sanksionon rolin e presidentit si figurë politike unifikuese karshi interesave të qytetarëve.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh mori pjesë në një takim me mësimdhënësit e komunës së Kaçanikut. Ai gjatë këtij takimi u premtoi mësimdhënësve se po qe se vjen vendimi për rritje pagash, ai do ta përkrahë. “Sonte nuk kam ardhur për t’u premtuar mësimdhënësve se do t’ua rrisë pagat, por nëse Qeveria e Kosovës do të merrte një vendim të tillë atëherë unë do t’ju përkrahë, por nëse është nevoja edhe do t’ju inkurajoj”, ka deklaruar Thaçi.
Ndërkaq, para rreth 10 ditësh u raportua se Thaçi u takua me anëtarë të ish-partisë së tij, PDK-së. Ai takoi kryetarin e Degës së PDK-së në Malishevë, Isni Kilajn, bashkë me disa anëtarë të tjerë të po këtij subjekti.
Thaçi ende sillet sikur e përfaqëson PDK-në
Analisti politik, Krenar Shala, ka vlerësuar se presidenti Hashim Thaçi akoma sillet sikur të ishte brenda partisë politike. “Presidenti, duke e pasur parasysh rolin e tij të deridjeshëm, ende sillet sikur e përfaqëson ish-partinë e tij me deklarata publike të cilat e cenojnë nenin e Kushtetues që e sanksionon rolin e presidentit si figurë politike unifikuese karshi interesave të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, takimet e fundit të Thaçit me anëtarë të PDK-së dhe mësimdhënës tregojnë se ai nuk mund ta përfaqësojë interesin e qytetarëve. “Takimet me mësimdhënësit në Malishevë dhe Kaçanik, si dhe deklaratat e njëanshme sa i përket çështjes së Demarkacionit dhe Asociacionit e dëshmojnë që ky president e ka të pamundur ta përfaqësojë interesin e qytetarëve pa dallim”, ka theksuar Shala.
Sipas tij, zgjedhja e Thaçit nën rrethana të jashtëzakonshme i ka konvenuar PDK-së për ta zgjatur kapjen edhe në institucionin e Presidencës.
Nga ana tjetër politologu dhe ish-këshilltari i presidentes, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar se premtimet për rritje pagash për mësimdhënësit janë të qëlluara dhe se një premtim të tillë mund ta bëjë publik vetë presidenti. “Premtimi për rritje pagash për mësimdhënësit është i qëlluar dhe duke pasur parasysh faktin se koalicioni qeverisës është i fortë dhe unik, këtë premtim mund ta realizojë. Sigurisht ka koordinim të plotë që këtë rritje ta bëjë publike presidenti e jo kryeministri, apo ministri i Arsimit”, është shprehur ai.
Kurse, sa i përket takimeve me anëtarët e PDK-së Tahiri ka vlerësuar se një gjë e tillë mund të konsiderohet si shkelje kushtetuese.
“Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete partiake mund të konsiderohet shkelje kushtetuese nëse është pjesëmarrje aktive. Duhet kujtuar se Fatmir Sejdiu u hoq prej Gjykatës Kushtetuese nga funksioni i presidentit pikërisht sepse u konstatua se ushtroi edhe funksion partiak”, ka shtuar ai.
Opozita: Thaçi po i tejkalon kompetencat e presidentit
Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se presidenti Thaçi nuk është unifikues. “E kemi thënë edhe më herët se presidenti Thaçi nuk paraqet një figurë unifikuese dhe nuk gëzon besim as në mesin e subjekteve politike e as tek qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, me veprime të tilla, të cilat nuk janë në kompetencën e Thaçit, ai po i bën fushatë Partisë Demokratike të Kosovës.
“Duke mos e përfaqësuar unitetin e popullit, që është pasojë e veprimtarisë së tij në të kaluarën, Thaçi shpesh po ndërmerr veprime që i tejkalojnë kompetencat e tij ose që nuk janë fare në përputhje me atë çka i takon një presidenti. Kjo po shfrytëzohet për t’i bërë fushatë partisë për PDK-në, me të cilën parti ishte kryeministër dy mandate”, ka shtuar ajo.
Përpos kësaj, Haxhiu ka vlerësuar se Thaçi tashmë e ka humbur ndikimin edhe në PDK.
“Përderisa nuk e paraqet unitetin e popullit, ai po tenton që këtë rol ta luajë të paktën brenda PDK-së, ku tashmë edhe aty e ka humbur mjaft shumë ndikimin”, është shprehur deputetja e LVV-së.
Thaçi, ende aktiv në PDK
Ndërkaq deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është ende me njërën “këmbë” në politikën partiake. “Këto takimet me strukturat aktive të ish-partisë së tij, po ashtu edhe me mësimdhënës tregojnë se ky është ende me njërën këmbë në politikën aktive partiake dhe ka për agjendë që sa më shumë ta përdorë Zyrën e Presidentit për qëllime të PDK-së dhe koalicionit qeverisës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Ajo më tej ka thënë se lëvizjet e tij nëpër Kosovë tregojnë se ai nuk është i pranueshëm në bashkësinë ndërkombëtare.
“Këto sorollatje nëpër Kosovë, pa asnjë ide, të Hashim Thaçit janë treguesi më i mirë se sa pak është i pranueshëm jashtë vendit presidenti i PDK-LDK-së”, ka vazhduar ajo.
Sipas saj, Thaçi tanimë po vepron vetëm sa për të treguar se ai ende është në politikë.
“Tani vepron si ‘pula pa kokë’ me një agjendë totalisht partiake nën sqetull, duke mos lënë gurë pa lëvizur vetëm për të treguar se ende ekziston në politikë”, ka potencuar deputetja e AAK-së.
Veprimet e presidentit, antikushtetuese
Kurse shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se veprimet e fundit të Thaçit janë antikushtetuese.
“Ftesa e z. Thaçit, drejtuar punëtorëve të arsimit si në Kaçanik, ashtu edhe në Drenas përbën shkelje të rëndë të Nenit 83 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në të cilin thuhet qartë se ‘Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës’”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, këto takime të presidentit të Kosovës po mbahen për të ushtruar presion mbi individë të caktuar, në mënyrë që të votojnë për kandidatët e PDK-së.
“Z. Thaçi po e vazhdon politikën e tij të manipuluar dhe politikën e mashtrimit sepse organizimi i një darke të tillë është ushtrim i drejtpërdrejtë i presionit mbi punëtorët e arsimit për interesa partiake dhe atë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të Komunës, që pritet të mbahen në Drenas”, ka shtuar më tutje deputetja e “Nismës”.
“Zëri” ka bërë përpjekje të marrë përgjigje edhe nga partia e ish-presidentit, por përfaqësuesit e kësaj partie nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.