KEDS-i dyfishon faturat

Faturat e fundit të energjisë elektrike, thuajse janë edhe një herë më të larta se sa ato të muajit paraprak. Zyrtarë të KEDS-it nuk janë përgjigjur rreth ankesave që janë adresuar gjatë ditëve të fundit. Por, në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile thonë se institucionet duhet të nisin hetime rreth manipulimeve të tilla

Shumë konsumatorë janë drejtuar dyerve të KEDS-it, pasi që faturat e energjisë për muajin e fundit janë dukshëm më të larta se sa ato të muajit paraprak.

Qytetarët e kontaktuar nga gazeta “Zëri” thonë se me gjithë shfrytëzimin e paktë të energjisë, gjatë këtij muaji, faturat u kanë ardhur shumëfish më shtrenjtë se muajve të kaluar.

Ata akuzojnë KEDS-in se sa herë aplikohen tarifat dimërore faturat janë marramendëse.

Por, në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it kanë mohuar një gjë të tillë.

Azem Hajdini nga Prishtina ishte drejtuar kah distribucioni i KEDS-it për të bërë një ankesë.

Ai thotë se fatura e fundit e muajit tetor i ka ardhur shumëfish me e shtrenjtë se e muajit të kaluar. Ai akuzon KEDS-in se i ka dërguar faturën paushall duke e ngarkuar atë me një çmim më të lartë se sa që ka shpenzuar.

Ai thotë se fatura e muajit tetor i ka ardhur 74 euro, përderisa muajve të kaluar kishte paguar rreth 30 euro.

“Nuk kam qenë në shtëpi në momentin kur punëtorët e KEDS-it kanë ardhur që të lexojnë orën, se ata asnjëherë nuk tregojnë se kur vijnë pasi që ora gjendet jashtë objektit ku banoj. Muajin tetor fatura më ka ardhur 74 euro, përderisa muajve të kaluar fatura nuk më ka ardhur më shumë se 30 euro. Sipas një llogaritjeje që e kam bërë ka dalë se fatura e një njehsori është tri herë më e shtrenjtë se që kam shpenzuar. Kjo nuk është në rregull, prandaj edhe e bëra një ankesë. Më thanë se do ta shqyrtojmë këtë ankesë edhe një herë, por ky është një lloj maltretimi, se mund të dërgojnë fatura paushall” ka thënë ai. Edhe konsumatori Arianit Deliu nga Prishtina, derisa e mbante faturën në dorë, borxhin e së cilës sapo e kishte shlyer në sportelet e KEDS-it, thotë se deri në muajin tetor ka paguar nga 30 euro përderisa këtë muaj atij fatura i ka ardhur 55 euro duke paguar 25 euro më shumë. Ai thotë edhe pse janë aplikuar tarifat e dimrit faturat janë shumë të larta. “Për muajin tetor fatura më ka ardhur 55 euro, përderisa në muajt e tjerë asnjëherë nuk kemi paguar mbi 35 euro. Unë banoj me familje dhe e kemi kursyer energjinë për shkak se e kemi ditur se ka filluar edhe aplikimi i tarifave të dimrit. Por, mendoj se fatura na ka ardhur shumë me e lartë se që e kemi shpenzuar. Mendoj se është paushall, sepse faturat janë të larta dhe të papërballueshme” ka thënë ai.

