Dy vëllezërit e ndarë nga jeta të Vetëvendosjes

Vdekja e sotme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari, nuk është humbja e parë për familjen Dehari nga Kumanova. Vëllai i Astritit, Arbnor Dehari, ish-Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë, kishte ndërruar jetë para rreth dy vitesh.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili po mbahej prej 68 ditësh në paraburgim, dyshohet se ka kryer vetëvrasje sot në burgun e Prizrenit.

E të njëjten gjë e kishte bërë vëllai i tij, Arbnor Dehari, ish-sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, më 11 qershor të vitit 2014. Ai pati kërcyer nga kati i gjashtë i një ndërtese në Prishtinë. Ngjarja kishte ndodhur në lagjen Mati I në Prishtinë.

Astrit Dehari, i cili vdiq sot në Prizren, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 30 gusht të këtij viti, nën akuzën se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës kishte ndodhur më 4 gusht.

Ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje në burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej 68 ditësh.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej, për 67 ditë Astrit Dehari. Ata kërkuan lirimin e aktivistit të lëvizjes së tyre.