KEDS-i nuk përgjigjet

Për ngritje enorme të faturave të fundit të energjisë elektrike gazeta “Zëri” iu ka dërguar pyetje konkrete zyrtareve të KEDS-it, por këta të fundit nuk janë përgjigjur fare. Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, ka thënë se prej janarit të këtij viti ka rënie të numrit të ankesave nga ana e qytetarëve për 20 për qind. Buzhala nuk ka bërë të ditur se ankesa janë bërë së fundmi nga ana e qytetarëve pasi që ata ankohen se faturat e muajit tetor janë dyfish më të larta. “KEDS-i ka pranuar se gjatë këtij viti, nga muaji janar deri në fund të këtij muaji ka mbi 20 për qind ankesa më pak sesa vitin e kaluar. Pra, numri i ankesave nuk është në shtim, por në rënie. Kjo rënie paraqet vazhdimësi, pasi kishte rënie të theksuar edhe gjatë vitit të kaluar. Arsye e rënies është se KEDS dhe KESCO kanë përforcuar kontrollin e sistemit të faturimit, kanë përmirësuar shërbimin e qendrës së thirrjeve ku konsumatorët mund të marrin informata në lidhje me kërkesat e tyre si: data e leximit, ndërprerjet e të ngjashme. KEDS/KESCO është mjaft fleksibil në zgjidhjen e ankesave dhe ato i shqyrton dhe i zgjidh në kohën më të shkurtër të mundshme”, ka thënë ai, duke mos treguar nëse ka pasur fryrje të faturave ashtu siç thonë qytetarët.

 Gojani: Të nisin hetimet

Në anën tjetër, Rinora Gojani nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka thënë se prej privatizimit të distribucionit KEDS vërehen ankesa të shtuara të qytetareve për faturat e energjisë, sidomos në kohën kur edhe fillon implementimi i tarifave dimërore. Sipas saj, institucionet e vendit duhet të nisin hetime që të ndalohen manipulime të tilla. “Problemet me kalibrimin e njehsorëve janë shfaqur tash e ca vite, andaj do të duhej që organet kompetente tashmë të kenë adresuar ketë problem, meqë nuk është risi, por ky fenomen po ndodhë çdo vit. Andaj, hetimet gjithsesi që do të duhej të iniciohen te ndalohen manipulime të tilla, duke pasur parasysh që edhe çmimi i energjisë i caktuar nga ZRRE për shumicën e qytetarëve merr një shumë të konsiderueshme të të ardhurave të familjeve Kosovare” ka thënë ajo.

Gojani ka shtuar se është e rëndësishme që edhe vetë qytetarët të bëjnë menaxhimin e energjisë të cilën e shpenzojnë, duke mos përdorur energjinë elektrike për ngrohje, meqë sipas saj, kjo është praktikë tejet e shtrenjtë, gjithashtu duhet shfrytëzuar energjinë gjatë natës kur tarifat janë përgjysmë më të lira. 

Nga tetori tarifat dimërore

Ndërsa, në anën tjetër, Adelina Murtezaj, zëdhënëse në ZREE ka thënë se duke filluar nga muaji tetor, fillojnë tarifat e sezonit të lartë, prandaj edhe faturat janë më të larta.

“Arsyeja e ndarjes së tarifave të sezonit është që të bëhet përshtatja me kërkesën e konsumit të energjisë elektrike e që me fillimin e sezonit të lartë, konsumi i energjisë elektrike fillon të rritet dhe në të njëjtën kohë çmimet janë më të larta. Qëllimi i vendosjes së tarifës së sezonit të lartë është që të nxitet kursimi i energjisë elektrike gjatë muajve kur ngarkesa rritet dhe zvogëlohen mundësitë për të furnizuar të gjithë konsumatorët vetëm nga gjenerimi vendor. Në këtë mënyrë imponohet importi i energjisë me çmime më të larta. Konsumatorët në sezonin e ulët paguajnë tarifa nën kosto mesatare të shërbimit, ndërsa e kundërta ndodhë për sezonin e lartë” , ka thënë ajo.

Sipas saj, konsumatorët e energjisë elektrike varësisht nga nevojat e tyre të konsumit mund të kyçen në tri nivele të tensionit: atë 220kV; 110 kV; 35kV; 10kV dhe atë 04kV, ku kostoja e shërbimit të këtyre konsumatorëve është e ndryshme, për këtë arsye edhe tarifat e tyre janë varësisht nga niveli i tensionit ku janë të kyçur konsumatorët.